PRISHTINË- Tre ditë pas marreveshjeve të para të arritura në dialogun Prishtinq-Beograd, mediat në Kosovë publikojnë detaje lidhur me përfitimet që do të kenë qytetarët e Kosovës. Tri fushat e para për të cilat dy ekipet, ranë dakord të shtunën janë: liria e lëvizjes, regjistri civil dhe njohja e diplomave universitare.

Sipas gazetës të gjitha palët kanë konfirmuar se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, do të mund të kalohet me karta identiteti, ndërsa policia serbe do ti pajise me një letër të veçantë, ku thuhet se nuk njihet dokumenti i lëshuar nga autoritetet e Kosovës si dokument i pranuar zyrtar në territorin e Serbisë.

Ajo që mbetet të sqarohet është udhëtimi i fëmijëve, të cilët nuk mund të kenë letërnjoftime por vetëm pasaporta. Sa i përket targave të Kosovës, si kompromis për përdorimin e tyre është arritur marrëveshja, qe në Kosovë do të ketë dy lloj targash, një lloj si ato që deri më sot ka lëshuar UNMIK-u me shenjën KS, dhe targat e reja me shenjën RKS.

Kështu shtetasit me targa KS do të kalojnë lehtësisht në kufi duke paguar vetëm sigurimin e automjeteve. Ndërsa ata që kanë targën RKS do të pajisen në kufi me targa të përkohshme të vlefshme brenda territorit të Serbisë.

Sipas gazetës, Kosova ka të drejtë të marrë masa reciproke, që do të thotë se autoritetet e Prishtinës mund të kërkojnë nga shtetasit e Serbisë të paguajnë sigurimin e automjeteve për të hyrë në Kosovë dhe që Policia e Kosovës t’ua lëshojë një letër në vend të patentës shoferit, ashtu siç bën Serbia me kosovarët.

Ndërsa lidhur me regjistrat civile, sipas Koha Ditore, pala serbe nuk ka pranuar të kthejë origjinalet sepse kjo do të kuptohej si heqje dorë nga sovraniteti ndaj Kosovës ndërsa zyrtarët europian janë shprehur se “detyrimi i Serbisë që t’i kthejë origjinalet është jashtë mandatit të BE-së në këtë dialog’. Kështu në bazë të marrëveshjes, Kosova do të kompletojë regjistrin e vet civil duke marrë fotokopjet nga Serbia, të cilat do të vërtetohen nga EULEX-i, duke i bërë ato edhe më të besueshme dhe të pranueshme për BE-në, lidhur me procesin e ardhshëm të liberalizimit të vizave.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)