Ish i burgosuri politik Uran Kostreci ka zgjedhur pikërisht ditën e përvjetorit të rrëzimit të monumentit të ish-diktatorit Enver Hoxha për të promovuar ribotimin e librit të tij “Epopeja e karkalecave”. Një poemë satiriko-politike, që përshkron dhe denoncon dekada të tëra të sistemit komunist shqiptar.

Vargjet autori i ka shkruar gjatë internimit të tij, pas burgosjes 20 vjecare për arsye politike. Në promovimin e librit morën pjesë mes të tjerësh shkrimtarë e artistë dhe u lexuan vargje të poemës.



Intelektualë vendas e kanë cilësuar këtë poemë si një xhevahir të satirës socio-politike shqiptare, me sarkazmë të hidhur e të fortë. Ndër botime të tjera të Uran Kostrecit renditen “Agonia e karkaleceve”, “Lundërtari dhe deti”, “Sonete” dhe novela “Pabesia”.