02/04/2005  Nano pret në Tiranë Kryeministrin e Kosovës


Kryeministri Fatos Nano ka takuar dje Kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi, gjatë të cilit i ka garantuar mbështetjen e qeverisë shqiptare për statusin e Kosovës. "Unë dëgjova me vëmendje informacionin më të freskët që solli Kryeministri i Kosovës, për ritmet e punës, për programet dhe projektet konkrete në fusha prioritare të arritjes së standardeve për reformat e decentralizimit, që do ta konsolidojnë skemën e institucioneve të vetëqeverisjes, të një demokracie multietnike në Kosovë, për vullnetin dhe përparimin që po arrin qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me administratën e UNMIK-ut dhe me Petersen, edhe në çeshtjet teknike që mbeten për t’u shqyrtuar me Beogradin, që lidhen që nga formalizimi dhe zgjidhja e çështjes së të zhdukurve, apo të humburve, deri te çështjet e tjera të dokumentimit të pronësisë apo identitetit të qytetarëve, që, edhe pse me përkatësi të ndryshme etnike, kanë rolin e vet në Kosovën e re. Statusi i papërcaktuar i Kosovës është një çështje që është shtruar për zgjidhje tashmë. Ne jemi për të mbështetur dhe për të nxitur zgjerimin e konsensusit ndërkombëtar, për një zgjidhje të shpejtë dhe me dimensione evropiane të Statusit të Kosovës. Ne jemi për ta zhvilluar me të njëjtën ritmikë dhe dinamikë dialogun me Beogradin, siç zhvillojmë dialogun mes nesh, apo dialogun politik me kryeqytete të tjera të Ballkanit, që janë faktor i rëndësishëm dhe në diskutimin rajonal, apo ndërkombëtar për qetësimin dhe qartësimin përfundimtar të dimensioneve evropiane", tha Nano. Nga ana e tij, Kryeministri kosovar, Bajram Kosumi, tha se gjatë bisedimeve me Beogradin nuk do të bisedohet për çështjen e Kosovës. "Lidhur me vizitën time në Beograd, unë jam i kënaqur që ‘t'i vizitoj të gjitha qendrat pa asnjë dilemë dhe, natyrisht, edhe Beogradin. Janë disa rrethana, të cilat vështirësojnë mundësinë për pasjen e takimeve tona me Beogradin. Ne nuk na vështirësojnë, por vështirësojnë Beogradin. Politikanët e Beogradit ende nuk janë të gatshëm që të ballafaqohen me proceset në Kosovë, ende nuk janë të gatshëm që të takohen me ne. Mua më vjen keq që ndodh kështu, unë jam i gatshëm që të takohem dhe të bisedoj të gjitha problemet që ekzistojnë mes dy vendeve dhe tëë bisedoj për zgjidhjen e atyre problemeve. Por jo vetëm për problemet, jam shumë i interesuar të bisedoj edhe për çështje të tjera, që të rrisim bashkëpunimin, si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Vetëm një çështje nuk mund të bisedohet me Beogradin, fati i popullit të Kosovës, pavarësia e Kosovës është e drejta jonë demokratike, atë do ta vendosim vetë", tha Kosumi.