Sonila Merolli




Në një cep të Akademisë së Arteve, rrethuar nga studentët, ajo diç thotë që ata të mos vonojnë gazin. Buzëqeshjen e ka pa kursim Kozeta Bakiu, koreografja e mirënjohur. E megjithatë përpos alegrisë që e karakterizon, karrierës si pedagoge e koreografisë dhe opinioneve dashamirëse nga studentët, pakkush njeh rrënjët e familjes së saj. Më tej gruan, bashkëshorten, nënën e dy fëmijëve. Në intervistën për ‘Panoramën’ Bakiu rrëfen detaje mbi njohjen me bashkëshortin, piktorin Gazmend Duka, bashkëjetesën mes dy artistëve si dhe shumçka ka ndodhur përgjatë këtyre 15 viteve. Ata ecin paralelisht, por në dy drejtime kryekëput të ndryshme. Ajo luan me lëvizjen, ndërsa ai fikson momentet falë telajos. Rezultati; një martesë e suksesshme, dy fëmijë, si dhe një lumë kritikash karshi punës së njëri-tjetrit, dhe kur e ndiejnë se po vjen një debat i fortë tërhiqen. Gjithsesi nuk bëjnë dot pa mendimin kritik të sho-shoqit, pasi siç pranon vetë Kozeta “të vërtetën nuk ta thotë askush më mirë se njeriu që ke pranë...”
Zonja Bakiu si i kujtoni fillesat e njohjes suaj me bashkëshortin?
Vështrimet tona ishin shkëmbyer në oborrin e Akademisë së Arteve. Gazi studionte për pikturë, dy vjet para meje. E njihnim njëri-tjetrin për së largu, por njohja e mëtejshme ndodhi vite më vonë.
çfarë ju stepi asokohe?
Ka pasur një lloj paragjykimi për studentët e pikturës. Na dukeshin të çuditshëm, pasi ata vinin të kërkonin për modele. Atëherë të pozoje për një piktor, ishte një sakrilegj, për më tepër në rrethin tim shoqëror piktorët shiheshin si filozofë të heshtur. Kësisoj marrëdhëniet tona më të ngrohta ishin me studentët e Kantos dhe Dramës.
Si e mposhtët paragjykimin ndaj piktorëve?
Personalisht për piktorët nuk kam pasur paragjykime, përkundrazi kisha një tërheqje karshi tyre, pasi më pëlqente shumë piktura. Kurioziteti ndaj të panjohurës, botës së tyre, ndjesive që hedhin në telajo.
Kur i shuat kërshëritë tuaja?
Kurioziteti nuk shuhet kurrë, sa herë bën një tablo apo diç hedh në letër. Por ajo që më impresion tek Gazmendi është informacioni pa fund që zotëron. Ai është natyrë studiuesi ka shkruar dhe vijon të shkruajë, të lexojë pa fund dhe di të flasë për çdo kishë dhe çdo gur që ka Shqipëria. Ta tregon historinë e një vendi arkeologjik me detaje që të impresionojnë, aq sa të duket se jeton në atë shekull, të cilit i përket.
Po momenti i ‘ritakimit’ pas Akademisë, ku dhe si ndodhi?
Profesioni ynë është i vështirë dhe kërkon ego profesionale dhe disa pikësynime që duhen arritur. Kështu që dashuria, më tej martesa, nuk ishte në planet e mia të afërta. Po shkoja drejt të tridhjetave, kisha krijuar emrin tim në valën e spektakleve të para, që përpiheshin nga publiku aq i etur për të parë gjëra të reja, në ekranin e vetëm. Ndërkaq, kisha nxjerrë një brez balerinësh. Paralelisht edhe Gazmendi kishte vijuar me karrierën e tij. Siç ju thashë, njiheshim dhe ndër vite ishin takuar nëpër ato festat që bëheshin në shtëpi. Kunati im ka qenë ndërhyrësi i parë që raporti ynë u përforcua.
Si erdhi propozimi?
çdo gjë ka ardhur natyrshëm. Pas takimeve të njëpasnjëshme nëpër ato festat në shtëpi, si pa kuptuar nisëm të dalim vetëm me njëri-tjetrin. Ne u puqëm bashkë, patëm një mirëkuptim të heshtur dhe më pas etapat e njohjes ishin shumë të shpejta, brenda vitit u dashuruam, u fejuam, u bëmë prindër...
A është e vështirë bashkëjetesa mes dy artistëve? ç’ofron përvoja juaj?
Jo nuk është e vështirë, mjafton të mirëkuptohesh dhe t’i lësh hapësirën e duhur partnerit. Nga ky drejtim ne gjithnjë kemi qenë të lirshëm. Ne nuk dimë njëherë që t’i biem telefonit kur jemi me punë, për të shqetësuar njëri-tjetrin. Karrierat tona ecin paralelisht, por në dy drejtime të kundërta. Gazmendi është më shumë me veten sesa me njerëzit, unë në botën e spektalit mes njerëzve, kësisoj jemi përputhur mirë, pasi largësia e profesioneve nuk na pengon.
Jeni kritikë karshi sho-shoqit?
Punët e tij më pëlqejnë dhe e vlerësoj, por ku vjen puna për të kritikuar jemi aq kritikë ndaj njëri-tjetrit sa ka raste që mund të debatojmë, por kur e kuptojmë se po afrohet një moment i tillë mundohemi ta mënjanojmë. Besoj se kjo pjesë të bën mirë, të pjek dhe të kuptosh në çfarë faze gjendesh, pasi të vërtetën siç ta thotë njeriu më i afërt, nuk ta thotë kurrë askush tjetër.
Kush nga ju të dy i është përkushtuar më shumë fëmijëve?
Me fëmijët ia kemi dalë bashkë, duke u alternuar. Kështu kur punoja te ‘Telebingo’ merrja vajzën me vete, pas pak orësh e merrte Gazi, pra gjendej një formulë e përbashkët. Më kanë ndihmuar prindërit, aq sa sot e kësaj dite fëmijët e mi ‘stacionin’ e kanë atje.