Sekretari i Peshëngritjes: “Do të ishte historike për Shqipërinë”


Peshëngritja meriton respektin maksimal në sportin tonë, pasi sërish “boshti” shqiptar ja ka dalë të sjellë në Shqipëri medalje të arta, të argjendit, apo dhe ato më të “thjeshta”, të bronzit. Në fakt, nuk ka aktivitet, ku flamuri shqiptar nuk është ngritur në podiumin e nderit.

Ilir Kraja, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e konsideron vitin 2009 si të jashtëzakonshëm:”Ky është një nga vitet më të mbara. Duke u nisur nga Kampionati Europian i të rriturve në Bukuresht të Rumanisë në muajin prill, ku shtangisti Erkand Qerimaj morri medalje ari, duke dalë kampion i Europë. Romela Begaj fitoi po në këtë kampionat, medalje ari dhe argjendi, duke dalë kampione e Europës dhe nënakmpione e kontinentit”.

Kraja nuk lodhet së numëruari medaljet. “Po, kështu, - thotë ndihmësi më i afërt i presidentit Esat Ademi, - në Kampionatin Botëror për të Rinj, të zhvilluar gjatë muajit qershor të këtij viti, Ervis Tabaku morri dy medalje argjendi dhe një bronzi. Daniel Godelli e Briken Calja morën tri medalje bronzi”.

Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009” ofruan të tjera medalje të tjera. “Federata Shqiptare e Peshëngritjes nderoi të gjithë delegacionin sportiv shqiptar, pasi ishte e vetmja që arriti të fitojë medalje në Lojërat Mesdhetare. Erkand Qerimaj, i cili garoi në kategorinë e peshës 77 kg, çoi në kulmin e podiumit flamurin shqiptar, duke i sjellë medaljen e dytë të artë Shqipërisë, pas asaj të Romela Begajt, në peshën 58 kg për femra. Si Qerimaj për meshkuj, ashtu dhe Begaj për femra në peshën e tyre vendosën rekorde mesdhetare. Qerimaj mori medalje ari dhe argjendi, Begaj, po ari dhe argjendi. Ervis Tabaku mori vetëm argjendi. Pra, 5 medalje në total”, - thotë Kraja, duke rrumbullakosur shifrën me stilolaps mbi një fletë plot emra në zyrën e tij të punës.

“Më pas erdhi Kampionati Europian për të rinj në Landskronen të Suedisë, gjatë muajit korrik 2009, ku sportisti Ervis Tabaku u shpall kampion i Europës, duke fituar një medalje ari dhe një bronzi. Daniel Godelli morri dy medalje bronzi në peshën e tij, ndërsa Briken Calja një bronzi”, - thotë me krenari sekretari i peshëngritjes.

Lista e medaljeve të fituara vazhdoi në Izrael. “Shqipëria morri pjesë me shtatë shtangistë meshkuj dhe një femër, ku ja dolëm të marrim dhjetë medalje, prej të cilave, 6 ari, 3 argjendi dhe 1 bronzi: Daniel Godelli, tri medalje ari, Ervis Tabaku, 1 ari dhe 1 argjendi, plus një ar në dygarësh. Xhulio Prroni një medalje ari dhe një argjendi”, - shton Kraja.

“Tani kemi një peshëngritje të nivelit ta lartë, -thotë Kraja, - pasi marrim rregullisht medalje si në kampionatet e moshave, të rinjve, por dhe të rriturve. Kemi një cikël të plotë. Kemi garanci për një të ardhme të mirë”.



Objektivi i madh



“Tani po përgatitemi për Kampionatin Botëror në Gojang Siti të Koresë së Jugut (17-29 nëntor), ky synojmë të grumbullojmë pikë, që do të na shërbejnë edhe për Lojërat Olimpike të Londrës të vitit 2012. Projekti ynë, gjithmonë me synim Londrën, është që Erkand Qerimaj, Romela Begaj, Ervis Tabaku, Daniel Godelli e ndoshta edhe ndonjë tjetër të trajtohen intensivisht gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që peshëngritja shqiptare, përveç kampionateve botërore dhe europiane, të arrijë të fitojë medalje për herë të parë dhe medalje në Lojërat Olimpike. Do të ishte një ndërmarrje historike për peshëngritjen shqiptare. Nëse do t’ia dalim peshëngritja do të shndërrohet në sportin më krenar të shqiptarëve.”.





Idhujt e Ervis Tabakut, olimpistet me medalje



Ervis Tabaku është një nga tre peshëngritësit shqiptarë që do të përfaqësojnë vendin tonë në Kampionatin Botëror për të Rritur në Gojang të Koresë së Jugut. 20-vjeçari ka koleksionuar jo pak medalje në aktivitetet ndërkombëtare: “Kam marrë 7 medalje vetëm gjatë këtij viti, 2 ari, 3 argjendi dhe 2 bronzi”, - tha nënkampioni i botës për të rinj për vitin 2009, teksa ngriti në kategorinë e peshës 85 kg, 362 kg, 3 kg më pak se polaku i vendit të parë, Adrian Zielinski (365 kg). Po në këtë kampionat (i 35-ti), por për peshën 69 kg, Briken Calja u rendit i pesti në kategorinë e tij. “Kam punuar shumë për të arritur këto rezultate, nga dy seanca stërvitore në ditë. Mbush tetë vjet që ushtrohem me shtangën dhe natyrisht që do të vinte dita për të fituar medalje. Si e kujtoj medaljen e parë? Është një gjë shumë e bukur se është hera e parë që ngjitesh në podin e fituesit dhe kjo është një gjë e madhe për një sportist. Idhujt e mi? Të gjithë ata që kanë fituar më shumë se një medalje në Lojëra Olimpike. Nëse një sportist merr një medalje të artë në Olimpiadë ai shndërrohet në idhull për shumë të tjerë. Në Shqipëri, në fakt nuk ka sportistë që kanë marrë medalje në olimpiada, por ka shtangistë që janë shqiptarë dhe kanë garuar për vendet e tjera siç janë Piro Dhima, Luan Shabani apo dhe Viktor Mitro ”, - tha Tabaku, i cili prej më shumë se tre vjetësh stërvitem me Sokol Bishanakun.



Godelli i Shtërmenit, “erdhi, pa e fitoi”



“Të dalësh kampion të duhet shumë punë. Vetëm puna të bën kampion Europe dhe bote. Një shpërblim i stërvitjes pa ndërprerje dhe lodhjes së madhe”, - tha 17-vjeçari Godelli për “Albania”-n. “Medaljen e parë të artë të fituar e kam konsideruar si një fillim për të fituar sa më shumë të tilla”. Godelli stërvitet çdo ditë katër orë në ditë. “Janë dy seanca 2-orëshe të lodhshme, por që ia vlejnë në fund të fundit”, - shton shtangisti i klubit privat të Shtërmenit, një fshati afër Peqinit, që tashmë ka bërë histori në peshëngritje. Në fakt, shtangisti i talentuar peqinas, Daniel Godelli, pas tre medalje të arta, në stilin e shkëputjes, të shtytjes dhe në dygarësh, të fituara në Kampionatin Europian U-17 të zhvilluar Amiens të Francës (korrik 2008), ka fituar me dy medalje ari e një argjendi në Kampionatin Europian për të Rinj, të zhvilluar vitin e kaluar në Durrës. Godelli, i cili stërvitet nga trajneri Petrit Muça, rezultatin më të mirë zyrtar e ka 137 kg në shtytje e 167 kg në shkëputje. “Por, në stërvitje kam kapur edhe 140 kg në shtytje e 180 kg në shkëputje, por garat të ngarkojnë me të tjera emocione”. “Daniel Godelli came, saw and won” (Daniel Godelli erdhi, pa dhe fitoi), ky ishte titulli i një shkrimi në gazetat suedeze, kur Godelli fitoi në peshën 69-kg për Kampionatin Europian U-17 në Landskrones të Suedisë, ku ngriti në total 297 kg.



Dopingu, nga Kafarani te Kasaj



Peshëngritja, sporti më i lavdishëm shqiptar në botë nuk i ka shpëtuar dot njollës së errët. Të paktën, dy shtangistë, një femër (Fetije Kasaj) dhe një mashkull (Ilir Kafarani) janë gjetur nga Agjencia Ndërkombëtare a Anti-dopingut, Ëada, si përdorues të substancave të ndaluara. Ilir Kafarani, i njohur ndryshe edhe si Ilir Tafarami, është pezulluar për gjithë jetën nga peshëngritja, për shkak të përdorimit të dopingut. Kafarani doli tri herë pozitiv për doping. Sipas Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tafarami (Kafarani) është kapur me doping në kampionatin europian, për përdorim stanozololi. Gjithashtu, FSHP-ja është dënuar me 10.000 dollarë gjobë për shkak të pranimit të ndërrimit të mbiemrit nga sportisti në fjalë. Vlen të theksohet se Kafarani e ka për herë të dytë që ndërron mbiemër, pasi më parë e ka ndryshuar mbiemrin nga Kafaraj në Kafarani, ndërsa tani në Tafarami. Për përdorim të substancave të ndaluara, stanozololi, është ndëshkuar me dy vjet pezullim një nga simbolet e peshëngritjes për femra, Fetije Kasaj, e cila u detyrua të kthejë mbrapsht edhe dy medaljet e argjendta të fituara në Kampionatin Europian të zhvilluar në Strasburg të Francës. Gjithsesi, tani Kasaj e ka mbaruar dënimin, madje ishte pjesë e delegacionit sportiv shqiptar në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”, por pa u rikthyer në ditët e saj të lavdishme.









19 Tetor 2009