Kryetari i parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi e vlerësoi vit shumë të rëndësishëm dhe të suksesshëm 2008-ën, megjithë angazhimet e mëdha që ka kërkuar nga institucionet vendore. Në takimin e fundvitit me gazetarë, kryeparlamentari Krasniqi veçoi arritjet kryesore për këtë vit. "Arritjet kryesore padyshim kanë qenë shpallja e pavarësisë, miratimi i simboleve të shtetit dhe i Kushtetutës, formimi i institucioneve përkatëse kushtetuese, njohja e Republikës së Kosovës nga 53 shtete anëtare të OKB-së dhe promovimi i shtetit demokratik të Kosovës" tha Krasniqi. Përbërja aktuale e Kuvendit me 17 shkurt shpalli pavarësinë e Kosovës. Me 9 prill miratoi Kushtetutën, ndërsa gjatë vitit u miratuan 91 ligje, 52 prej të cilëve janë nga pakoja Ahtisari. Kryeparlamentari fokusoi edhe bashkëpunimin me institucionet tjera, sidomos me Presidentin dhe kryeministrin si dhe mbikqyrjen që ka zhvilluar legjislativi ndaj institucioneve tjera. Sidoqoftë, Parlamenti ka qenë edhe shënjestër kritikash, përfshirë ato nga opozita ashtu edhe nga shoqëria civile, sidomos për mos reagimin e duhur ndaj gjendjes në veri të vendit, ku nuk zbatohen ligjet e miratuara nga Kuvendi. Krasniqi pranoi se çdo institucion përfshirë Kuvendin ka përgjegjësitë e veta për çdo pjesë të Kosovë. Krasniqi përmendi edhe vizitat që kanë pasur si përfaqësues të një shteti të pavarur, nga personalitetet e rëndësishme si: ministri i Jashtëm britanik Dejvid Milibend, ish- ndërmjetësi për Ballkanin ambasadori Riçard Hollbruk, kryetari i dhomës së përfaqësuesve të Belgjikës Herman Van Rompuj si dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë.