PRISHTINË-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi uroi kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Josip Leko, me rastin e hyrjes së Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian.

"Në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin tim personal, me rastin e hyrjes së Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian, kam kënaqësinë dhe nderin e madh t’ju shpreh urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta ju dhe tërë popullit të Republikës së Kroacisë", thuhet në telegramin e urimit.

"Kjo ditë e shënuar për Kroacinë, më jep rastin, t’ju siguroj për angazhimin tim dhe të Kuvendit të Kosovës për të vazhduar thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të shkëlqyera dhe të partneritetit strategjik midis shteteve tona, nëpërmjet bashkëpunimit të frytshëm në të gjitha fushat me interes të përbashkët", thekson kryeparlamentari kosovar Krasniqi.

(d.b/BalkanWeb)