Ervin Koçi



Ministria e Ekonomisë ka përgatitur skemën për ndarjen e fondit 30 milionë euro, që u akordua si kredi e butë nga qeveria italiane për të mbështetur bizneset shqiptare. Subjektet që përfitojnë nga ky fond zhvillimi janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të njohura ndryshe si “SME”, që janë kompani eksportuese dhe biznese në zona më pak të zhvilluara. “Çdo biznes i regjistruar në Shqipëri, që ka një xhiro jo më shumë se 5 milionë euro, prezanton një program. Biznesi mund të aplikojë për këtë lloj kredie të butë”, - u shpreh drejtoresha e programit, Laura Grezda. Nëse kërkesat nga biznesi për kredi do të tejkalojnë fondin total, atëherë për përzgjedhjen e fitueseve do të përdoren disa kritere, tashmë të paracaktuara. Bizneset do të aplikojnë për kredi pranë bankave private, madje do të jenë këto të fundit që do të përzgjedhin bizneset fituese, por me kusht që ato të përmbushin kriteret e përcaktuara nga METE. “Shuma që do të aplikohet do të jetë nga 50 mijë deri në 500 mijë euro. Interesi vjetor për kreditë do të jetë 5.5 për qind në euro dhe 8.5 për qind në lekë”, - u shpreh Grezda. Njësia e Menaxhimit të Programit (PMU), e krijuar pranë Ministrisë së Ekonomisë me ekspertë shqiptarë dhe italianë, do të monitorojë të gjitha aktivitetet e zhvilluara, në mënyrë që të verifikojë respektimin e procedurave dhe të kushteve të përcaktuara nga CLSC.



Ku merret kredia



I gjithë procesi i aplikimit dhe i marrjes së kredisë zgjat deri në 35 ditë. Bizneset mund të aplikojnë pranë degëve të 5 bankave tregtare në të gjithë vendin, të përzgjedhura për këtë program. Çdo bankë do të kërkojë nga SME-të aplikante dokumentacionin e nevojshëm për kërkesën e financimit dhe pas shqyrtimit të kërkesës do të firmosë kontratat e huas me SME-të për projektet e aprovuara. Bankat Tregtare Private janë përgjegjëse për aprovimin ose mosaprovimin e Linjës së Kredisë së kërkuar nga SME-të. Gjatë vlerësimit të kërkesës së SME-ve, bankat duhet t'u referohen kushteve të përcaktuara nga programi. Programi përfshin 25 milionë euro kredi e butë në favor të SME-ve, 2,5 milionë euro kredi për krijimin e Fondit të Garancisë në mbështetje të SME-ve shqiptare në marrjen e kredive dhe 1,7 milionë euro dhuratë/asistencë teknike, që përfshin promocionin, aktivitetet, e trajnimit dhe të informimit si dhe krijimin e njësisë së Menaxhimit të Programit.



Si merret kredia



Ndër kriteret për marrjen e kredisë nga ana e SME-ve janë: 1) shoqëria të jetë e regjistruar në Shqipëri; 2) jo më pak se 51 për qind e kapitalit themeltar të shoqërisë të zotërohet nga shtetas shqiptarë; 3) shoqëria të ketë një qarkullim vjetor jo më të lartë se 5 milionë euro; 4) shoqëria të ketë një numër punonjësish jo më shumë se 80 veta. Në dallim nga kredia për biznesin që aplikojnë bankat në vend, ky program u mundëson sipërmarrësve interesa të paktën 3 për qind më të ulëta se ato të tregut për euron, si dhe mund t’u mbulojë garancinë për kolateralin. Periudha e shlyerjes së kredisë do të jetë 3 deri në 8 vjet, sipas llojit të projektit, si dhe periudha e mospagimit (kur paguhet vetëm interesi) nga 1-2 vjet..



Çfarë nuk financohet



Nga Linja e Kreditit nuk janë të financueshme taksat lokale, taksat doganore, TVSH-ja; kapitali qarkullues (duke përjashtuar shumën fillestare që nevojitej për çeljen e aktivitetit të nisur rishtazi); Joint Venture, ndërmarrjet tregtare dhe financiare të përkohshme; investime në sektorin e kohës së lirë, pasuri të patundshme, armatime, droga dhe pije alkoolike, duhan dhe derivatet e tij, prodhimi i produkteve të ndaluara për importin dhe eksportim nga vendet e BE-së, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.



Kushtet e donatorit



Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme do të përfitojnë nga "Programi për Zhvillimin e SME-ve", i financuar nga qeveria italiane, me vlerë 30 milionë euro, nëse plotësojnë dhe një sërë kushtesh. Kushtet për dhënien e kredisë SME-ve janë; norma e interesit që aplikohet do të jetë maksimumi 5.5 për qind interes vjetor për kreditë në euro, si dhe maksimumi 8.5 për qind interes vjetor për kreditë në lekë. Bizneset që përzgjidhen fituese duhet që detyrimisht 70 për qind të shumës së kredisë së financuar nga projekti duhet ta përdorin për blerjen e lëndës së parë, pajisjeve, teknologjisë, asistencës teknike, përfshirë trajnime, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe licencë industriale me origjinë italiane, si dhe të gjitha këto të furnizuara nga prodhues italianë. Ndërsa jo më shumë se 30 për qind e financimit të kërkuar për çdo projekt të vetëm mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale të këtij projekti.



Zhvillimi i SME-ve do të ndihmojë rritjen ekonomike



Programi për "Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme" ka si qëllim të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe sociale të Shqipërisë, lehtësimin e sistemit të kreditimit të SME-ve shqiptare, duke favorizuar ekonominë formale. Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme që janë konsideruar si më prioritare për të përfituar nga programi janë; SME prodhuese, SME eksportuese (eksport i të paktën 50 për qind të totalit të shitjeve); SME të themeluara rishtas nga nënshtetas shqiptarë rezidentë në Itali; SME të përqendruara në zonat industriale etj. Ndërsa disa nga projektet në sektorët prioritarë janë konsideruar: sektori i agrikulturës dhe agroushqimor; projekte për prodhimin natyror të energjisë ose projekte për eficencën/ruajtjen e energjisë; projekte me impakt të ulët ambiental ose që ulin ndotjen e mjedisit; projekte që krijojnë vende të reja pune; projekte të lokalizuara në zonat më pak të zhvilluara të vendit (jashtë zonës Tiranë-Durrës). Lidhur me financimin e projekteve të vogla, jo më shumë se 10 për qind e shumës totale të Linjës së Kreditit mund të përdoret për të financuar projekte të çelura rishtazi, me një vlerë që varion nga 15 000,00 euro, si dhe këto projekte përfitojnë automatikisht një periudhë të shlyerjes së kredisë për 4 vjet, duke përfshirë dhe periudhën 2 vjet të mospagimit (paguhet vetëm interesi).





24 Janar 2009