16/04/2012  Preferohet kredia në lekë. Ja ndryshimet


Për të kontrolluar nivelin e kredive të këqija bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kanë ndryshuar procedurat për kreditë e blerjeve të shtëpive. Megjithëse interesi i qytetarëve ka shënuar rënie për këto kredi, sërish bankat vijojnë të shtojnë masat për të eleminuar problemet që mund të vijnë për rikthimin e tyre. Sipas të dhënave më të fundit, rezulton se në tremujorin e fundit të 2011-ës kërkesa për kredi nga ana e individëve për blerjen e një banese ka regjistruar rënie e ndikuar nga zhvillimet në tregun imobiliar, por edhe shtrëngimet e kushteve të kredidhënies. Së pari, bankat në vend kanë vendosur të ofrojnë kredi për shtëpitë në lekë dhe jo më në euro, ku interesat për to shkojnë nga 8 deri në 9,7 për qind. Ndërkohë lehtësia më e madhe është krijuar për ata individë që marrin pagën pikërisht në bankën që jep huanë. Në këtë rast banka është më e sigurt për dhënien e kredisë ndaj personit që ka më shumë se pesë vjet që tërheq pagën nga sportelet e saj. Për këtë kategori kushtet dhe interesat janë më të favorshme dhe nga ana tjetër koha e shlyerjes së kredisë është më e madhe. Pavarësisht se tregu imobiliar vijon të funksionojë në euro, bankat janë më të prirura të kreditojnë në monedhën vendase lekë. Ekspertët e agjencive imobiliare shpjegojnë se në tremujorin e parë të vitit kërkesat për blerjen e një banese janë më të qëndrueshme për komplekset e banimit jashtë vijës së verdhë dhe kjo si pasojë e një ngopjeje të tregut. Si pasojë e uljes së normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë, si një formë për të rritur konsumin, interesat e kredive në lekë janë ulur duke u mundësuar bankave të ofrojnë kredi me interesa për bonot e thesarit nga 1,3 në 2,8 për qind, në varësi të klientëve. Ndërkohë që për kreditë në euro interesat luhaten në euribor nga 6 për qind deri në 8 për qind. Ekspertët bankar këshillojnë klientët që ta marrin huanë pikërisht në monedhën që marrin të ardhurat, duke u mbrojtur nga luhatja e kursit të këmbimit. Për pjesën e parë të 2012-ës parashikimet e BSH flasin për një përmirësim të kërkesës për kredi nga ana e individëve, ndërkohë që vlerëson se në lehtësimin e standardeve të kredisë do të ndikojë niveli i konkurrencës dhe gjendja e likuiditetit. Por nuk është vetëm eleminimi i rriskut ai që ka ndikur në rritjen e kredive në lekë nga ana e bankave. Sipas të dhënave që pas muajit shtator, kredia e dhënë në monedhë të huaj për bizneset dhe individët thuajse ka mbetur në vend duke shënuar një rritje të papërfillshme vetëm me rreth 3 miliardë lekë. Huatë në monedhë të huaj kanë qenë mjeti më i preferuar si për biznesin, ashtu dhe për individët për shkak të normave më të ulëta të interesit se sa kredia në lekë. Nga ana tjetër vetë bankat mund të kreditonin pa asnjë kushtëzim pasi kishin akses të pakufizuar tek fondet e bankave të tyre mëmë.


Kredia në valutë


Në vitin 2009 raporti kredi në valutë përmbi depozita në valutë arriti në 110 për qind, që do të thotë se bankat jepnin kredi më shumë nga sa kishin depozita në valutë, dhe shtesa financohej nga fondet që vinin nga bankat mëma. Por në fund të nëntorit ra në 83.7 për qind dhe me gjasa ka vazhduar të zbresë edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.


Rritja e kredisë


Kreditimi i ekonomisë nga bankat ka shënuar rritje të lehtë si për sektorin privat, ashtu edhe për individët. Stoku i kredisë për sektorin privat të ekonomisë u rrit me rreth 49.4 miliardë lekë ose 9 për qind më shumë se në vitin 2010. Kredia për biznese gjatë vitit 2011 ka ruajtur ritmet pozitive të rritjes, ajo u zgjeruar me rreth 44 miliardë lekë.


Sektori i vlerësuar


Sektori më i kredituar gjatë këtij viti ka qenë ai i industrisë, i cili ka tërhequr 41 për qind të kredisë për biznese. Kredia për individë është zgjeruar me 5.4 miliardë lekë ose 2.4 herë më shumë se në vitin 2010. Po kështu, gjatë këtij viti rritje ka njohur edhe kreditimi i sektorit të bujqësisë, megjithatë vlerësohet sërish në nivele të ulëta.


Frika, shqiptarët depozita në lekë


Kriza e eurozonës i ka bërë shqiptarët më spetikë ndaj monedhës evropiane. Ndaj ata kanë zgjedhur të mbajnë kursimet e tyre në monedhën vendase. Situata e paqartë për të ardhmen e euros, ka nxitur shqiptarët të rrisin besimin ndaj monedhës shqiptare dhe t’i depozitojnë paratë në lekë. Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë i mbërritur në Kuvend, i cili pritet të prezantohet para deputetëve nga Guvernatori Fullani. Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2012 është ulur niveli i depozitave në valutë dhe ka një normë të rritjes së qëndrueshme të depozitave në lekë. Depozitat në lekë janë rritur me 10.4 për qind gjatë vitit 2011 ose 0.5 pikë përqindje më pak se një vit më parë. Struktura kohore e depozitave në lekë tregon tendencën e zhvendosjes drejt depozitave me afat gjë që vihet re si te individët, ashtu edhe bizneset. Raporti i depozitave pa afat në lekë ndaj totalit të depozitave në lekë arriti në 18 për qind, krahasuar me 20 për qind një vit më parë.


Liqeni i Fierzës arrin nivelin 277 metër


Reshjet, përmirësohet situata hidrike në hidrocentrale


Lajme të mira vijnë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ku niveli i ujit në hidrocentrale është rritur në mënyrë të konsiderueshme, duke arritur në rreth 277 metra. Falë reshjeve të rëna së fundmi, prurjet maksimale arritën në rreth 650 metër kub për sekondë. Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Ëngjëll Zeqo, bëri të ditur se, në muajin shkurt kuotat prekën fundin, ku vetë, prurjet zbritën nën mesataren historike, në 90 metër kub për sekondë. Gjithashtu, Zeqo bëri të ditur se KESH është duke ruajtur rezervat hidrike, me qëllim që të hyjë në muajin maj me një nivel të lartë ujor në liqenin e Fierzës, me qëllim sigurimin e energjisë për periudhën e verës. Ndërkohë, mësohet se nga shkrirja e dëborës u përfitua një rritje e nivelit ujor në liqenin e Fierzës prej 20 metrash, por kjo nuk ishte dhe nuk është më një problem serioz. Aktualisht konsumi për energjinë elektrike në vend arrin deri në 20-21 milionë kilovat orë. Energjia që po importohet nga tregjet ndërkombëtare, në masën e 11 milionë kilovat orëve në ditë. Importi bëhet nga dy operatorët, CEZ dhe KESH, kurse pjesa tjetër e energjisë po prodhohet në vend. Ndërkohë, për sa i përket vitit që lamë pas rezulton se ka qenë një vit i keq për energjinë elektrike në vend. Bilanci ka shënuar shifra negative, duke rezultuar me një prodhim 47.4% më të ulët se në vitin 2010. Të dhënat zyrtare tregojnë se përveç rënies së prodhimit vendas, është reduktuar eksporti i energjisë elektrike, si dhe është rritur ndjeshëm importi. Kjo për shkak se situata hidrike në vend ka qenë e pafavorshme, duke mos arritur që vendi të plotësonte nevojat për energji elektrike. Sipas të dhënave zyrtare ka rezultuar se importet e energjisë elektrike kanë qenë në nivelet më të larta historike, veçanërisht në dy muajt e fundit të vitit 2011. Nga ana tjetër, eksportet rezultuan të ulura dhe të përqendruara vetëm në muajin janar.