Gjatë votimeve për delegatët e Kongresit të PS


Partia Socialiste do të zgjedhë deri në fund të tetorit kryetarët e PS në çdo komunë dhe bashki. Do të jenë 384 kryetarë të rinj që do të drejtojnë degët e Partisë Socialiste në krye të asambleve lokale socialiste. Por ndryshe nga çpër-caktohet në statutin e PS, i cili përcakton përzgjedhjen e tyre nga Kryesia e PSSH-së, këto kandidatura po shqyrtohen nga kreu socialist me deputetët e qarqeve. Dje, Rama ka nisur takimet me deputetët e tij të qarqeve Elbasan, Tiranë dhe Korçë, me të cilët ka diskutuar rreth përgatitjeve për Kongresin, pas zgjedhjeve që iu bënë delegatëve të tij ditën e shtunë. Gjithashtu, në takimet me deputetët Rama ka kërkuar që në listën e kandidatëve për kryetarë të PS në bashki dhe komuna, të vendosen njerëzit që kanë dhënë më shumë kontribute në zgjedhjet e fundit dhe që nuk kanë shfaqur luhatje në qëndrimet e tyre.

Kryesia

Kryesia socialiste ka kohë që nuk mblidhet për shkak të problemeve të saj të brendshme, të cilat nuk kanë mundur të menaxhohen dhe të zgjidhen nga kryetari i saj Rama. Për këtë arsye, kreu i PS-së, në vend të mbledhjes dhe vendimeve të Kryesisë, ka preferuar konsultimin me kryesinë e vogël, që është ajo e grupit të deputetëve socialistë dhe sekretarëve të mbetur në PS, pasi disa prej tyre ankohen se kanë kohë që nuk ngarkohen me detyra. Sot, në funksion të zgjedhjeve të kryetarëve të PS-së të degëve lokale, kryesocialisti do të takojë deputetët e qarqeve të Beratit, Vlorës, Lezhës dhe Shkodrës, me të cilët do të japë udhëzimet për kongresin, kandidaturat, por dhe sheshimin e problematikës së dalë nga zgjedhja e delegatëve. Seleksionimi i kandidaturave për kryetarë të asambleve të komunave dhe bashkive do të ishte misioni i fundit politik i kësaj Kryesie, pasi Kongresi i 5 nëntorit do të zgjedhë asamblenë e re kombëtare, e cila nga ana e saj do të zgjedhë Kryesinë e re dhe sekretariatin. Në mbledhjen e fundit të asamblesë kombëtare, i pyetur nga anëtarët e saj se përse nuk mblidhet kryesia, Rama është përgjigjur se Kjo kryesi nuk ka për tu mbledhur më.  Kandidaturat për kryetarin e PS në komuna dhe bashki janë propozuar sipas statutit nga organizatat socialiste, bashkë me kandidatët për delegatë të kongresit. Kandidaturat duhet të shkojnë të gjitha në Kryesinë e PSSH-së në Tiranë, e cila, bazuar në kriteret e përcaktuara më parë, do të duhet të bënte seleksionimin e tyre, duke lënë disa kandidatura alternative. Këto kandidatura i kalojnë më pas asamblesë socialiste të komunës apo bashkisë, të cilat me votim të fshehtë zgjedhin mes kandidatëve kryetarin e PS-së për atë komunë apo bashki, i cili është edhe kryetari i asamblesë së saj. Ata janë automatikisht dhe delegatë të Kongresit të PS-së. Ky proces duhet të përmbyllet para Kongresit të 5 nëntorit, pasi dhe kryetarët e njësive bashkiake janë delegatë të tij.


PS e Tiranës: Zgjedhjet pas Kongresit të 5 nëntorit

Zgjedhja e kryetarit të PS-së së Tiranës do të bëhet pas Kongresit të 5 nëntorit. Burime pranë Partisë Socialiste pohuan dje se ky proces do të marrë më shumë kohë për shkak të problematikave që ka Tirana. Pas dorëheqjes së kryetarit të PS-së së Bashkisë Tiranë, Besnik Bare, si reflektim për humbjen e Bashkisë, u komandua nga kryesocialisti Rama Sajmir Tahiri, i cili nisi që prej asaj kohe riorganizimin e të gjitha strukturave të kësaj partie. Ende nuk dihet nëse Tahiri do të ketë ndonjë rival në garën e tij për kreun e PS së Tiranës. Si partia më e madhe në vend, e cila përbëhet nga 11 njësi vendore, po aq asamble, kryetari i PS-së për Bashkinë e Tiranës duhet të sheshojë dhe të mbajë në ekuilibër të plotë të gjitha sensibilitetet në kryeqytetin e vendit. Dhe në zgjedhjet për delegatët e Kongresit nuk ishin të pakta rezervat e shprehura nga anëtarësia socialiste për procedurat që ndoqën deputetët e angazhuar në çdo minibashki për përzgjedhjen e delegatëve të Kongresit.


Malaj: Të mblidhet Kryesia e PS

Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, tha dje se Kryesia e PS duhet të mblidhet sipas statutit për të përzgjedhur kandidatët për kryetar të PS në komuna apo bashki. Unë nuk do të marr pjesë si deputet, pasi kam kërkuar gjithmonë të funksionojë PS sipas rregullave të veta organizative, sesa të bëhen përzgjedhje delegatësh, kryetarë qarku, kryetarë partie apo komunash e bashkie mbi parime që dalin jashtë funksionit normal të PS, duke pyetur thjesht deputetët. Në këtë aspekt, ky lloj organizimi i PS duke e kaluar pushtetin jo tek anëtarësia por tek deputetët apo tek kryetarët e komunave dhe bashkive, si sjell kosto PS-së, u shpreh Malaj. Sipas tij, edhe humbja e qarkut të Vlorës nga PS është rrjedhojë e këtij mentaliteti dhe veprimi. Dështimi i qarkut të Vlorës është një rast konkret pse duhet të mos vazhdohet më në këtë mënyrë. Kjo mënyrë organizimi kur për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe komunave nuk pyeten strukturat por deputetët dhe tani për të zgjedhur kryetarët e PS nuk pyeten sërish strukturat por deputetët, është mënyra që prish kohezionin mes socialistëve duke rrezikuar zgjedhjet e ardhshme.  Në këtë lloj parimi organizimi që bën kryetari Rama më shumë menaxhohet frika e humbjes, sesa rritet optimizmi i fitores, u shpreh Malaj.


ARISTIR LUMEZI