Mazhoranca ka rrëzuar sot kandidatin e dytë të propozuar nga Presidenti Ilir Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke votuar me 77 vota kundër dekretin e Metës dhe duke hedhur poshtë emrin e Bahri Shaqirit.


Më herët, edhe Komisioni i Financave kishte rrëzuar pikëerisht emrin e ish-kreut të SHISH-it, me argumentimin se nuk kishte përvojë në fushën e financave.


Ndërkohë, në një seancë të mëparshme, shumica rrëzoi dhe kandidaturën e Vitore Tushës, e cila u propozua e para nga Presidenti Meta për të drejtuar KLSH-në.


Në sallën e Kuvendit nuk ishin deputetët e opozitës, këta të fundit u larguan pasi u miratua Komisioni hetimor që verifikon veprimtarinë e DSIK-së për rastin e dhënies së certifikatës së sigurisë për zv.ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj.


Ditën e sotme, Kuvendi u përfshi në debate dhe tension të lartë, ku spikati kryeministri Rama dhe ish-kryeministri Berisha, me akuza që kaluan deri në aspektin familjar dhe personal.


Gazeta Shqip