23 korrik 2016

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck, shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të pafajshme dhe solidaritetin për popullin gjerman, duke dënuar njëkohësisht me forcë aktet ekstreme dhe kriminale terroriste në Mynih.

"I nderuar Zoti President,

Aktet e djeshme ekstremiste dhe kriminale terroriste në Mynih, ku humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm dhe shumë të tjerë u lënduan, mes të cilëve edhe disa me kombësi shqiptare, më tronditën shumë. Me trishtim të thellë u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe të afërmve të viktimave. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë!

I dënoj me forcën më të madhe këto akte të nxitura nga organizata terroriste e që përmes radikalizimit të të rinjve apo njerëzve në dëshpërim, kërkojnë të terrorizojnë qytetarët tanë e të ndjellin frikë e panik në jetën e tyre të përditshme.

Në këto momente tronditjeje dhe dhimbjeje për Gjermaninë, unë dhe populli shqiptar jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve, me Ju dhe me popullin gjerman." - shkruhet në mesazhin e Presidentit Nishani.