karaburunBiznesmeni vlonjat  Pëllumb Petriti i cili mban dhe postin e kryetarit të PR-së në Vlorë është shpallur në kërkim për dosjen e 220 ha tokë në Gadishullin e Karaburunit me vlerë 100 milionë euro që janë sekuestruar nga Prokuroria e Vlorës.


Policia e Vlorës bëri të ditur shpalljen në kërkim të biznesmenit duke dhënë inicialet P.P  si dhe arrestimin e një avokati dhe një notereje për veprat penale Shpërdorim detyre dhe Falsifikim dokumentash.


Të arrestuarit janë Enkes Hysendhima, 35 vjeç, banues në Orikum, me profesion Avokat dhe Belona Seraj, 29 vjeç, banuese në Vlorë, me profesion Notere.


Në bazë të këtij hetimi të përbashkët, duke filluar me sekuestrimin të kësaj sipërfaqe të gjërë toke, janë ushtruar kontrolle nëpër banesat dhe zyrat e këtyre shtetasve dhe janë gjetur gjurmë dhe prova të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale Shpërdorim detyre dhe Falsifikim dokumentash informon prokuroria.


Procedimi penal mban  nr. 266/2016, dhe hetimet kanë vijuar prej 3 muajsh  nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.