Në homazh dhe nderim kushtuar poetit Fatos Arapi, i cili u nda nga jeta në moshën 88- vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli më datë 11 tetor ekspozitën Homazh Fatos Arapit (1930-2018). Krijimtaria e botuar e Fatos Arapit zë fill në vitin 1962 me botimin e vëllimit të parë poetik Shtigje poetike, për të vijuar më pas me një sërë vëllimesh poetike, tregime e novela dhe romane. E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, krijimtaria e tij rreth 50-vjeçare përfshin : Poema dhe vjersha (1966); Ritme të hekurta : vjersha dhe poema (1968); Patat e egra : novelë (1970); Dhjetori i shqetësuar : roman (1970); Kaltërsira (1971); Dikush më buzëqeshte : novelë (1972); Drejt qindra shekujsh shkojmë : poema e vjersha (1977); Poezi (1974);


Shokët : roman (1977); Fatet (1979); Deti në mes : roman (1986); Këngë të moçme shqiptare : studime (1986), ribotuar edhe në vitin 2007; Fjalë për poezinë : studime dhe artikuj (1987) apo Duke dalë prej ëndrrës… : poezi (1989). Për të vijuar më pas me Dafina nën shi (1991); Ku shkoni ju statuja… : poezi (1990); Ne, pikëllimi i dritave : poezi (1993); Unë vdiqa në brigjet e Jonit (1993); Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike (1996); Ancient Albanian songs : studies(1996); In-tenebris… : poezi (1996);


Më vjen keq për Jagon : poezi (1994); Gloria victis : poezi (1997); Kujtohem që jam (1997); Më duhet një gjysmë ëndrre : poezi (1999); Kush ishte Vllas Arapi (2000); Cipa e dëborës : novela ( 2000); Gjeniu me kokë të prerë (2000); Vëllezër hamletë : poezi (2001); Antologji personale (2001); Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike (2001); Nuk shitet shpirti në tetor : novela (2002); Eklipsi i ëndrës (2002); Ah, sikur të isha një përrallë : poezi (2003); Në Tiranë kur s’ke ç’të bësh… : tregime (2003); Shëtitje pa veten : poezi (2005);


Horrat e ndershëm : tregime (2007). Në vitin 2014 është botuar pothuajse e gjithë krijimtaria e tij ndër vite në një përmbledhje poetike në katër vëllime : Më jepni një emër : poezi të zgjedhura 1962-1989; Në kaq pak Tiranë : poezi të zgjedhura 1990-1996; Urna e vogël : poezi të zgjedhura 1997-2003 dhe Një buzëqeshje e pabesueshme : poezi të zgjedhura 2005-2010.


Fatos Arapi është marrë edhe me përkthimin, duke sjellë në gjuhën shqipe Vuajtjet e Verterit të ri të J. W. Gëte botuar në Prishtinë, poezinë e Pablo Nerudës, Justo Jorges Padron, nga letërsia maqedonase Ante Popovskin, Mateja Matevski, si dhe Antologji e poezisë turke e shekullit XX. Fatos Arapi lindi në Vlorë në vitin 1930. Kreu studimet e larta për ekonomi në Universitetin e Sofjes (19491954). Ka punuar si gazetar, pedagog, redaktor dhe shkrimtar në krijimtari të lirë. Ai nisi të shkruajë që në vitet e studimeve. Arapi i përket brezit të poetëve që në vitet 60 sollën një mendim e figuracion të ri, duke e emancipuar poezinë shqipe nga rutina poetike dhe notat retorike.


11 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)