Një grup studentësh shqiptarë që studiojnë jashtë vendit promovojnë krijimin e Qendrës Informative Studentore Shqiptare. Kjo qendër e cila është një OJQ ka për qëllim informimin e studentëve shqiptarë mbi gjithçka që ka lidhje me karrierën, zgjedhjen e universitetit, punësimet, bursat dhe punimet shkencore. Që nga data 1 tetor, Qendra Studentore Informative Shqiptare ka filluar të botojë online revistën “Studenti”, e cila del dy herë në javë, ndërkohë që qendra ka ndërtuar edhe faqen e saj të internetit, e cila është www.ztudenti.com

Qëllimi kryesor i Qendrës Informative Studentore Shqiptare është informimi i mirëfilltë i studentëve shqiptarë kudo që ndodhen për çdo gjë që ka të bëjë me botën akademike dhe njëkohësisht është në interesin e tyre më të mirë. Orientimi në zgjedhjen e universiteteve që janë në interesin e tyre më të mirë, bazuar kjo në të dhënat e agjencive apo organizatave serioze që përpunojnë këto të dhëna. Qëllim tjetër kryesor i kësaj qendre është dhënia e konsulencës për shumë të rinj, përsa i përket profesionit të tyre të ardhshëm dhe mundësive të punësimit me anë të individëve ose burimeve të tjera të besueshme. Gjithashtu synohet krijimi dhe forcimi i bashkëpunimit me universitetet shqiptare dhe ato të huaja. Një rol të rëndësishëm do ti kushtohet bashkëpunimit me organizatat e tjera të kësaj natyre, qofshin këto vendase apo të huaja. Qendra Informative Studentore Shqiptare synon të nxisë zhvillimin arsimor të çdo shqiptari, si dhe të stimulojë idetë për ti përdorur njohuritë e përfituara në të mirë të kombit të tyre. Drejtuesit e Qendrës Informative Studentore Shqiptare shprehen të vendosur që të ndajnë eksperiencën e tyre dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen për t’u ardhur në ndihmë në mënyrën më të mirë të mundshme të gjithë studentëve shqiptarë, të cilët “vuajnë” mungesën e informacionit për të arritur qëllimet e tyre në jetë.







11 Tetor 2008