Gjykata e Tiranës caktoi të enjten masën e sigurisë për ish-pronarin e Universitetit Kristal, Ahmet Muçaj, i cili u kap teksa po jepte një diplomë të falsifikuar një shtetaseje në këmbim të 2500 eurove, afro katër vjet pas mbylljes së Universitetit Kristal.



Kjo masë është argumentuar me moshën e të arrestuarit, i cili është 70 vjeç. Përveçse akuzave të korrupsionit në sektorin privat dhe falsifikim të dokumenteve, hetimi pritet të shtrihet jo vetëm në kohë, por edhe ndaj personave të tjerë. Kjo pasi, Ministria e Arsimit deklaroi një ditë më parë se nga verifikimet paraprake të regjistrave të Universitetit Kristal, dyshohet se janë dhënë 86 diploma të falsifikuara.


Ndërkohë këtë konstatim, ministria ende nuk ja ka referuar Prokurorisë. Asnjë padi nuk është paraqitur në Prokurori për këto diploma që rezultojnë false, as nga vetë të dëmtuarit, të cilët prej vitit 2014 e deri më sot i kanë kërkuar Ministrisë se Arsimit që të verifikojnë ligjshmërinë e dokumenteve që kanë marrë nga universiteti Kristal.


Burime pranë Prokurorisë konfirmojnë se në dosjen e universitetit Kristal është vetëm një rast. Për këtë arsye, Prokuroria i kërkon të gjithë të mashtruarve që të paraqesin paditë edhe për rastet e tjera kur kanë marrë diploma false.


Ndërkohë që zyrtarisht një informim për Prokurorinë, me 86 emrat e personave që u verifikuan se kishin diploma false, duhet ta kishte bërë vetë Ministria e Arsimit.


8 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)