Ne kemi hyrë në një vit të ri kalendarik, por Kristiano Ronaldo ka marrë një të dhënë tjetër që dëshmon se viti 2016 ka qenë më i mirë se i çdo futbollisti tjetër. Pasi fitoi Champions League dhe Euro 2016 në fushën e lojës, portugezi u kurorëzua edhe si futbollisti më i mirë në botë nga France Football dhe FIFA. Së fundmi ka dalë një studim në bazë të së cilit CR7 rezulton të jetë sportisti që ka fituar më shumë parà gjatë vitit 2016.


Sulmuesi i Real Madrid, në bazë të një studimi të bërë nga revista Forbes, ka fituar 81.7 milionë euro gjatë vitit 2016, rreth 10 milionë euro më shumë se një vit më parë. Ronaldo ka fituar më shumë parà se rivali historik Lionel Mesi, i cili renditet i dyti mes sportistëve që kanë fituar më shumë me 75.2 milionë euro. Podiumi kompletohet nga kampioni i NBA, LeBron James, i cili përfitoi 71.6 milionë euro.


Mes pesë sportistëve që kanë fituar më shumë parà në vitin 2016 gjenden edhe Roger Federer (62.9 milionë euro) dhe Kevin Durant i Golden State Warriors (52.2 milionë euro). Edhe pse janë dy sportistët më të paguar të planetit, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi janë të vetmit dy futbollistë mes 20 pasanikëve të sportit. Vetëm në vendin e 21-të është Neymar që ka përfituar 34.8 milionë euro, aq sa Rafael Nadal. Ibrahimovic është i 23-i, ndërsa Bale dy vende më poshtë.


4 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)