Akademiku, Kristo Frasheri


TIRANE- Historiani i njohur Kristo Frashëri është vlerësuar sot nga Këshilli Bashkiak, në unanimitet me titullin Qytetar Nderi, me motivacionin; Për kontributin e çmuar në evidentimin e vlerave historike të qytetit të Tiranës



Propozimi për dhënien e këtij titulli për akademikun Kristo Frashëri ishte bërë nga grupi I Këshilltarëve të PS-së.


Akademik Kristo Frashëri ka luajtur një rol të rëndësishëm, në evidentimin e vlerave historike kulturore dhe qytetare të Tiranës. Ai ka realizuar një sërë studimesh dhe ka botuar shkrime dhe libra për historinë e kryeqytetit shqiptar. Më 11 shkurt, në një intervistë të posaçme, dhënë për konferencën shkencore të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në kuadër të 92-vjetorit të deklarimit të Tiranës si kryeqytet i vendit, Kristo Frashëri deklaroi se e ndiente veten krenar, që ishte qytetar i Tiranës dhe me këtë dashuri dhe krenari për Tiranën ka punuar për evidentimin e historisë së saj.


Profesor Kristo Frashëri është një nga historianët e njohur shqiptarë, me një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë gati 70-vjeçare. Lindur më 17 dhjetor 1920 në Stamboll, Kristo Frashëri ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Kristo Frashëri është autor i punimeve të shumta  shkencore si: Lidhja e Prizrenit 1878-1881; Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Jeta dhe vepra; Historia e Tiranës; Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV;  Identiteti kombëtar i shqiptarëve; Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912;  Historia e qytetërimit shqiptar etj.