Kujtim BEVAPI

Kohët e fundit lexuesi ynë ka marrë në duar një botim të ri të rilindësit të njohur Kostandin Kristoforidhi, përkthimin “Bibla, (Në gegërisht) Kriesa. Të dalëtë, 1872”, botuar nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë.
Libri është përgatitur për shtyp dhe është paraqitur nga shkencëtari i njohur Xhevat Lloshi, jeta dhe vepra e të cilit është e lidhur pazgjidhshmërisht me atë të Kristoforidhit, aq sa, mund të themi, se tanimë ata janë shndërruar në sinonime të njëri-tjetrit. Lloshi, për Kristoforidhin, po realizon një projekt madhor të veprës së këtij (Kristoforidhit) në 10 vëllime me shkrime e përkthime. Libri, tek i cili ne po ndalemi i takon vëllimit të 4-t dhe janë dy përkthime të pabotuara të K. Kristoforidhit (“Krijesa”, “Të dalëtë”).
Jeta dhe vepra e Kristoforidhit tanimë është bërë e njohur, ku tok me patriotë të tjerë, por shpesh dhe i vetëm e vuri atë në shërbim të Shqipërisë e shqiptarëve. Programi i punës së tij është përmbledhur në fjalët e njohura se “Shqipëria nuk mësohet dot, as nuk ndritohet dot, as nuk qytetërohet dot me gjuhë të huaj, përveç me gjuhën e mëmës që është shqipja”.
Kjo nënkupton në radhë të parë, më shumë se çdo gjë tjetër shkrimin e gjuhës shqipe.
Po si do ta realizonte Kristoforidhi këtë ndërmarrje madhore, por tepër të vështirë? Nuk ishte përkthyer dhe botuar asnjë libër i plotë nga Dhiata e Vjetër, deri në mesin e shek. XIX.
Teksti i kuptueshëm e më i lashtë në gjuhën shqipe është Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit, arqipeshkv i Durrësit, këshilltar e mik i Skënderbeut. Ajo mban datën 1462: “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”. Ky tekst ishte një përkthim në shqip që nevojitej për kthimin në fenë katolike të atyre që nuk flisnin latinisht, një formulë brenda një teksti latinisht.
Gjon Buzuku, më 1555 përgatiti dhe shtypi të parin libër shqip, të njohur deri më sot si “Meshari”, vepër e cila synonte që shërbesat të bëheshin shqip në kishë.
Historia e popullit shqiptar ka kaluar nëpër disa orbita me të vërtetë dramatike. Sundimi shekullor osman, i shtrirë në tërë Ballkanin, në mënyrë tragjike e të dhunshme ndaloi shkrimin e gjuhës shqipe.
Vështirë se mund të ketë rast të dytë në historinë e arsimit që gjuha amtare të ndalohej dhe ajo filloi të mësohej në fshehtësi. Nxënës e mësues kur kapeshin, masakroheshin pa mëshirë e syrgjynoseshin në Anadoll.
Çfarë po i ndodhte gjuhës shqipe me një asfiksim e gjymtim të tillë? A do t’i bënte dot ballë ajo rrebesheve e furtunave të një terri të gjatë shekullor, apo do të tretej ngadalë në brymë të kohës?
Cila do të ishte zgjidhja që do të jepte Kristoforidhi, para të cilit shtroheshin disa alternativa. Pararendësit e tij kishin shkruar në gjuhë të huaj latinisht apo greqisht etj. Dhe shërbesat fetare i bënin në këto gjuhë, që për shqiptarët e thjeshtë, për popullin qenë të pakuptueshme. Për të mos u ndalur tek mallkimet që i bënin gjuhës shqipe patrikana e priftërinjtë ortodoksë grekë.
Një tjetër zgjidhje e vajtueshme ishte përdorimi i gjuhëve të tjera evropiane për t’u shprehur dhe një pjesë e veprimtarëve shqiptarë u “strehuan” në këto gjuhë, brenda kostumit të tyre, në të cilat ndehej dhimbja shqiptare.
Një tjetër sajesë, paradoks i kohës, i nxitur nga pushtuesi, qe shkrimi i shqipes me alfabetin turko-arab, e cila ishte gjuhë e pushtuesit. Prej kësaj zgjedhjeje, në një periudhë të mëvonshme, jo shumë larg, nuk do të frymonin më si gjuhë as latinishtja dhe as osmanishtja.
Kristoforidhi ndoqi një tjetër rrugë. Kontakti me Shoqërinë Biblike të Londrës (BFBS) do të ndryshonte rrjedhën e jetës dhe të veprës së këtij veprimtari të shquar. Që më 1857 u caktua që përkthimin e Dhiatës së Vjetër do ta bënte K. Kristoforidhi, për të cilin në atë periudhë të huajt flisnin duke përdorur epitetet “kompetent për shqipen”, “tepër i aftë” etj. Por, për një periudhë të gjatë kohore në krye të degës së Stambollit të BFBS do të vinte Aleksandër Tomsoni, për t’i dhënë një shtytje të re veprimtarisë së Shoqërisë. Ky fakt dhe kontaktet që Kristoforidhi krijoi me Tomsonin ndikuan thellë në jetën e Kristoforidhit. Ishte koha kur do të fillonte aksioni që Fjala e Zotit të meshohej në gjuhën shqipe. Skocezi e ndiente që duhej bërë diçka për Shqipërinë, duke dhënë në vijimësi një kontribut madhor për botimet shqip. Për herë të parë në gjuhën shqipe në gegërisht, më 1866, u botua përkthimi i K. Kristoforidhit “Katër Ungjijtë dhe Punët e Apostujve”.
Beteja e tij sapo kish filluar për shkrimin e shqipes, për të përkthyer Fjalën e Zotit në gjuhën e mëmës. Por përkthimet që po realizonte Kristoforidhi duhej medoemos të përhapeshin e shpërndaheshin në popull, që të përgatitej lexuesi, i cili të ishte në gjendje t’i lexonte. Për këtë kërkesë si atdhetar e gjuhëtar, ai mendoi se duhej filluar nga përgatitja e abetareve të shqipes. Dhe më 1867 ai boton abetaret në variantin gegërisht e toskërisht. Interesante është se dhe në këtë tekst ai ka përfshirë 4 copa apo pjesë leximi për nxënësit me përmbajtje nga Dhiata e Vjetër. Meriton vëmendje të shihet se Kristoforidhi këtu si gjuhëtar ka përdorur gjatë përkthimit variante të ndryshme me synim arritjen e një përsosmërie e saktësie në përkthim.
Më 1870 është botuar “Historia e shenjtësë shkronjë” për djemtë, një përmbledhje e thjeshtuar dhe pjesë nga Dhiata e Vjetër, e cila merr rëndësi për informacionin në gjuhën shqipe për Biblën si tekst, autorësinë, historikun e librave të Biblës dhe veprimtarinë e Shoqërisë Biblike. Nga duart e tij dolën disa përkthime dhe ai vetë, me trastën e librave në krahë, merrej me shitjen e përkthimeve dhe të abetareve të veta.
Botimet e Shoqërisë Biblike, të përkthyera nga Kristoforidhi, shërbyen si mjet i rëndësishëm për përhapjen e shkrimit të shqipes. Mbas botimit të tyre, Kristoforidhi vjen në Shqipëri të mbjellë “filizat” në tokën e vet. Populli e kuptonte dhe e ndiente se përmes Biblës ata po lexonin fjalën shqipe, por dhe fjalën e Zotit në gjuhën e mëmës. Prandaj dhe entuziazmi i bashkëqytetarëve të tij elbasanas qe i madh. Me të drejtë është theksuar se “kthimi i tij në Elbasan, në qytetin e lindjes, qe më tepër një procesion triumfal, sesa kthimi i një letrari paqësor në shtëpinë e vet të përvuajtur”.
Më shumë se një çerek shekulli veprimtarie të dendur me shpërngulje të shpeshta e shtegtime të gjata, ajo dha frytet e saj, jo vetëm me përkthimet e shenjta, por dhe me botime si abetaret, gramatikën, fjalorin dhe tekstet e gjuhës shqipe: gjithçka nevojitet për një gjuhë.
Ai vuri vetes si detyrë që ta ngrinte shqipen krahas gjuhëve të tjera të përpunuara dhe përmes saj t’i ngrinte shqiptarët krahas popujve të tjerë të qytetëruar. Kjo ishte një barrë e rëndë mbi shpatullat e një njeriu të vetëm, në ato kushte e rrethana të vështira për kohën, të cilën ai e realizoi me sukses, duke i siguruar vetes një vend nderi në lëvizjen e madhe shqiptare, që mban emrin historik Rilindja Kombëtare.
Shkurt, botimi i lartpërmendur i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë është botim i denjë për vlerën që mbart dhe i paraqitur me dinjitet. S’ka dyshim se në këtë punë të vështirë e të mundimshme, të paraqitjes e të transkriptimit të tekstit, pajisjes së tij me një hyrje, fjalorth e shënime të tjera, që edhe kjo është një vepër më vete, merita i përket edhe gjuhëtarit e kulturologut të njohur Xhevat Lloshi.
Në harkun kohor kur jetoi e veproi Kristoforidhi vlera e punimeve të tij shërben si një dokument historik i udhës së përkthimeve shqip, duke shërbyer në të njëjtën kohë si dëshmi historike për gjuhën shqipe, por dhe një dëshmi e përpjekjeve të Shoqërisë Biblike të Londrës për kontributin e dhënë në këtë rrafsh.
Universiteti “A.Xhuvani”