Ministri i Transporteve ka nxjerrë udhëzimin për kushtet e pajisjes me certifikatë. Trajnimi, provimi dhe të gjitha tarifat që duhet të paguajë një individ i interesuar


Operatorët e transportit rrugor për mallra dhe udhëtarë duhet të jenë të pajisur me certifikatën profesionale të ushtrimit të veprimtarisë në këtë fushë. Por edhe individë të tjerë që kanë si synim të punësohen në këto kompani në poste drejtuese duhet të pajisen me këtë certifikatë aftësie. Për këtë qëllim, ministri i Transporteve ka nxjerrë udhëzimin për kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për operatorë të transportit rrugor, trajnimet dhe të gjitha tarifat që duhet të paguajnë.

Trajnimi

Sipas udhëzimit të Ministrisë, personat që dëshirojnë të pajisen me këtë certifikatë duhet të aplikojnë për të bërë trajnimin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Programi i kursit të trajnimit organizohet në dy nivele: niveli i parë u përket njohurive të transportit të brendshëm rrugor, transportit të mallrave dhe udhëtarëve brenda vendit, ndërsa niveli i dytë, që është nivel më i lartë, u përket njohurive të transportit ndërkombëtar. Pas përfundimit të trajnimit, kandidatët i nënshtrohen një provimi të detyrueshëm me shkrim dhe me gojë. Kandidatët duhet të kalojnë katër teste. Për kandidatët që kërkojnë të pajisen me certifikatë për transportin brenda vendit, testi përmban 40 pyetje ndërsa për ata që kërkojnë certifikatë për transportin ndërkombëtar për mallra apo udhëtarë testi përmban 50 pyetje. Kandidati ka të drejtë të futet në provimin me gojë vetëm nëse ka marrë 70% të pikëve në testin me shkrim. Certifikata e kompetencës profesionale për drejtuesit e veprimtarisë së operatorit rrugor lëshohet nga Komisioni i Vlerësimit të Provimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga kryetari dhe dy anëtarë, të cilët janë persona që i cakton ministri sipas listave të lëshuara nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Shoqata e Transportit Rrugor.

Kandidatët

Çdo kandidat duhet të plotësojë formularin e identifikimit para trajnimit. Bashkë me formularin, kandidati duhet të paraqesë kërkesë për llojin e certifikatës për të cilën do të trajnohet, fotokopjen e diplomës, letërnjoftimin, fotografi, si dhe vërtetim banimi. Ndërsa kandidatët që vijnë nga rrethet duhet të plotësojnë dosjen pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në bazë qarku. Kursi i trajnimit si dhe provimi është i detyrueshëm për të gjithë kandidatët për drejtues veprimtarie të ndërmarrjes së transportit rrugor që kanë mbaruar shkollën e mesme. Tarifat e pagesave për kurset e trajnimit sipas niveleve për provimin me shkrim dhe me gojë për lëshimin e certifikatës caktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Transporteve dhe atij të Financave.



Përjashtimi nga trajnimi e provimi



Specialistët e Ministrisë që kanë mbuluar veprimtarinë e politikave për pranimin në veprimtarinë e operatorit të transportit rrugor, hyrjen në treg të ndërmarrjeve të transportit rrugor dhe monitorimin e këtij tregu dhe që kanë të paktën tre vjet në këto detyra përjashtohen nga trajnimi dhe provimi për certifikatën.



Përjashtohen nga trajnimi për pjesën që janë diplomuar të gjithë kandidatët me profesion inxhinier mekanik, ekonomist dhe jurist.



Përjashtohen nga trajnimi kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme, por që sigurojnë dëshmi se gjatë pesë viteve të fundit kanë drejtuar pa ndërprerje veprimtarinë e një ndërmarrjeje të transportit rrugor si dhe ata persona që kërkojnë të rinovojnë certifikatën.





21 Shkurt 2009