Aeroporti i Kukësit, çështje komerciale. Kriza botërore ka shkaktuar pasoja në industrinë e aviacionit.

Sipas ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, vihet në dyshim interesi i kompanive të aviacionit për të operuar përmes aeroportit të Kukësit, për shkak të krizës botërore.



Ky aeroport nuk funksionon për shkak të kontratës koncesionare, që parashikon fluturime ndërkombëtare vetëm në Rinas





Ministri i Transporteve, Olldashi, thotë se funksionimi i tij varet nga interesi i industrisë së aviacionit



Kukës - Aeroporti i Kukësit, tashmë ka kaluar më shumë si një çështje komerciale. Kështu ka deklaruar para dy ditësh në qytetin e Kukësit, në një prononcim për mediat, ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. "Aeroporti i Kukësit është i gatshëm. Ka të miratuara proceduarat e ulje-ngritjeve. Më tej, çështja është çështje tregtare, pra, a do të ketë interes nga kompanitë për të operuar në aeroportin e Kukësit apo jo. Duhet të kemi parasysh se nuk jemi në momentin më të përshtatshëm të mundshëm për industrinë e aviacionit. Për shkak të krizës botërore, industria e aviacionit është në një moment jo fort të mirë", - deklaroi ministri Olldashi. Megjithatë, kreu i dikasterit të Transporteve ka shprehur optimizmin e tij se, një ditë, aeroporti i Kukësit do të mund të vihet në funksionim. "Megjithatë, unë vazhdoj të shpresoj që aeroporti i Kukësit do të paraqesë interes. Ne jemi duke bashkëpunuar edhe me kompaninë që administron aeroportin e Rinasit dhe që me ligj e ka eksluzivitetin e ulje-ngritjeve në territorin shqiptar, për ta hequr këtë pengesë administrative dhe më pas gjithçka do të jetë e hapur",- tha në vijim ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit. Drita jeshile për fillimin e funksionimit të aeroportit të Kukësit, i përfunduar plotësisht në tetor të vitit 2007, pas një granti falas të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, u duk sikur u hap një vit pas përfundimit tij, ku qeveria shqiptare lajmëroi fillimin e negociatave me kompaninë që ka marrë me koncesion aeroportin "Nënë Tereza" në Shqipëri, por edhe ekskluzivitetin e të gjitha fluturimeve civile mbi territorin shqiptar. Qeveria shqiptare njoftoi se do të kërkojë heqjen e ekskluzivitetit që ka kompania amerikano-gjermane mbi fluturimet civile në Shqipëri. Ky fakt u bë i ditur nga Kryeministri Sali Berisha gjatë Konferencës Ekonomike, të zhvilluar tetorin e kaluar në Tiranë, nga revista prestigjioze angleze "The Economist". Sipas Berishës, palët kanë rënë dakord që të marrin një kompani të huaj, që do të vlerësojë dëmet e heqjes së kësaj të drejte, të cilat do të kompensohen nga qeveria shqiptare. Ekspertët kanë vlerësuar se, heqja e ekskluzivitetit të aeroportit "Nëna Tereza", do të mundësojë fillimin e funksionimit të aeroportit të Kukësit, si dhe ndërtimin e tre aeroporteve të tjerë në Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër. Një veprim i tillë i qeverisë shqiptare, ishte paralajmëruar në shtator të 2007-ës, gjatë një takimi të Kryeministrit Sali Berisha me presidentin e kompanisë gjermane "Dorsch Gruppe Holding", zoti Juergen Roeder, ku ky i fundit ka prezantuar projektidenë për ndërtimin e një aeroporti në Sarandë, por është përballur me pengesat ligjore, pasi ekskluzivitetin e fluturimeve e ka për 20 vjet aeroporti "Nënë Tereza" i Rinasit. Ky ngërç ligjor i krijuar në Shqipëri, ka stepur investitorët gjermanë, por Kryeministri Sali Berisha, në takimin që ka zhvilluar me to, u ka premtuar se pengesat ligjore do të tejkalohen. Zoti Berisha informoi investitorët e "Dorsche Gruppe Holding" se po negociohet me kompaninë "Tirana Airport Partners", për të adresuar çështjet juridike të kontratës koncesionare për fluturimet ndërkombëtare, ku do të behej i mundur edhe zhbllokimi i aeroportit të Kukësit. Të njëjtën gjë, Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur edhe në takimin me presidentin e bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, zotit Michael Granoff, dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë "Hochtief", që ka marrë me koncesion aeroportin e Rinasit, për të shqyrtuar mundësinë e modifikimit të termave të kontratës koncesionare. "Kërkojmë që të komisionohet një studio konsulente për të shqyrtuar propozimet që do të çonin në një modifikim të termave dhe kushteve të marrëveshjes koncesionare në mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë "Tirana Airport Partners", me qëllim funksionimin e një biznesi të ndershëm për të gjitha palët," -theksoi Kryeministri Sali Berisha. Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, është aksioner me kompaninë gjermano-amerikane "Hochtief", që ka marrë me koncesion aeroportin e vetëm në Shqipëri, atë të Rinasit. Hochtief ka 47 për qind të aksioneve.





Aeroporti, gati për punë

Aeroporti i Kukësit është i gatshëm për fluturime, që nga 20 nëntori i vitit 2007. Në këtë datë ka përfunduar testimi "Flight Checking" (Kontrollimi i fluturimit) i këtij aeroporti. Një avion grek i specializuar, së bashku me katër specialistë të fushës së testimeve të aeroporteve, kanë realizuar testimin e sistemit të navigimit, i quajtur ndryshe "Flight Checking". Pas kryerjes së këtij testi, aeroporti i Kukësit është i gatshëm për kryerjen e fluturimeve me avionë të të gjitha llojeve që qarkullojnë kryesisht në Europë. Por, me gjithë përfundimin e këtij testimi përfundimtar, ky aeroport nuk është vënë në funksionim nga shteti shqiptar. Pas përfundimit të testimit të sistemit të navigimit, në Kukës u ngjallën shpresat se aeroporti i Kukësit do të fillojë të funksionojë edhe për faktin se këtë aeroport e ka vizituar drejtoresha e marketingut e kompanisë "Tirana Airport Partners", që ka me koncesion aeroportin e Rinasit. Drejtoresha e marketingut e kompanisë gjermano-amerikane, "Hochtief", ka pohuar në një takim me Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, se ekziston mundësia që kjo kompani të marrë në shfrytëzim aeroportin e Kukësit, i cili do të përdoret kryesisht për pasagjerët nga Kosova. Punimet për ndërtimin e aeroportit të Kukësit kanë filluar më 10 maj të vitit 2003 dhe kanë përfunduar në fund të tetorit të vitit 2005. Projekti i këtij aeroporti është financuar falas nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Zbatimi i projektit është realizuar nga firma e njohur kuvajtiane "Al-Kharafi", me përfaqësuesen e saj në Shqipëri, "MAK-Albania". Sipas projektit dhe standardeve ndërkombëtare, aeroporti i Kukësit është i kategorisë C, me gjatësi të pistës 1900 metër dhe gjerësi 70 metër. Aeroporti përbëhet nga terminali i pasagjerëve, kulla e drejtimit, pistë uljeje e ngritjeje, brezi anësor jeshil i pistës, rrugët lidhëse, vendqëndrimi i avionëve, për 6-7 avionë të tipave të ndryshëm, sistemi i ndriçimit, sistemi i ndriçimit të ulje-ngritjeve, rrethimi i aeroportit, me një gjatësi afërsisht 5000 metra, si dhe vendparkimi i mjeteve private. Aeroporti i Kukësit ndodhet në jug të këtij qyteti, në vendin e quajtur Fusha e Meteorit, pranë fshatit Shtiqën, rreth 3 kilometër larg nga Kukësi, në lartësinë 353 metër mbi nivelin e detit. Aktualisht, që nga qershori i vitit të kaluar, aeroporti i Kukësit është në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Shqipërisë. Ndërkohë, me vendim të Këshillit të Ministrave, ky aeroport është marrë nën administrimin e shtetit shqiptar.