Kriza e kreditit vazhdon që të jetë prezente në vend, ndërsa bankat kanë vazhduar që të rrisin marzhin e përdorur për kreditë me risk të lartë që vazhdojnë të rriten







Kriza e kreditit vazhdon që të jetë prezente në vend, duke pasur një impak në rritje për biznesin, i cili vazhdon që të vuajë një sërë vështirësish, të cilat lidhen me mungesën e financimit, të shoqëruar me kostot në rritje që po kthehen në barrë për sipërmarrjen



Kriza e kreditit vazhdon që të jetë prezente në vend, ndërsa bankat kanë vazhduar që të rrisin marzhin e përdorur për kreditë me risk të lartë që vazhdojnë të rriten. Raporti vjen nga ana e Bankës së Shqipërisë për tremujorin e katërt të vitit 2009, duke dhënë edhe një përshkrim të fundit mbi politikat që bankat e nivelit të dytë po përdorin për klientët e tyre. Bankat kanë shtrënguar standardet e kreditimit gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 nëpërmjet rritjes së marzhit për kreditë me rrezik më të lartë, balanca e të cilit është rritur në -7.8 për qind, krahasuar me -3.8 për qind në tremujorin e kaluar. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë bën të ditur se bankat e nivelit të dytë kanë lehtësuar disi standardet e kreditimit, duke zbatuar një marzh më të ulët për kreditë në përgjithësi dhe duke ulur pak kërkesën për kolateral në raport me madhësinë e huasë, balancat neto për të dyja shënojnë vlerën 6.7 për qind. Bankat kanë mbajtur të pandryshuara nga tremujori i kaluar komisionet e kredisë dhe kushtet për maturitetin maksimal të kredisë së akorduar. Por situata e përkeqësuar financiare duket se do të ketë një përmirësim këtë tremujor. Për tremujorin e parë të vitit 2010, bankat parashikojnë një lehtësim të vogël të standardeve të kredidhënies për individët, krahasuar me ato të aplikuara në tremujorin e katërt të vitit 2009. Ky lehtësim do të jetë më i madh për kreditë për blerje banese, sesa për kreditë konsumatore (balancat neto janë përkatësisht +13.7 për qind dhe +4.4 për qind). Ndërkohë, ekspertët e bankave presin një rritje të kërkesës për kredi për individët gjatë tremujorit të parë të vitit 2010.


***


Pas një sjelljeje tërësisht të shtrënguar të ndjekur edhe nga një kërkesë në rënie, klima e biznesit në vend është përkeqësuar, ndërsa sektorë si ndërtimi kanë mbetur tërësisht pa financim. Kërkesa e individëve për kredi gjatë tremujorit të katërt 2009, sipas opinioneve të ekspertëve të bankave, vlerësohet në ulje, por në një shkallë më të vogël se në tremujorin e kaluar (balanca neto e bankave që shprehen për rritje të kërkesës është -18.7 për qind, krahasuar me -21.2 për qind në tremujorin e kaluar). Kërkesa e konsumatorëve për kredi për blerje banese është vlerësuar më e ulët se kërkesa e tyre për kredi konsumatore. Në fakt, nevoja e individëve për financimin e konsumit të tyre është faktori që është renditur si më kryesori në nxitjen e kërkesës së individëve, balanca e së cilit u rrit në 25.0 për qind, krahasuar me 17.0 për qind në tremujorin e kaluar. Nga ana tjetër, faktori i cili është renditur nga bankat si më kryesori në rënien e kërkesës për kredi nga konsumatorët pranë bankave të tyre është përdorimi i burimeve alternative të financimit, si për shembull përdorimi i kursimeve. Balanca neto e tij është -19.0 për qind.





Bankierët: Kushtet për të marrë kredi do të lehtësohen krahasuar me 2009


Situata e vështirë që kaloi ekonomia shqiptare gjatë vitit 2009 pritet që të zbutet për sa i përket kreditimit në pjesën e parë të këtij viti. Ky është të paktën opinioni i bankierëve që jepet nga ana e Bankës së Shqipërisë në raportin e kreditimit që ky institucion ka botuar së fundmi. Sipas këtij raporti, bankierët bëjnë të ditur se për tremujorin e parë të vitit 2010, ekspertët e bankave presin një lehtësim të standardeve të kredisë. Balanca neto e pritjeve është + 15.2 për qind. Lehtësimi i standardeve të kredisë akorduar bizneseve pritet si në kredinë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe në atë akorduar korporatave. E njëjta tendencë pritet të ndiqet si për kredinë për qëllime financimi të kapitalit qarkullues, ashtu edhe për kredinë për investime. Krahas lehtësimit të standardeve, ekspertët e bankave presin një përmirësim të kërkesës për kredi në tremujorin e parë të vitit 2010.


***


Kredia në valutë mbetet edhe më e kërkuara sërish nga ana e bizneseve në vend. Faktorët kryesorë nxitës të kërkesës së bizneseve për kredi në valutë edhe në tremujorin e katërt të vitit vazhdojnë të jenë diferenca në normat e interesit dhe burimi i të ardhurave në valutë. Janë pikërisht këto kosto, që kredia në lekë i ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve që i ka drejtuar sipërmarrjet drejt valutës. Nga ana tjetër, duke marrë kredi në valutë, bizneset kanë marrë përsipër kursin e këmbimit. çmimet e mallrave të blera, të shprehura në valutë të huaj, burimi i të ardhurave në valutë, si dhe diferenca në normat e interesit vazhdojnë të jenë faktorët kryesorë nxitës të kërkesës për kredi në valutë për individët në tremujorin e katërt të vitit 2009. Ndërkohë, ndërgjegjësimi i ulët për zhvillimet ekonomike në të ardhmen, edhe pse vazhdon të ketë një ndikim të rëndësishëm në kërkesën për kredi, në tremujorin e katërt të vitit ka reduktuar ndikimin e tij. Përqindja neto e bankave që presin rritje të ritmit të aktivitetit kreditues në lekë për tremujorin e parë të vitit 2010 është ulur me 15.2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Balanca neto ra në 25.9 për qind, nga 45.1 për qind që ishte në tremujorin e kaluar. Ndërsa ritmi i aktivitetit kreditues në valutë pritet që të njohë rritje të lehtë në tremujorin e parë të vitit 2010, balanca neto u rrit në 0.8 për qind, nga -25.0 për qind në tremujorin e mëparshëm. Për sa u përket normave të interesit të aplikuara mbi kreditë në lekë dhe në valutë që do të akordohen në tremujorin e parë të vitit 2010, ekspertët e bankave shprehen se ato do të pësojnë ulje krahasuar me tremujorin aktual.