Disa banka aktive në kreditimin e blerjes së apartamenteve dhe pronave të tjera të paluajtshme nga shtetas të huaj, kanë "mbyllur dyert" për këtë kategori gjatë ditëve të fundit, bëhet e ditur nga burime të tregut të agjencive të paluajtshme. Bankat, të cilat kanë kredituar deri tani disa qindra klientë të huaj me total portofoli prej 3.6 miliardë lekësh, kanë filluar të shqetësohen për pamundësinë e analizimit të saktë të aftësisë paguese të të huajve në kushtet e ekonomisë botërore në ndryshim të vazhdueshëm. Kompanitë e ndërtimit patën siguruar shitje të konsiderueshme për të huajt gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht për apartamentet e ndërtuara në bregdet, gjë që shërbeu si një kompensim për pakësimin e kërkesës së brendshme. Të huajt, përgjithësisht anglezë e francezë, u interesuan për të blerë prona në Shqipëri, duke shpresuar për një përsëritje të bumit ekonomik të parë në vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi, Kroaci e Bullgari.



"Të huajt ndaluan të blinin apartamente në Shqipëri në tetor, kur të gjithë i pati zënë paniku nga kriza", thotë drejtuesja e një agjencie të specializuar për shitjet te të huajt. "Njerëzit rifilluan të blinin në shkurt, por gjatë ditëve të fundit gjithçka ndaloi, kur bankat që ofronin kredi për të huajt ndërprenë pa dhënë ndonjë shpjegim këtë shërbim", shtoi ajo.



Të huajt blenë apartamente përgjithësisht në bregdet, ku Saranda qe zona më e parapëlqyer për shkak të eksesit të lehtë dhe të lirë me aeroplan nga Korfuzi.



Ekspertët vlerësojnë se blerjet nga të huajt ndihmuan në mosrënien e çmimeve për një periudhë të shkurtër, situatë që pritet të ndryshojë shpejt pas ndalimit të kreditimit nga bankat. Gjithsesi, edhe pa bllokimin e kredive për këtë kategori, tregu i pronave të paluajtshme është në vështirësi të dukshme. Agjencitë e shitblerjeve raportojnë për rënie shitjesh në masën 40 për qind në krahasim me një vit më parë. Pavarësisht nga kjo, çmimet nuk kanë pësuar ndonjë rënie të konsiderueshme, kryesisht për shkak se kompanitë ndërtuese kanë akumuluar fitime të bollshme gjatë viteve të shkuara dhe shpresojnë që të rifillojnë të shesin me çmime të larta, pasi kriza ekonomike të përfundojë. Nga ana tjetër, shpresa se qeveria mund të blejë një sasi apartamentesh për të pastrehët, ka bërë që shumë ndërtues të besojnë se është më mirë të presin. Çmimet e apartamenteve pësuan një ulje në formën e "ofertave promocionale" gjatë muajve shkurt dhe mars, por nuk kanë ndryshuar shumë prej asaj kohe.



Të dhënat nga sistemi bankar flasin gjithashtu për reduktim të konsiderueshëm të kredive për shtëpi që i janë dhënë individëve, ndërsa bankat përpiqen të diversifikojnë portofolin e kredive me synimin që të largohen sa më shumë nga sektori i ndërtimit. Gjatë viteve të shkuara, ndërtimi qe kredimarrësi më i madh i bankave, qoftë nga ana e kompanive të ndërtimit, qoftë nga ana e individëve. Në banka të ndryshme, deri në 45 për qind të kredive lidheshin me ndërtimin. Frika se mos ky sektor përfshihet nga kriza, ka shtyrë bankat t‘i largohen atij.