Një akt politik i fortë është kryer nga opozita dhe është vetëm fillimi, pasi pasojat institucionale ende nuk janë parë dhe janë në proces, ndërsa për ato politike duhet parë se çfarë do të prodhojnë. I ftuari i radhës në emisionin Top Talk të gazetarit Denis Dyrnjaja, për të folur mbi këto zhvillime, ishte këtë të premte Gjergj Bojaxhi.



Edhe pse e renditi veten si pjesë opozitare e qeverisjes aktuale të socialistëve, Bojaxhi e quajti gjithsesi aktin e opozitës si një akt të papërgjegjshëm dhe jo thjesht të paprecedentë.


Në zgjedhjet e 2017-s unë aderova në partinë Sfida dhe u futëm në procesin zgjedhor që kishte afate, rregulla kushtetuese, por Partia Demokratike dhe Partia Socialiste ndryshuan datën e garës, sikurse edhe rregullat, duke thyer praktikisht të gjithë atë që ka të bëjë me standardin normal demokratik të një gare zgjedhore. Ata bënë kompromiset e tyre, e ndanë qeverisjen teknikisht apo politikisht për periudhën zgjedhore që ta administronin procesin vet, e pasi ky akt prodhoi një rezultat politik, një nga këto dy parti thotë që kjo nuk ishte loja e saj, nuk e ndërtoi ajo këtë lojë apo skemë, ajo nuk është pjesë e sistemit politik ku votat i numërojnë anëtarët e partisë përkatëse, apo ku KQZ-ja është e përbërë nga përfaqësues të këtyre partive politike (PS-PD-LSI). Çdo mekanizëm tjetër ligjor dhe institucional është i përbërë nga këto parti, ndërsa tani po hiqen sikur janë një parti jashtë sistemit, nuk është produkt i këtij sistemi, gjë që përbën një absurditet, deklaroi Bojaxhi.


Ai sulmoi gjithashtu edhe Partinë Socialiste që bëri këtë pazar, sipas tij në shkelje të frymës demokratike sesi duhet administruar një vend, ndërkohë që tani hiqet sikur do të mbrojë rendin kushtetues.


Aktin e PD-së, Gjergj Bojaxhi e quan të papërgjegjshëm, sepse flitet për një proces zgjedhor të administruar prej dy partive kryesore, madje sipas tij ishte PD-ja që kishte më shumë kontroll të institucioneve për periudhën zgjedhore sesa partia që është sot në qeverisje.


Atëherë për çfarë po protestojnë? Kundër cilit proces ligjor që ka ndodhur po protestojnë duke dhën dorëheqjen prej mandateve? Unë nuk do ta këshilloja këtë gjë, jam i bindur që ata kanë bërë aktin e parë, atyre që i kishin mandatet, por kanë ende mundësi ta ndërpresin këtë proces, këtë marrëzi, sepse kanë ende njerëz në lista që mandatet që qëndrojnë brenda partisë. Por në këtë moment, kjo përveçse krijon një rrëmujë politike, një krizë artificiale politike, nuk zgjidh asnjë problem konkret për qytetarët shqiptarë, deklaroi Bojaxhi.


Sipas tij, qytetarët shqiptarë nuk duan rotacion politik, por duan ndryshim të modelit qeverisës dhe modelit politik të partive tona.


Asnjë nga këto parti, qoftë ajo në qeveri, qoftë ato kryesoret opozitare nuk e ofrojnë këtë gjë, theksoi ai.


Por përse nuk mund të përdoret ky akt ekstrem si një pikënisje për ndryshimin e sistemit?


Unë mendoj se fare mirë ky mund të përdoret si pikënisje, por këtë gjë nuk mendoj se mund ta bëjnë partitë që administrojnë veten dhe taksat tona në mënyrë identike si partia në pushtet sot, tha Bojaxhi.


Ai shtoi se 28 vitet e tranzicionit kanë qenë tepër të vuajtura, sa për të bërë veprime të tilla me shpresën se mbase apo padashje do të dalë një gjë e mirë nga një marrëzi. Bojaxhi theksoi më tej se opozita duket e pasinqertë kur thotë se nuk kërkon pushtet në tavolinë, por krijimin e një mundësie për zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Po ne e patëm mundësinë, referuar këtu PD-së meqë ishte ajo që bëri marrëveshjen e 2017-s me kryeministrin Rama. Në fakt ishte Basha vet, sepse jam i bindur që brenda PD-së ka pasur edhe zëra alternativë që nuk kanë qenë dakord me të. Në zgjedhjet e 2017-s ne patëm dy partitë kryesore që nënshkruan një marrëveshje, krijuan një qeveri teknike, ku shumicën e posteve e mori Partia Demokratike dhe ja kush është rezultati. Tani po kërkojnë një qeveri teknike pa Ramën kryeministër? Dakord jam që të ikë Rama, çështja është si do e zgjidhim problemin si shoqëri, kur qeveria teknike përsëri do të caktohet dhe kontrollohet nga këto parti politike? Janë këto parti që kanë krijuar sistemin politik në Shqipëri, që e kanë futur vendin në këtë gropë ku ndodhemi aktualisht, jo thjesht për krizën e momentit, por për nivelin e varfërisë, në kuptimin e mungesës së shpresës, apo njerëzit që duan të ikin nga ky vend sepse nuk shohin të ardhme, as për vete dhe as për fëmijët e tyre. Pikërisht këto parti, pa ndryshuar dhe pa reflektuar po duke e administruar partinë si pronë private, duan të na thonë se po kërkojnë të heqin një të keqe të madhe, që është Rama. Rama është një e keqe, por nuk është e keqja e vetme e këtij vendi. Kemi 27 vite që përpiqemi të ecim përpara duke zgjedhur të keqen më të vogël. E keqja më e vogël na ka futur në këtë situatë ku jemi sot, si shoqëri dhe si shtet, shpjegoi Bojaxhi.


Pas dorëzimit të mandateve të opozitës, duket se skenarë të rinj do të lindin dhe në renditje ka edhe parti të tjera që nuk janë pjesë e kësaj opozite, por që kanë qenë në opozitë. Përmendim këtu partinë Libra, apo atë Sfida. A do të futet në Parlament Bojaxhi, nëse i vjen radha?


Çdo podium që ne mund ta përdorim për tu dëgjuar më shumë nga qytetarët shqiptarë, për të denoncuar më shumë korrupsionin, nepotizmin dhe çdo gjë që shkon keq në këtë vend, unë mendoj nuk dua të flas në emër të Sfidës sepse nuk jam kryetar i saj, që një parti si Sfida duhet ta përqafojë këtë mundësi për të denoncuar dhe diskredituar gjithçka shkon keq. Pavarësisht se, nëqoftëse ne pranojmë rregullat e lojës në politikën që kanë ndërtuar këto dy partitë kryesore, nëse merr mandatin i bie që je patericë e qeverisë, nëse nuk e merr mandatin je palë me Lulin dhe Monikën. Në zgjedhjet e vitit 2017, pa u bërë marrëveshja PD-PS, ne si lëvizje politike hymë qartazi në garë pa bërë koalicion me asnjë nga partitë parlamentare, duke thënë se do ti bënin opozitë këtij sistemi parlamentar dhe politik të krijuar në Shqipëri. Në këtë këndvështrim, çdo mundësi që do të na jepej, të paktën mua personalisht, për të goditur të keqen që është ndërtuar, do ta bëja me shumë kënaqësi, deklaroi Bojaxhi.


Por, ai theksoi se PD-ja, LSI-ja dhe të tjerët në opozitë kanë djegur vetëm një pjesë të mandateve të tyre, ka të tjerë që nuk e kanë bërë, ndërkohë që ka ende kohë që kandidatët vijues në listat e tyre të mos e ndjekin këtë hap, por të vazhdojnë të bëjnë opozitë në Parlament. Kjo sepse, kur dalja e ashtuquajtur jashtë sistemit, sipas Bojaxhi, bëhet i njëjti lloj grupimi politik dhe morali politik, e vetmja gjë që shkakton është kriza dhe potencial për pazare të ardhshme.


Dalja nga sistemi, nëse do të bëhej nga parti apo lëvizje që nuk e kanë ndërtuar këtë sistem do të sillte potencial për të bërë diçka ndryshe, theksoi ai.


Flitet gjithmonë për marrëveshje apo pazare midis dy të mëdhenjve të politikës shqiptare, në fakt ekziston edhe faktori ndërkombëtar. A e sheh Bojaxhi të kompromentuar këtë faktor të tretë?


Kam përshtypjen që ndërkombëtarët përpiqen herë pas herë të vijnë e të bëjnë ndërmjetësin kur shohin grindje dhe mosakord mes palëve, megjithëse nuk do të isha i sigurtë të thoja që është diçka e mirë kur këto dy partitë e mëdha bien dakord. Kur bien dakord ato, ka një problem se monopolistët kanë bërë një pazar dhe qytetarët do ta paguajnë më shtrenjtë. Sa u takon ndërkombëtarëve mendoj se ka nevojë të rishprehen, pasi deklaratat e deritanishme kishin të bënin me situatën para se PD-LSI dhe opozitarët e tjerë të digjnin mandatet. ta u shprehën kundër këtij procesi, ndërsa tani është momenti i së vërtetës: A do të vazhdojnë ndërkombëtarët të pranojnë të njëjtin pazar si në vitin 2017, që i shtyn palët drejt kompromisit në kurriz të demokracisë shqiptare dhe alternativave të tjera? Apo komuniteti ndërkombëtar do të pranojë që bëri gabim në vitin 2017, duke ndërmjetësuar një kompromis, tashmë do të qëndrojnë me gërmën e ligjit dhe të Kushtetutës dhe nuk do të pranojnë asnjë lloj kompromisi jashtë sistemit politik?, u shpreh Gjergj Bojaxhi.