Reagimi i ndërkombëtarëve intensifikon negociatat informale mes partive politike. Propozimet e presidentit, pa çështjen e hapjes apo moshapjes së kutive




Kreshnik KUçAJ


Presioni i faktorit ndërkombëtar për një zgjidhje të shpejtë të krizës politike në vend ka intensifikuar negociatat informale mes selive të partive politike dhe Presidencës, ku synimi është pikërisht hartimi i dokumentit për zgjidhjen e krizës politike. Burime pranë negociatorëve bëjnë të ditur për “Korrierin”, se ekspertët partiakë të Partisë Demokratike dhe ata të Partisë Socialiste po zhvillojnë negociata informale për pikat që do të përfshihen në dokumentin, që në fund do të mbajë firmën e kreut demokrat, Sali Berisha, dhe të kreut socialist, Edi Rama. Në dijeni të këtyre negociatave duket se është edhe institucioni i presidentit, i cili në cilësinë e institucionit organizator të tryezës, njihet me ecurinë e qëndrimeve të palëve. Deri ditën e djeshme, burimet nuk konfirmuan arritjen e një konsensusi përsa i përket çështjes kryesore, hapjes apo moshapjes së kutive të votimit. Në këto negociata, duket se kreu i shtetit po tregohet shumë i kujdesshëm ndaj të dyja palëve politike, duke treguar një rol të balancuar, me qëllim arritjen e një pike të përbashkët. Të njëjtin qëndrim pritet që kreu i shtetit të mbajë edhe në vijimësi të negociatave, ku pritet që ai të bëjë edhe propozime konkrete përsa u përket problematikave që kanë palët politike në vend, por “pa prekur” pjesën nëse kutitë e votimit duhet të hapen ose jo. Për këtë çështje, pritet që të jenë partitë politike ato që do të japin përcaktimin përfundimtar përmes vullnetit politik. Nuk saktësohet akoma nëse propozimet e kreut të shtetit do të bëhen në një dokument të veçantë që mund të hidhet në tryezën e negociatave apo do t’u jepen partive politike veçmas, për arsye që ato të aplikohen në mënyrë të përbashkët nga ekspertët partiakë.


Tryeza


Data e ardhshme e tryezës apo e takimeve të veçanta në Presidencë mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut socialist, Edi Rama, nuk është përcaktuar ende, edhe pse datat 20-21 shkurt shihen si opsione të mundshme. Deri ditën e djeshme, burimet saktësuan se nuk ka ende një datë të përcaktuar për diskutimet e ardhshme. Ndërkohë, vetë presidenti Topi mbërrin nesër pasdite në Tiranë, pas vizitës që zhvilloi në Kroaci, duke konfirmuar kështu praninë në Tiranë të të gjitha palëve, pra edhe të kryeministrit Sali Berisha dhe të kreut socialist, Edi Rama. Ndërkohë, të dielën në Tiranë do të mbërrijë delegacioni i kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut çavusoglu, me qëllim implementimin e plotë të rezolutës për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Ndërkohë, takimi i parë Berisha-Rama në Presidencë u zhvilluan paraditen e 13 shkurtit. Në këtë takim u ra dakord parimisht për nisjen e bisedimeve për zgjidhjen e krizës. Kryeministri Sali Berisha tha pas këtij takimi, se është rënë dakord që presidenti Bamir Topi “të eksplorojë” për të gjetur pikat e përbashkëta, duke lënë të kuptohet se kreu i shtetit mund të hartonte një propozim konkret për palët. Ndërkohë, në takimet e veçanta që zhvilloi pak ditë pas tryezës me kryeministrin Sali Berisha dhe me kreun socialist, Edi Rama, kreu i shtetit shoqërohej nga këshilltarët e tij, Spiro Peçi dhe Arben Cici, duke lënë të kuptohet se tashmë kreu i shtetit po shikon mundësitë teknike për përafrimin e palëve.