Të shkruash tani për zgjidhjen e krizës politike, në pamje të parë do të dukej një punë e bezdisëshme për publikun e gjerë, i cili deri tani, pra qysh prej një viti tek nisi ndjeshëm kjo krizë, mund të ketë dëgjuar dhe parë shumë e shumë deklarata dhe manifestime për nevojën e transparencës së zgjedhjeve të fundit paralamentare më 28 Qershor 2009. Megjithatë, gjatë këtyre ditëve kjo temë mbetet përsëri mjaft e rëndësishme në disa plane dhe nga ca qëndrime të reja.
Realiteti që përjetojmë ka të bëjë sidomos me pragun e fillimit të sesionit të dytë kuvendor të këtij viti, që pa tjetër do t'i kushtohet debateve të reja rreth kësaj teme, apo nisjes së veprimtarisë së komisionit hetimor parlamentar mbi transparencën e këtyre zgjedhjeve; me pritjen e dekretimit nga Presidenti i Republikës të datës për mbajtjen pas 9 muajsh të zgjedhjeve lokale, me parashikime hë për hë të një pjesëmarrje mjaft të diskutueshme; me ballafaqimin konkret të forcave politike të vendit për zgjidhjen efektive të krizës nëpërmjet Rezolutës së Parlamentit Europian, nga zbatimi i së cilës eurodeputetët në një të ardhme shumë të afërt pritet të marrin vendime politike për heqjen ose jo të vizave në 'Zonën Shengen' ndaj qytetarëve tanë dhe, pakëz më vonë, për dhënien Shqipërisë të statusit të kandidatit zyrtar në Bashkimin Europian; me rritjen e tensioneve ekonomike e sociale, duke ua nxjerrë shqiptarëve nervat në cipë të lëkurës; me paralizimin gjithnjë e më tepër të kapaciteteve legjislative e administrative.
Këto kushte duket që kanë ndikuar për të plastifikuar dhe artikuluar në skenën politike qëndrime të reja, disi (vetëm disi dhe sipërfaqshëm) të ndryshme nga ato të deritashmet. Kështu, për shembull, përkundër deklaratave të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të deputetëve të maxhorancës parlamentare për domosdoshmërinë e djegjes së fletëve të votimit, lideri i tyre, Kryeministri Sali Berisha doli para pak ditësh në një konferencë shtypi në Petrelë dhe iu përgjigj një pyetjeje të gazetarëve, duke sqaruar dhe garantuar që fletët e votimit nuk do të digjen. Por, duke nxjerrë përsëri barrierën e zakonshme të tij për të shkuar te rinumërimi i votave: vendimi përfundimtar i gjykatës, i cili - sipas zotit Berisha - ka rrugën e tij, por jo politike. Do të zgjateshim po t'i tregonim tani lexuesit, se sa pak u influencokërkan te ne nga presionet politike vendimet e gjykatave. Por, për t'iu përmbajtur kësaj teme mbase është e nevojshme të kujtojmë proceset gjyqësore dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor, që përgjithësisht la në fuqi ato të kontestuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nga ana e vet shkeli haptazi mëse një herë urdhërimet, 'porositë' aspak ekuivoke të nenit 138 të Kodit Zgjedhor, për të bërë rinumurimin e votave nëse kjo kërkohet nga jo më pak se dy anëtarë të këtij Komisioni. Dhe, pikërisht këtu, pasi u konstatua edhe në raporte të ODIHR - it keqadministrimi i procesit, së paku në një të tretën e zonave zgjedhore, mund të thuhet që nisi kriza politike në Shqipëri, me pasoja komplekse dhe drejt thellimit të pandalshëm të këtyre pasojave. Prandaj, s'mund të merret seriozisht mburrja ditëve të fundit e kreut të ekzekutivit, sipas të cilit, me kreun e opozitës paska ndërmarrë reformat më të thella në historinë e karrierës së tij politike, kur rëndësia më e madhe e ndryshimeve të vitit 2008 në Kodin Zgjedhor konsistonte pikërisht te konsakrimi i sigurisë së procesit zgjedhur, që shprehej në nenin 138 të këtij Kodi, n'atë nen që u shkel publikisht me të dyja këmbët nga përfaqësuesit e zgjedhur prej spektrit politik të djathtë. Ndërkohë, askush nuk do të kishte të drejtë që për zgjidhjen e kësaj krize t'i referohej një neni tjetër të Kodit (nenit 178), sipas të cilit sidoqoftë i lihen KQZ - së në dispozicion për depozitimin e materialeve zgjedhore në Arkivin e Shtetit plot 24 muaj, pas përfundimit të të cilëve mund të asgjësohen fletët e votimit. Gjithsesi, për sa kohë këto fletë ende nuk janë shkrumbuar, sigurisht që konsiderohen dokumente zyrtare, të drejtën për informimin e të cilave e garanton neni 24 i Kushtetutës. Sikurse, në rrethana të tilla, do të ishte me të vërtet një humbje kohe t'i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese që ta zgjidhë këtë ngërç, kur një vendim i këtij organi të rishikimit kushtetues, i dhënë në Maj të 2003 - shit, u hap rrugë komisioneve hetimore parlamentare, për të hetuar rreth çështjeve të veçanta dhe me interes të përgjithshëm ose publik. Humbje kohe do të përbënte gjithashtu, në mos më tepër, hartimi e dërgimi nga opozita e një kërkese Komisionit të Venecias, sepse kështu jo vetëm që do të zgjatej fillimi i funksionimit të komisionit hetimor, të cilit nuk mund t'i kufizohet padrejtësisht objekti, por edhe sepse tagrin për t'i kërkuar opinion atij Fondacioni për Demokraci Nëpërmjet të Drejtës nuk e kanë subjektet politike, përveç organeve dhe personave me rëndësi të veçantë shtetërore, si: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Gjykata Kushtetuese. Në situatat konkrete, e vetmja rrugë efikase dhe më e shkurtër mbetet që t'i drejtohet Komisionit të Venecias Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, në emër të këtij Kuvendi, edhe gjatë veprimtarisë së komisionit hetimor të ngritur një ditë e më parë.
Tani, kur merret vesh që Partia Socialiste i ka paraqitur propozimet e saj zyrtare, duke u cilësuar këto nga lideri i maxhorancës parlamentare si serioze, me elemente racionale dhe në përputhje me Rezolutën e Parlamentit Europian, nga Lëvizja Socialiste për Integrim dëgjohen zëra, që shprehen se PS e ka lexuar mbrapsht këtë Rezolutë. Se sa mbarë e lexojnë këta të fundit, kjo nuk ia vlen të thuhet. Por, e rëndësishme është që shumica e cilësuar e eurodeputetëve e miratoi njëzëri Projektin e këtij Dokumenti, duke theksuar nevojën e transparencës së plotë të zgjedhjeve të vitit të kaluar. Dhe, në asnjë paragraf të Rezolutës nuk gjendet të kërkohet ndonjë veçim i fletëve të votimit nga materialet zgjedhore. Ndodhi vetëm që gjatë votimit të zhvilluar në Strasburg, t'i vihej veshi një ndërhyrjeje midis plot të tjerave të zonjës Doris Pack, që në vendin ku thuhej "të gjitha materialet zgjedhore" të hiqej fjala "të gjitha". Megjithatë, ky retushin në asnjë rast nuk mund të përjashtojë hetimin e kutive të fletëve të votimit. Sidomos, kur rezultatet e verifikimit të kutive të tjera që përmbajnë, bie fjala, listat dhe proces - verbalet zgjedhore, mund të kontestohen nga anëtarë të veçantë të komisionit hetimor. Kështu pra, fletët e votimit mbeten 'amortizatori' i të gjitha kundërshtive vetjake e partiake, prandaj rinumërimi i tyre i mundshëm, në mënyrë të pjesëshme apo të përgjithshme, kurrësesi nuk mund të injorohet. Aq më pak të fshihet nga rendi i punës së komisionit, ndonëse - siç bëhet e ditur këto ditë - Partia Demokratike e ka dhënë përgjigjen për fletët e votimit, duke ofruar edhe në paketën e propozimeve të reja të njëjtin qëndrim të mbajtur gjatë gjithë muajve të krizës. Në situata të tilla është e kuptueshme që zgjidhja ka të bëjë jo vetëm me vlerësimin maksimal të mekanizmave teknikë të shqyrtimit, por sidomos me vënien plotësisht në jetë të vullnetit politik të të gjitha forcave politike të përfaqësuara në Parlament, veçanërisht të atyre kryesore që konfigurojnë tërësisht dhe realisht binomin pozitë - opozitë. Nëse mosmarrëveshjet e deritanishme nuk do të fashiten qysh në fillim të sesionit të ri kuvendor, atëhere sipas të gjitha gjasave gjendja do të turbullohet edhe më tepër me ndërlikime të pallogaritshme. Ajo që mund të shprehet tani për tani si një gjë e sigurt është që qytetarët tanë do të ofshajnë parreshtur, duke kujtuar atë që ka thënë një filozof i madh me sarkazmën tipike të anglezëve: "Mjerë ne për njerëzit tanë të mëdhenj, që sa të vegjël janë!".