Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një postim në Twitter informon se biseda me Zëvendës ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer ka qenë e hapur dhe konstruktive, lidhur me krizën politike dhe institucionale në vend.


Bisedë e hapur dhe konstruktive me Matthew Palmer mbi situatën: mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pandëshkueshmëria, krimi, korrupsioni dhe kriza politike.


Përkushtim i përbashkët për demokraci, shtetin e së drejtës dhe mirëqeverisjen si rruga e vetme për stabilitet dhe Shqipërinë në BE, shkruan Basha.


Pas takimit me kreun demokrat, zyrtari i lartë i DASH është takuar me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.


“Diskutuam për situatën dhe sigurisht që unë nuk jam e autorizuar që të flas për takimin. Z. Palmer shprehu opsionet e veta nga këndvështrimet e tij. Ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona, – tha Kryemadhi. – Sigurisht që përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për ti dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në BE”.


Kryetarja e LSI-së u shpreh se Palmer nuk ka ardhur në Shqipëri për të zgjidhur krizën, sepse atë e zgjidhin vetë palët politike.


“Z.Palmer nuk kishte ardhur për t’i dhënë zgjidhje për sa i përket konfliktit. Mos harroni që hallet tona do t’i zgjidhim ne shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin. Sigurisht që mendoj që viktimat e gjithë kësaj historie, janë shqiptarët nuk është Kryeministri”.


Në orën 17:30 Palmer do të takohet me Presidentin Ilir Meta. Ditën e djeshme, ai u takua me kryeministrin Rama, takim i cili zgjati rreth 100 minuta në Kryeministri. Pas takimit, kryeministri Rama shkroi në twitter duke e cilësuar si një takim të frytshëm si dhe duke zbuluar temat për të cilat u diskutua.


“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matheë Palmer” shkroi Rama.