Ballkani
Beogradi përgjigjet duke kërkuar klasifikimin si spastrim etnik të përzënies së 230 mijë serbëve
Kroacia i deklaroi Gjykatës më të Lartë të OKB-së se udhëheqësit e Serbisë janë duke mohuar politikën e gjenocidit që Zagrebi thotë se u zbatua nga Serbia në territorin e saj në vitet 1990.
Zagrebi kërkon që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të vendosë se Serbia kreu gjenocid në qytetin e Vukovarit apo në vende të tjera më 1991. Vukovari u shkatërrua gjatë luftës së viteve 1991-1995 kur ishte pushtuar nga serbët. Serbia ka dorëzuar një pretendim tjetër për përzënien e 230 mijë serbëve nga Kroacia më 1995.
Rreth 20 mijë njerëz u vranë gjatë luftës katërvjeçare të Kroacisë për pavarësi gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Disa qindra qytetarë të Vukovarit u vranë nga ushtria e Jugosllavisë dhe paramilitarët serbë më 1991.
Rreth 2 mijë njerëz u vranë katër vjet më vonë gjatë dhe pas kundërofensivës kroate të quajtur Operacioni Stuhia. Kundërpadia e Serbisë do të dëgjohet nga gjykata javën tjetër. Marrëdhëniet mes dy fqinjëve janë përmirësuar gjatë viteve të fundit, por më 2012 Serbia u zemërua kur komandanti i operacionit Stuhia, Ante Gotovina, u shpall i pafajshëm në apel në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë.
Shumë udhëheqës politikë në Serbi kanë vijuar me një sjellje mohuese, tha Kroacia para gjykatës. Ajo citoi Presidentin Tomislav Nikoliç, i cili më 2012 tha se gjenocidi nuk ka ndodhur në rastin e masakrës së Srebrenicës, më 1995.
Nga ana e vet, përfaqësuesit e Serbisë në gjykatë pranuan se kanë ndodhur krime të tmerrshme, por shtuan se këto krime nuk kanë karakteristikat e gjenocidit.
Kroacia do të prezantojë kauzën e vet këtë javë para se Serbia të japë kundërargumentin e vet javën tjetër. Të dyja palët do të kenë mundësi të pyesin dëshmitarët më vonë. Vendimi do të jetë detyrues për palët dhe pritet të jepet vonë këtë vit, ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjykata do të vendosë nëse njëri prej dy vendeve apo të dy vendet janë fajtorë për gjenocid, nxitje të kryerjes së gjenocidit apo bashkëpunim në gjenocid në lidhje me ngjarjet që ndodhën në Kroaci gjatë viteve 1991 dhe 1995.
Ky shkrim Kroacia akuzon Serbinë për gjenocid u publikua me pare te Gazeta SHQIP.