Kryetari i PS, Edi Rama, takon kryebashkiakun e Firences dhe diskuton për programin e opozitës. Matteo Renzi: Edi Rama përfaqëson të ardhmen për të majtën shqiptare, për popullin shqiptar


 


Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili zhvilloi një vizitë në Firence të Italisë, është pritur sot në një takim të posaçëm nga Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Matteo Renzi. Gjatë takimit me kryebashkiakun e Firences, Matteo Renzi, njëherazi një ndër ideologët kryesorë dhe yjet në ngjitje të së majtës italiane, Edi Rama ka folur në detaje për programin e të majtës shqiptare Për Një Rilindje Shqiptare, si dhe format e ndryshme të bashkëpunimit në funksion të modernizimit të qeverisjes dhe ekonomisë. Kryebashkiaku i Firences e priti Edi Ramën i shoqëruar nga Këshilltarja për Universitetin Cristina Giachi dhe Presidenti i Këshillit Komunal Eugenio Giani i cili ka bashkëpunuar me Ramën kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytet i binjakëzuar me Firencen që prej 2001.


Jam shumë i lumtur që prita Edi Ramën këtu në Firence, në Palazzo Veçhio. Kur Edi Rama ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës qyteti i Tiranës dhe qyteti i Firences kanë punuar shumë së bashku jo vetëm për bashkëpunime në kuadër të shkëmbimeve kulturore, por edhe për bashkëpunimin mes qyteteve. Përtej këtij roli institucional si Kryetar Bashkie jam i lumtur sepse besoj që Edi Rama përfaqëson të ardhmen për të majtën shqiptare, për popullin shqiptar dhe për ti dhënë një dorë edhe të majtës europiane që kërkon më në fund ti thotë fjalën e fundit krizës dhe ti japë një perspektivë të re mirëqenieje Italisë, Shqipërisë dhe Europës, tha Renzi.


Kryebashkiaku i Firences ka komentuar edhe skandalin e diplomës së Renzo Bossi-t.


Unë besoj se Lega Nord në Itali po demonstron fytyrën e vërtetë më të trishtë dhe më të shëmtuar. Ndodhi me Umberto Bossin me të gjithë ato çka ka thënë dhe ka bërë në këto muaj. Ndodhi me financimin publik të gjërave shumë të diskutuara madje ilegale që nga marrja e fondeve për të marrë diamantet dhe investimet në Tanzani. Tani Bossi që ka bërë tre herë provimin e maturës në Itali sepse nuk arrinte ta merrte, ka shkuar me paratë e financimit publik e është regjistruar në një universitet në Londër dhe ka marrë një diplomë në Tiranë. Besoj se nuk shkon. Është e dukshme se Italia, Renzo Bossi, Padania, siç e quajnë ata, ka bërë një figurë të shëmtuar. Pastaj të dy vendet tona Italia dhe Shqipëria duhet të evitojmë që të kemi universitete që japin diploma fallco. E kjo vlen për fat të keq, si për vendin tuaj ashtu edhe për vendin tonë. Padyshim që sikur të mos kishte persona si Renzo Bossi që ti blejnë do të ishte më mirë.


Kryetari Rama pas takimit do të shprehej: Ishte një takim jashtëzakonisht i kënaqshëm sepse folëm si dy miq të vjetër edhe pse në fakt jemi vetëm dy miq të rinj, por e kaluara e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Firences ka lënë gjurmët e veta. Dhe njëkohësisht aspirata e përbashkët për të ndërtuar një të majtë të re, moderne, europiane dhe për të nxjerrë nga kriza shoqëritë ku jetojmë na bën shumë më të afërt dhe njëkohësisht i bën shumë më konkrete dhe planet e afërta të së ardhmes për programin që në aspirata është i përbashkët, për bashkëpunimin që është shprehje e një vullneti të përbashkët dhe sigurisht për miqësinë që është kushti themelor i garantuar prej kohësh.


 


 


Rama me studentët shqiptarë në Firence: Çfarë do ndryshojë në Shqipëri me qeverisjen e PS


 


Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë shqiptarë studentë në Firence me të cilët ka biseduar për Programin Për një Rilindje Shqiptare. Të rinjtë e kanë pyetur Edi Ramën se çfarë do të ndryshojë në Shqipëri me qeverisjen e Partisë Socialiste.


Unë do isha shumë i kënaqur nëqoftëse në katër vjet ne do të kishim një sistem taksimi të ndershëm, ku infermierët, mësuesit, policët dhe të gjithë rrogëtarët të paguanin më pak taksa dhe të shërbeheshin më mirë nga shteti dhe ku kryeministri, ministrat, deputetët, zyrtarët e lartë të paguanin më shumë taksa dhe ti shërbenin më mirë njerëzve. Unë do të isha shumë i kënaqur nëqoftëse pas katër vjetësh ne do kishim një administratë publike që do të ngjante më shumë me ju sesa me Saliun kur ta shikoje.


Unë do isha shumë i kënaqur që mbas katër vjetësh ne mund të thoshim me krenari që në administratën tonë publike drejtojnë në pozicione kyçe njerëz që kanë sakrifikuar, kanë studiuar jashtë shtetit, kanë bërë eksperiencat e tyre në një botë të demokracisë dhe të kapitalizmit real dhe kanë ardhur të shërbejnë për vendin e tyre, gjë që po e bëjnë pasi kanë fituar konkurse publike, të hapura, kanë konkurruar me njëri tjetrin dhe në bazë të aftësisë dhe të meritës kanë marrë këtë vend pune.


Unë do isha shumë i kënaqur nëqoftëse sistemi ynë shëndetësor pas katër vjetësh do ishte një sistem që do i përfshinte të gjithë dhe spitalet tona publike do ishin minimalisht të pastra, do ishin minimalisht të qeta, do ishin minimalisht vende ku i shërbehet të sëmurëve dhe jo ku futesh i sëmurë dhe del gjysmë i vdekur, e kështu me radhë. Unë do isha shumë i kënaqur nëse ne do thoshim pas katër vjetësh që shiko sot ka shumë ende për të bërë, por ama në fshatin shqiptar mos ketë vetëm një zonë me punësim të plotë, por të ketë shumë e shumë zona të tjera, tha Rama.


Gjatë vizitës së tij Edi Rama ka zhvilluar dhe një sërë takimesh informale me qytetarë shqiptarë me banim në Firence dhe strukturat e Partisë Socialiste në këtë qytet.