TIRANE – Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, pritet të dalë sot para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë pas akuzës së ngritur ndaj tij nga Prokuroria për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Kryebashkiaku i arrestuar të premten nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa vazhdon të jetë në kërkim ish-drejtori juridik i Bashkisë së Kamzës, Atli Hoti.

Ditën e djeshme, mësohet se Policia e kryeqytetit ka referuar në Prokurori materiale shtesë për Xhelal Mziun. Materialet lidhen me gjetjen në banesën e tij të një vule të KZAZ-së nr.27 që i përket qendrës së votimit në shkollën e mesme “Ibrahim Rugova” në Kamzë. Në lidhje me këtë fakt, policia kërkon që Xhelal Mziu të hetohet nga prokuroria edhe për akuzën e “falsifikimit të vulave dhe stampave”.

Hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Kamzës kanë nisur në tetor të këtij viti pas padisë së bërë nga kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila ishte përjashtuar nga tenderi për rrugën Valias i Ri – Varrezat e Laknasit e emëruar si rruga “Zgjimi”.

(er.nu/BalkanWeb)