Nëpërmjet një postimi në Facebook, Monika Kryemadhi deklaroi se LSI nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo bisedime me mazhorancën sa i përket bashkimit të votave për votimin e ligjit të magjistraturës.


Ajo theksoi se LSI ka qenë dhe do të jetë pro dhe pjesë e çdo takimi apo tryeze që trajton dhe diskuton përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe largimin e klikës së Edi Ramës.


Postimi i Kryemadhit


LSI nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve për të shpëtuar Edi Ramën!


Asnjë marrëveshje apo bisedim nuk ka dhe nuk do të këtë për ti zgjatur agoninë kësaj qeverie, që e zhytur në krim, trafiqe të paligjshme dhe korrupsion po përpiqet, që në grahmat e fundit, të mundet të shpëtojë me manipulime të tilla.


LSI ka qënë dhe do të jetë pro dhe pjesë e çdo takimi apo tryeze, që trajton dhe diskuton përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe largimin e klikës së Edi Ramës.


Çdo përpjekje tjetër për ta përfshirë LSI në bisedime është thjesht pjesë e fantazisë së sëmurë të Edi Ramës, që sot më shumë se kurrë është i gatshëm të blejë e të shesë çdo gjë e çdokënd në emër të pushtetit, por që duhet ta ketë më shumë se kurrë të qartë, se për të shpëtuar karrigen e tij nuk do ketë kurrë ndihmën e LSI.


Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e opozitës së bashkuar, me qëllimin e qartë dhe të saktë, largimin e pushtetit banditesk të Edi Ramës!


Të shpëtosh sot Edi Ramën do të thotë të shkatërrosh përfundimisht të ardhmen e shqiptarëve, dhe këtë mëkat LSI nuk e merr në kurriz.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)