Studentët që protestojnë prej 12 ditësh në kërkim të plotësimit të 8 pikave që i kanë paraqitur qeverisë, duket se do të kenë të hënën në mbështetje në tubimin me karakter kombëtar edhe mbështetës të LSI.


Të paktën këtë të lë të kuptosh thirrja që kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i bëri qytetarëve në takimet që kishte sot në qarkun e Korçës. Gjatë takimit me strukturat e LSI Pogradec, Kryemadhi tha se protesta e studentëve, është e drejtë, legjitime, e motivuar, ndaj çdo prind, vëlla e motër, mbështet studentët.


Ajo hodhi akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama, duke theksuar se koha për ndryshim është sot.


Gjithë Shqipëria është mbytur nga varfëria. Qeveria po shkreton vendin dhe po largon shqiptarët. Kërkesat e studentëve reflektojnë gjendjen e vërtetë të familjeve shqiptare. Boll dhuruan para oligarkëve, Arsimi i Lartë në krizë të thellë. Po vritet e ardhmja e të rinjve shqiptarë, deklaroi Kryemadhi.


Apelin për pjesëmarrje në protestë, Kryemadhi e përsëriti edhe gjatë takimit me strukturat e LRI-së Korçë.


Nesër të gjithë në protestë para Kryeministrisë. Protesta e studentëve është një mësim për politikën, bashkohuni me ta. Kur jemi bashkë, jemi më të fortë. Nëse pedagogët në Korçë kanë pak dinjitet, duhet të ngrihen dhe të protestojnë bashkë me studentët. Bashkohuni me studentët dhe mos lejoni përçarësit. Po të ishte politika, do kishte hyrë që në ditën e parë. Ata janë vetë në politikë. Harroni kartën e anëtarësisë, futeni në sirtar dhe përdoreni për një moment tjetër. Shqipëria po kërkon bijtë e saj, për liri dhe të ardhme, tha Kryemadhi.


Sipas saj, ky nuk është Dhjetori i Dytë, por është një dhjetor ku duhet kuptuar që sot më shumë se kurrë diskutohet e ardhmja e Shqipërisë.


Sot, nuk diskutohet më fjala e lirë por e ardhmja e Shqipërisë. Sot, nuk diskutohet çështja e demokracisë, se ka 5 vjet që ska demokraci dhe në këto 27 vite ka qenë shume e brishtë. Sot, diskutohet a do ekzistojë më emri Shqipëri në hartë, theksoi kryetarja e LSI.


16 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)