Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në kuadër të vizitës së saj në Washington, pati takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.


Në takimin që pati këtë të mërkurë me zv.Drejtorin për Europën dhe Euro-Azinë Don Stolworthy dhe Zyrtaren për Çështjet Ndërkombëtare Stepahnie Larsen, trafiku i drogës ishte problemi kyç i cili u diskutua gjerësisht pasi është një çështje kritike për Shqipërinë.


Kryemadhi diskutoi gjithashtu edhe për qëndrimin refraktar i mazhorancës sipas saj, për çështjen Tahiri si dhe sasitë e mëdha të drogës të cilat po kapen në vazhdimësi, veçanërisht nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia.


Kryemadhi u shprehu autoriteteve amerikane mbështetjen e plotë te LSI-së për reformën në drejtësi, por ajo nënvizoi domosdoshmërinë që kjo reformë të zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe paketën e ligjeve të miratuara si dhe ngriti shqetësimin për përpjekjet e mazhorancës për të devijuar reformën, për te mos respektuar kushtetutën e reformuar dhe ligjet dhe veprimet për të kapur drejtësinë.


Ajo shprehu vullnetin e plotë për te bërë çdo përpjekje për të penguar këto veprime të mazhorancës për të devijuar një reformë të mbështetur fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i kërkoi autoriteteve amerikane që ata të monitorojnë nga afër këto përpjekje negative dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që këto veprime të mazhorancës të ndalen menjëherë pasi reforma nuk mund të jetë pronë e asnjë partie por një domosdoshmëri për popullin shqiptar.


Kryemadhi ngriti gjithashtu shqetësimin për veprimet që lidhen me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.


7 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)