Kryeministri Sali Berisha nis numërimin mbrapsht nga Vlora për mitingun përmbyllës të PD-së më 26 qershor në sheshin "Skënderbej", në orën 19.30. Kreu i PD-së ishte dje në Vlorë dhe Dhërmi. Berisha mori pjesë në inspektimin e TEC-it të Vlorës, si dhe në provën e parë të vënies në punë të aparaturave të tij. Ambasadori italian, Saba D‘Elia, i pranishëm në këtë ceremoni, duke shprehur kënaqësinë që iniciativat e përbashkëta italo-shqiptare sa vijnë e shtohen, theksoi se kjo vepër është një realizim shumë i madh i standardeve më të përparuara, si për sa i përket prodhimit, ashtu edhe për respektimin dhe ruajtjen e mjedisit. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha falënderoi në mënyrë të veçantë kompaninë "Techmont", e cila ka realizuar ndërtimin e TEC, si dhe BB, BERZH dhe BEI, për këtë investim për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë. Kryeministri theksoi se ndërtimi i TEC-it përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për potencialin turistik, industrial dhe të gjithanshëm të Vlorës dhe bregut shqiptar. Kryeministri tha se TEC-i është një dëshmi e përpjekjeve të qeverisë, jo vetëm për të mos i kthyer më kurrë ndërprerjet e energjisë elektrike në vend, por për t‘u bërë një vend eksportues i energjisë. "Kjo përbën gjithashtu një faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm të shpërndarjes së energjisë elektrike për shkak të distancës së burimeve të tjera që janë të vendosura kryesisht në veri, si dhe në rrjetin ekzistues, garanton parametrat më të mirë të furnizimit me energji të zonës më turistike të vendit", theksoi Berisha, i cili shtoi se puna do të fillojë gjatë muajit shtator kur edhe do të inaugurohet.



Kryeministri garantoi se, në sajë të teknologjisë më moderne, TEC-i i Vlorës ruan dhe respekton maksimalisht mjedisin. Duke shprehur respektin për shoqatat mjedisore të Vlorës, Kryeministri Berisha i ftoi ata të forcojnë gjithnjë e më shumë vëzhgimin për mbrojtjen e mjedisit, duke dhënë kështu kontributin më të rëndësishëm në këtë drejtim. Ndërsa për antiglobalistët, Kryeministri u shpreh se ata nuk kanë asgjë të përbashkët me këto shoqata, pasi parësore kanë vetëm interesat e tyre personale. "Ne po shkojmë drejt Europës, por nuk mund të shkojmë drejt saj, me standarde të tjera përveç atyre europiane të mjedisit", tha Berisha, duke shtuar se "qeveria pas këtij TEC-i do të ndërtojë TEC-e të tjera, atë në Durrës". Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare do të realizojë më së miri detyrën e saj për t‘u siguruar qytetarëve të saj në çdo rrethanë, në çdo kohë dhe në çdo stinë 24 orë energji elektrike.