Së pari, një falënderim të përzemërt studentëve e pedagogëve të universiteteve të Tiranës që kanë ardhur sot, në këtë sallë e më japin mundësinë të dëgjoj mendimet, opinionet, sugjerimet e vërejtjet e tyre, për një problem që është edhe çështja më themelore jo vetëm për Shqipërinë, por për çdo vend të lirë sot, punësimin. Falenderoj presidentin e Albanian University për lehtësinë që na ka krijuar në këtë sallë. Ju garantoj se jam plotësisht i interesuar për mendimet, vërejtjet e sugjerimet tuaja.


Të dashur pedagoge e pedagogë, studente e studentë,


Katër vitet që shkuan, Shqipëria ia doli të tërheqë mbi 4 miliardë dollarë investime të huaja, sipas UNCTAD; ia doli të ketë mbi 2.5 miliardë dollarë investime publike; ia doli të ketë rreth 6 miliardë dollarë investime private. Në tërësinë e tyre janë rreth 12 miliardë investime. Pikërisht falë këtyre investimeve, Shqipëria, në kohën më të vështirë të krizës ekonomike e financiare europiane e botërore, arriti të ruajë rritjen ekonomike që është   gjenerator kryesor i punësimit. Ajo arriti sipas të gjitha statistikave, të përballojë me sukses papunësinë në vend, të përcaktuar si nga grupmoshat që hyjnë në moshën e punës,  edhe nga migracioni i brendshëm, si pjesë e procesit të pandalshëm të urbanizimit. Sipas Komisionit Europian, Shqipëria jo vetëm që nuk pati rritje të papunësisë, por pati ulje të saj.


Ne vijmë në këtë moment si një histori suksesi në tërheqjen e investimeve, një histori suksesi në punësim, një histori e vërtetë suksesi në shpërndarjen apo në shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët shqiptarë.


Por gjithçka i përket një të shkuare. Ju, qytetarët shqiptarë, janë më të interesuar se kurrë të dinë se çdo të bëhet me ta, katër vitet që vijnë. Në katër vitet që vijnë, punësimin e shqiptarëve ne përsëri do ta bazojmë në lirinë ekonomike. Ne do të bëjmë gjithçka të zgjerojmë lirinë ekonomike. Ne i besojmë asaj si pasuria e të gjitha pasurive. Në këtë kontekst, qeveria ndërmori disa hapa të mëdha dhe sot vij shumë i lehtësuar, si një nga vendet më pakta që nuk takson kapitalin dhe kjo përbën një arritje të madhe.


Ne kemi ndërmarrë hapa të tjerë shumë të rëndësishëm, veçanërisht në sektorin  e bujqësisë, duke hequr çdo lloj takse e tarife për të gjitha llojet e inputeve që nevojiten për këtë sektor, duke besuar se potencialet e këtij sektori janë jo një e dy, por dhjetë herë më të mëdha, sesa potencialet aktuale.


Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë këtë vend shumë të tërheqës për investimet e huaja. Me reformat tona kemi bërë që Shqipëria të vendoset në disa nga treguesit më të rëndësishëm, në 10 a 20 vendet e para të planetit. Shqipëria ka një nga sistemet më të avancuara të regjistrimit të biznesit, ka një nga raportet më të mira midis pagës e prodhimit, ka standard shumë të mirë në garantimin  e investimeve të huaja, ka standard shumë të mirë në kreditim dhe lehtësitë për kreditin. Thënë të gjitha këto, Shqipëria ka një seri praktikash që duhet t’i përmirësojë në mënyrë të shpejtë. Deri para pak javësh, Shqipëria kishte një nga standardet më të shëmtuara në planet për lejet e ndërtimit, që është edhe një nga lejet më të rëndësishme, ishte 399 ditë, sot do të jetë 45 ditë.


Me lehtësinë e barrës fiskale, zhdukjen e barrierave burokratike, ne synojmë të zgjerojmë lirinë e biznesit, të zgjerojmë lirinë ekonomike, të arrijmë kapacitet më të mëdha të mundshme të thithjes së investimeve të huaja. Studimet më serioze dhe mendimet e ekspertëve më të mirë të Europës, me të cilët kemi punuar për vite, besojnë se kapaciteti i Shqipërisë në një vit është rreth 2 miliardë dollarë investime. Në 4 vitet e fundit, ne kemi marrë rreth 50 përqind të këtij kapaciteti maksimal.


Së dyti, Shqipëria është sot në një stad që të mund të ndërmarrë një nga reformat më të shkëlqyera të tregut të punës. Sigurisht, rritja ekonomike është gjeneratori kryesor i punësimit, por ajo nuk është e vetmja.  Studimet kanë faktuar në mënyrë të padiskutueshme se rritjet ekonomike në të njëjtin nivel mund të kenë nivele krejt të ndryshme punësimi. Kriza faktoi se vende më të zhvilluara të botës që ranë në recesion, një prej tyre ishte Gjermania,  në një recesion dy herë më të thellë se ai i ekonomisë amerikane, papunësia në ekonominë gjermane lëvizi më pak se 1 përqind, ndërsa papunësia në ekonominë amerikane u rrit 4-5 përqind, çka do të thotë se tregu i punës, në vetvete, domosdoshmërish duhet të reformohet.


Këtë reformë e bëri 10 vite më parë një ekspert i shquar gjerman, Harzt. Me ligjet e tij, ai instaloi në ekonominë gjermane një fleksibilitet të paprecedent të tregut të punës. Të gjitha studimet e bilancet në dhjetëvjeçarin e kësaj reforme e paraqesin atë si një histori suksesi. Asgjë nuk mund të na tërheqë më shumë, sesa një sukses që ne mund ta zbatojmë. Elemente të reformës së Hartz janë zbatuar gjatë këtyre viteve në Shqipëri, elementë të tjerë thelbësorë, që kërkonin menaxhim dixhital të të gjitha të dhënave të krahut të punës e të kërkesave për krahun e punës, u instaluan pak javë më parë në mbarë vendin. Po ashtu një sistem shkollash profesionale, kusht i domosdoshëm për përgatitjen e krahut të punës, po zgjerohet çdo ditë. Ne jemi të bindur se përmes reformës së thellë të krahut të punës do të bëjmë që rritja ekonomike të ketë një potencial më të madh punësimi.


Së fundi, integrimi europian përbën në vetvete një faktor shumë të  rëndësishëm për punësimin e shqiptarëve. Jo vetëm për faktin se ky integrim nënkupton qindra milionë euro më shuam nga Komisioni Europian për projekte të shumta publike në Shqipëri, por, para së gjithash, se ky integrim është një pasaportë tjetër e shkëlqyer, pas anëtarësimit në NATO, një garanci më e madhe për investimet private në Shqipëri. Ne do të bëjmë gjithçka, që ky proces të eci pandalshëm.


Zonja e zotërinj,


Këto janë mekanizmat ku ne do të bazojmë punësimin. Por në këtë mandat ne vijmë gjithashtu me një vizion shumë të qartë me një numër shumë të studiuar të punësimeve në bizneset e reja, të punësimit në bujqësi, të punësimit në teknologjinë e lartë, të punësimit në çdo fushë. Ne jemi të sigurt se këto katër vite do të jenë vitet e uljes më të madhe të papunësisë në Shqipëri. Ne jemi të sigurt se në katër vite, qeverisja e ardhshme do mund të krijojë në Shqipëri rreth 250 mijë vende pune në të gjitha fushat e jetës.


Shkurtimisht sipas sektorëve:


Ne kemi pasur këto vite një rritje rreth 30 përqind të bizneseve dhe një punësim rreth 50 mijë qytetarësh në biznese.


Kemi pasur një punësim rreth 35 mijë punonjës, në të gjitha investimet publike.


Kemi pasur një punësim rreth 20 mijë punonjës në fusha të ndryshme të energjetikë.


Kemi pasur një punësim rreth 10 mijë punonjës në teknologjinë e lartë të informacionit.


Kemi pasur një punësim në industrinë e drurit rreth 30 mijë punonjës më shumë.


Një bum punësimi ka pasur sektori i turizmit. Vitin e kaluar, Shqipëria  arriti të presë 4.7 milionë vizitorë. Ky sektor punëson në Shqipëri mbi 150 mijë punonjës.


I gjithë projekti i punësimit tonë është së pari, dyfishimi i investimeve të huaja.


Në këtë rast, natyrisht, nuk mund të bëhet fjalë dyfishim të punësimit në industri. Sidoqoftë, ne do të bëjmë gjithçka për nxitjen e punësimit në industri. Në rast se sot, në këtë sektor, sipas një studimi, janë mbi 400 mijë punonjës (pa bujqësinë), ne jemi të sigurt se gjatë katër viteve që vijnë, në këtë sektor të punësojmë 100 mijë qytetarë.


Në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve dhe energjetikës, nga fundi i këtij viti dhe vitin e ardhshëm fillojnë projektet më të mëdha në historinë  e Shqipërisë, ndërkohë deri tani janë të firmosura me sektorin privat kontrata për ndërtimin e 363 HEC-eve. Ne besojmë se,  së paku, 30 mijë forca pune do të nevojiten në të gjitha këto projekte, përfshi edhe projektin e gazsjellësit Trasnadriatik.


Ne jemi të sigurt se do të dyfishojmë numrin e punonjësve në teknologjinë e lartë nga 30 mijë e 400 punonjës që është sot, ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria dixhitale të ketë edhe 25 mijë të punësuar.


Nga të gjitha fushat, më e rëndësishme është e mbetet turizmi. Nëse deri më sot nuk u kemi ofruar investitorëve të huaj, projekte të mëdha,  të hartuar me firma të mëdha konsulence, kjo do të jetë një nga përparësitë tona të mëdha, gjatë viteve që vijnë. Kjo, sepse zonat, nga të cilat sot janë shumica e parave, kërkojnë projekte të gatshme. Ne nuk do të ngurojmë t’i përgatisim ato.


Dy parqe logjistike, ngjitur me Tiranën, janë në ndërtim e sipër dhe punësojnë sëbashku 30 mijë punëtorë.


Megjithatë këto janë shifrat paraprake. Pas një diskutimi të gjerë me ju, ne do të marrim parasysh çdo vërejtje, çdo sugjerim e çdo propozim. Potencialet e Shqipërisë janë shumë të mëdha. Faleminderit.


Zoti Kryeministër, Shqipëria ka një pozitë tepër të favorshme për turizmin e gjithanshëm. Turizmi në këto 20 vite, veçanërisht në vitet e fundit, është zhvilluar shumë, si nga pikëpamja sasiore ashtu edhe cilësore, duke gjeneruar të ardhura për individët, buxhetin, konsumin dhe mirëqenien. Megjithatë kam mendimin se ka ende hapësira për zhvillimin e mëtejshëm të tij. A mund të na thoni diçka për programin e qeverisë demokratike, për katër vitet e ardhshme, për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, sidomos për infrastrukturën e tij.


Kryeministri Berisha: Turizmi u shndërrua në një ndër degët më kryesore të ekonomisë shqiptare dhe rritja e tij tejkaloi çdo lloj parashikimi, gjatë këtyre viteve. Përpjekja jonë për të krijuar një infrastrukturë të përshtatshme ka qenë e madhe, por, sërish, kapacitetet janë shumë më të mëdha. Dy do të jenë drejtimet kryesore, në të cilat ne do të lëvizim.


Së pari, ne do të hartojmë projekte të mëdha për disa nga zonat më të preferuara të bregdetit, siç është kepi i Rodonit, siç është kompleksi Zvërnec-Sazan- Karaburun, që i trajtuar si kompleks është absolutisht nga më të mirët që mund të ekzistojë kund, si dhe zona të tjera në bregun e Jonit. Ne kemi negociata dhe do të kontraktojmë kompani për të bërë projektet më të mira të zhvillimit të tyre.


Së dyti, Shqipëria në tërësi është një vend malor dhe malet e saj janë mahnitëse, për ata që i njohin apo që i vizitojnë. Malet e saj janë bukuri për t’u zbuluar. Ato kanë pasur mungesë të madhe infrastrukture. E vërteta është se gjatë mandatit që po lëmë pas, ne u kujdesëm që të çojmë infrastrukturën deri afër majave të tyre, nga Çajupi deri në Valbonë. Sidoqoftë nuk mund të themi se ka një infrastrukturë të përshtatshme për Shqipërinë e turizmit malor. Ajo çka do të bëjmë në katër vitet që vijnë, është se do të heqim çdo lloj takse, për tetë vjet, për të gjithë ata që do të investojnë në turizmin malor. Imagjinoni, jo më larg se 45 kilometra nga këtu ku jemi, është Biza, një nga zonat më të bukura dhe një seri zonash të tjera turistike ku askush nuk shkon, përveç ushtarakëve kur bëjnë stërvitjet e tyre. Ne do të ndërtojmë infrastrukturën. Po ashtu edhe masivet midis Peshkopisë edhe Kukësit, Radomira, Kroi i Bardhë. E tërë kjo zonë, që në anën tjetër ka Bjeshkët e  Sharrit, është nga zonat më fantastike për turizmin malor. Të mos harrojmë se kjo zonë ka tani edhe një aeroport ngjitur me të. Alpet janë në vetvete epike për bukuritë e tyre dhe potencialet e mëdha turistike. Ne do të synojmë të bëjmë gjithçka që të ecim drejt turizmit malor në Shqipëri. Unë kam bindje se edhe turizmi malor përbën një potencial shumë të madh për vendin. E vërteta është që Shqipëria, çdo vit kuotohet nga agjencitë turistike, në nivelet më të mira.


Cilat janë përfitimet tona me marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, duke pasur parasysh që ka një ngërç në këtë pikë?


Kryeministri Berisha: Së pari, ka një përfitim shumë të madh kredibiliteti. Ju jeni juriste dhe e dini mirë që besimi është një nga gjërat më themelore, në raportet tërësore midis individit dhe shoqërisë në tërësi. Marrja e statusit të vendit kandidat e paraqet Shqipërinë, para partnerëve europianë dhe botërore, si një vend shumë më serioz, sesa bllokimi i statusit sot.


Së dyti, nuk është vetëm një përfitim i madh moral. Kjo shoqërohet me në gatishmëri dhe vullnet shumë më të madh për të investuar në Shqipëri. Në katër vitet e fundit, ne kemi kapur nga 1 miliardë dollarë investime në vit. Ne vërtetë kemi bërë reforma të thella dhe të gjithanshme, por ju garantoj se nëse Shqipëria nuk do të ishte vend anëtar i NATO-s, kjo as që do të ndodhte. Anëtarësimi në NATO ishte një nga faktorët më përcaktues në rritjen e madhe të investimeve, në trefishimin e investimeve, gjatë këtyre viteve.


Me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe me hapjen e negociatave janë një seri projektesh shumë të rëndësishme të Komisionit Europian, nga të cilat Shqipëria do të përfitonte. Natyrisht, në këtë proces duhet të kapen standardet europiane në infrastrukturë dhe në të gjitha aspektet, por t’i ndihmohesh në mënyrë të vendosur nga Komisioni Europian, për të kapur këto standarde.


Gjithashtu është një ndihmë e jashtëzakonshme për të rinjtë shqiptarë, të cilët mund të aplikojnë me fee të leverdishme, në të gjitha universitetet e vendeve anëtare. Po ashtu për punëtorët shqiptarë, të cilët mund të sigurojnë punësim sezonal legal në këto vende. Ndaj ne e llogarisim integrimin si një nga faktorët kryesore në politikën tonë të punësimit.


Kemi dëgjuar që kreditimi i biznesit dhe i ekonomisë në përgjithësi është një nga politikat ku po punohet më shumë për të arritur rezultate pozitive. A ka rezultuar produktive kjo përpjekje? A ka pasur rritje ekonomike si rezultat i kreditimit dhe a ka pasur kjo politikë, efekte negative si rritja e inflacionit?


Kryeministri Berisha: Pyetje shumë e drejtë. Së pari, nuk mund të imagjinohet asnjë lloj rritjeje ekonomike pa kreditim. Krediti është oksigjeni, kushti jetik i rritjes ekonomike dhe biznesit. Ky kredit ka pasur ritme shumë të larta në vitet 2007- 2008 dhe më pas, sistemi bankar europian pësoi një shock të vërtetë, i cili jo në likuiditete, por në disa aspekte të tjera u ndje edhe në bankat në Shqipëri. Në vitin 2008 pati një tërheqje të kursimeve të përkohshme, çka çoi në uljen e depozitave. Çdo vit, depozitat kanë pasur rritje dyshifrore. E vërteta është se kreditimi nuk ka qenë në nivelin e duhur, sepse shumica e bankave janë banka të eurozonës. Eurozona për arsye të njohura tashmë, ka ngurtësuar shumë sistemin e funksionimit të bankave jashtë zonës së saj. Megjithatë mendoj se Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol shumë aktiv dhe është përpjekur të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ka si institucion i stabilitetit monetar, me mbështetjen që u ka dhënë bankave tregtare në veprimtarinë e tyre. Natyrisht do të donim të kishte edhe më shumë kredi për ekonominë. Sikundër, një mësim nga kjo krizë është se sistemi bankar duhej të diversifikohej, në përputhje me monedhat e mëdha. Krizat ekonomike janë ciklike, janë të pashmangshme, janë shoqëruese të zhvillimit ekonomik në të gjitha kohërat. Mirë është që sistemi të jetë i diversifikuar. Ne do të bëjmë gjithçka për diversifikimin e tij.


Zoti Kryeministër, desha të di si ndikon taksa e sheshte nga taksa progresive në nivelin e pagave?


Kryeministri Berisha: Meqenëse jam midis studentëve e pedagogëve të universiteteve, unë do t’u referohem studimeve të universiteteve, të cilat këto kohë kanë realizuar studime të mrekullueshme, ndër më të mirat në të gjitha kohërat. Një grup i Oxford-it në një studim të tij ka shqyrtuar veprimtarinë e 800 mijë ndërmarrjeve për dhjetë vite me radhë. Ky studim ka gjetur se për çdo dollar të ulur të tatimit mbi fitimin nuk është sipërmarrësi, por është punonjësi që fiton 0.54 përqind të atij një dollari. Kjo, sepse dollarin që i ulet nga taksat, sipërmarrësi e shndërron në paga, e shndërron në investime për të zgjeruar veprimtarinë e tij. Këto kohë, një grup i universitetit të Harvardit, por edhe një grup ekspertësh të Bankës Qendrore Europiane, kanë studiuar me shumë interes nivelet e borxhit dhe të taksave dhe shkojnë drejt bindjes së taksa e sheshtë është më e afërta me taksën optimale apo taksën ideale, taksë kjo, e cila duhet të nxisë zhvillimin e ekonomisë dhe jo ta frenojë atë. Taksa progresive është një taksë e trashëguar nga shumë kohë përpara, një taksë e rekomanduar nga Karl Marksi, në nenin 2 të Manifestit komunist,  në vitin 1848. Në të vërtetë, ajo është përdorur gjerësisht në botë. Kjo taksë, së pari, duke vënë në shënjestër të pasurit, moralisht polarizon shoqërinë. Së dyti, kjo bën që më i pasuri të marrë të shtojë listën e shpenzimeve në mënyrë fiktive dhe për t’i shpëtuar pagesës së taksave, ai do t’i bëjë ato shuma tërësisht pa një qëllim të caktuar, do t’i fshehë. Më e keqja është çpunësimi. Në qoftë se ka një taksë që punëson, është taksa progresive. Sipërmarrësi nuk ka më interes të investojë dhe të rrisë biznesin për të paguar për qeverinë. Aktin e parë që do të bëjë, do t’u thonë punëtoreve se nuk mund të vazhdojë më tuje, por do të fillojë shkurtimin e vendeve të punës.


Koncepti është: një qeveri, e cila beson se qytetaret shqiptarë dhe Shqipëria zhvillohen duke punuar për përmbushjen e interesave të tyre dhe një qeveri, e cila beson se Shqipëria duhet të funksionojë për qeverinë dhe qeveria më pas t’i marrë këto të ardhura dhe t’i kthejë në favore për qytetarët. Kjo është një politikë e dështuar dhe është testuar dhe tentuar disa herë. Kur filloi kriza, ekonomistët ngritën zërin dhe akuzuan taksat e larta. Më vonë, politikanët i anashkaluan dhe përsëri po kthehen. Taksa që nxit më shumë punësimin është taksa e sheshtë. Ne besojmë haptazi, se paratë janë më të vlefshme në kontot e qytetarëve dhe biznesmenëve, sesa në kontot e shtetit. Natyrisht, shteti duhet të ketë financat e veta, për të kryer funksionet e tij.


Jam shqiptar nga trojet etnike në Mal të Zi. Kam qene dhe kandidat për deputet në listat bartëse, në kolonë shqiptare. Më intereson një opinion i juaji në lidhje me vetëqeverisjen lokale të territorit të Malësisë së Madhe, komuna e malësisë me qendër Tuzin. Ju, vitin e kaluar keni pasur një takim në Budva, ku keni deklaruar haptazi që do e përkrahni. Atje po përgatitet një referendum konsultativ, i udhëhequr nga partia në pushtet. Referendumi do të zhvillohet pikërisht në territorin ku mendohet se do të themelohet  komuna, por, fatkeqësisht, gjatë 20 vjetëve, popullsia ka pësuar ndryshim demografik, ka  ardhur një popullsi boshnjake në vend të asaj shqiptare. Cili ka qenë procesi që ju keni ndërmarrë në lidhje me këtë?


Kryeministri Berisha: Pavarësia e Malit të Zi ka qenë një interes jetik kombëtar i malazezëve, por një interes jo i vogël i shqiptarëve. Unë e kam quajtur atë si një akt që ka bërë më të lirë jo vetëm qytetarët e Malit të Zi, por edhe Ballkanin, sepse iku dominimi 80 vjeçar, i pamerituar, i Serbisë mbi Malin e Zi. Së dyti, po në këtë kontekst, nuk kam qenë në favor të komunës së Tuzit dhe kam qenë publikisht, po për arsye të caktuara politike. Pas një periudhe kam mbështetur plotësisht komunën e Tuzit, sepse, natyrisht, ti mund të sakrifikosh për një periudhë kohe të caktuar, por askush nuk ka të drejtë morale të të kërkojë një sakrificë permanente. Në këtë kontekst, edhe qëndrimi im ka qenë i qartë, kam mbështetur krijimin e komunës së Tuzit. Unë u kam kërkuar miqve të mi se kjo është një çështje e drejtë dhe kam marrë garancinë se kjo çështje do të ecë përpara, do të shkohet drejt saj. Unë këtë çështje e konsideroj të drejtë. Unë e mbështes atë.


Lidhur me problemin e dytë, çështja e votave është çështje votash. Votat kanë vetëm një rregull: të pranojmë rezultatin. Se cili është interesi i qytetarëve që jetojnë në zonën e Tuzit dhe të malësisë, atë do ta përcaktojnë ata, me votën e lirë. Besoj se jemi dakord. Ty të uroj të vazhdosh përpjekjet për t’u bërë deputet në parlamentin e Malit të Zi, të mbrosh edhe interesat e votuesve të tu.


Unë e vlerësoj shumë liberalizimin e arsimit të lartë, të ndërmarrë nga qeveria juaj. Doja të dija se çfarë frontesh pune, pas diplomimit, u ofron studentëve programi juaj qeverisës, për katër vitet e ardhshme. Në këndvështrimin tuaj, a ka ndonjë përputhshmëri ndërmjet degëve që ofrojnë sot universitetet shqiptare dhe nevojave të tregut të punës?


Kryeministri Berisha: Së pari, po të kthehemi në doktrinë, arsimimi është një nga rrugët kryesore për të ecur drejt punësimit dhe për të luftuar varfërinë. Kjo është e konfirmuar.  


Së dyti, dinamizmi ekonomik i Shqipërisë dhe zhvillimi i saj, unë besoj se ka kapacitete shumë më të mëdha për t’i absorbuar, sesa kapacitetet aktuale që shkollohen, pra, ka nevoja shumë më të mëdha. Mos harro se edhe katër vjet më parë, ne kemi pasur vetëm 3.4 përqind të qytetareve shqiptarë në universitete. Ky ishte një nivel shumë larg nivelit të vendeve të zhvilluara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë 32 përqind, mesatarja në Europë është 25 përqind. Vetëm një ekonomi që bazohet ose vendoset mbi shinat e dijes është ekonomi që krijon vlerë të shtuar. Ne jo vetëm që nuk kemi mbinumër në universitetet tona, por duhet të vazhdojmë të mbajmë gjithnjë këtë ritëm. Kjo, së pari, për të mbushur boshllëkun që kishim dhe së dyti, për ta ruajtur atë.


Sa i përket programeve, ke të drejtë. Sot, në universitetet tona ka rreth 520 programe. Kjo është një përpjekje shumë serioze e trupës akademike të vendit, për t’u përshtatur me kushtet e tregut. Këto nuk janë të gjitha në përputhje me kërkesat e tregut të punës, por ajo çka duhet dhe çka është në detyrën e botës akademike është të ruajë dinamizëm, të shqyrtojë, nëse programet që vendos, përshtaten me tregun apo nuk përshtaten. Në tërësi përshtaten, por ka prej tyre që duhet të zëvendësohen. Vetëm një sistem arsimor, i cili arrin t’i përshtatet tregut, do të bëjë të mundur vendosjen e ekonomisë mbi bazat e dijes.


Së dyti, studimet faktojnë se shanset për të diplomuarit për të gjetur punë  janë dy herë më të mëdha, sesa të padiplomuarve.


Së treti, paga e të diplomuarve është gjithnjë 50-80 përqind më e lartë, se ajo e të padiplomuarve. Një nga synimet më madhore të këtij procesi është se ne nuk synojmë vetëm punësimin, por ne synojmë dhe do të synojmë një pagesë më të mirë për vendet e punës. Ne kemi udhëhequr në këtë drejtim. Në vitin 2005, pagat në Shqipëri ishin qesharake. Një infermiere merrte 15 mijë lekë dhe duhet të bënte tre turne. Në dyfishuam pagat e mësuesve, të mjekëve, të infermierëve, dyfishuam pagën mesatare. Ne udhëhoqëm sektorin privat. Sektori privat mund  të jetë sot para sektorit publik. Ne do të vazhdojmë rritjen e pagave, në mënyrë që të ndikojmë tërësisht që puna e qytetarëve shqiptarë të paguhet më mirë.


 Zoti Kryeministër, është një kontekst krize ndërkombëtare dhe ka një kritikë liberalizmi. A ju ka kompleksuar kjo krizë, për tu bërë më populist dhe më majtist në propozimet tuaja? Pyetja e dytë, në vendet afër nesh ka kryeministra që marrin ndihma prej miliardësh, duke u sjellë si nxënës të këqij të Perëndimit ose të Europës. Shqipëria është një nxënëse e mirë, në 10- 15-vjeçarin e fundit. A ndiheni ju, një Kryeministër i pambështetur nga vendet e mëdha, nga ekonomitë e vendeve të mëdha, në përpjekjen për ta kaluar Shqipërinë drejt një vendi të zhvilluar ose një prosperiteti ekonomik?


Kryeministri Berisha: Së pari, Shqipëria ka pasur një standard ndër më të ulëtit në rrafshin ekonomik. Si asnjë vend tjetër europian, në vitin 1992, ajo ishte vendi me të ardhura më të ulëta, krahas Ugandës dhe Angolës. Në qoftë se e vështron Shqipërinë sot, ajo është një histori e vërtetë suksesi në zhvillim. Ky është vlerësimi në unison i të gjithë atyre që e vlerësojnë zhvillimin. Shqipëria nuk është ende një vend i zhvilluar, sepse nuk ka nivelin e të ardhurave të vendeve të zhvilluara. Por në disa tregues themelorë, Shqipëria ka barazuar dhe lë pas ndonjë vend të zhvilluar, anëtar të OECD-së. Shqipëria, sot, në banesa për 1000 banorë lë pas 5 vende anëtare të OECD-së. Sot janë 340 mijë familje shqiptare që kanë më shumë se një banesë. Ata që bëjnë fjalë për klasë të mesme duhet ta dinë se një nga produktet më të rëndësishme të këtyre 20 viteve ka qenë krijimi i klasës së mesme shqiptare.


Së dyti, Shqipëria ka arritur të ketë një jetëgjatësi të qytetarëve të saj, të barabartë me disa prej vendeve më të zhvilluara të botës. Jo me më të lartat, sepse ka vende që kanë nivele më të larta. Shqipëria ka vdekshmërinë foshnjore dhe amtare më të ulët se disa vende anëtare të OECD-së dhe të Bashkimit Europian. Në disa fusha, Shqipëria ka ritme ndër më të lartat.  Duke thënë këto, Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të përshkuar, për t’u bërë vend i zhvilluar.


Mësimi më i madh i këtij zhvillimi është pikërisht ajo që ju më pyetët, nëse unë ndjej keqardhje. Unë nuk ndjej asnjë keqardhje. Unë mbetem gjithnjë i besimit se liria është pasuria më e çmuar. Dhe nëse Shqipëria është një histori suksesi e vërtetë, është sepse ka bërë përpjekje të mëdha për t’iu përmbajtur lirisë ekonomike. Shtatë vite më parë, kur ne ulëm taksat dhe vendosëm taksën e sheshtë, nuk e dinim se në krye të gjashtë viteve do të kishim 9.2 miliardë dollarë më shumë në arkën tonë. Ne e bëmë atë vetëm e vetëm për të zgjeruar lirinë fiskale të biznesit dhe të rreshtohemi me mbi 90 pikë, në nivele ndër më të lartat.


Përsëri ndërmorëm një paketë të dytë. Kjo është më e vështirë. Kur ne vendosëm taksën e sheshtë, ne kishim tejkalim të ardhurash dhe nuk ndjenim asnjë lloj problemi me uljen e nivelit dhe ia lamë biznesit. Ndërsa sot, ne do të pësojmë një deficit me, së paku, 200 milionë euro në buxhetin e shtetit. Kjo është e sigurt. Por unë ndjej vetëm kënaqësi, sepse kam besim se ky është një zgjerim i mëtejshëm i lirisë ekonomike. Unë kam besim se këto masa që morëm, ky zgjerim i madh i lirisë fiskale do të shoqërohet me krijimin e dhjetëra e mijëra vendeve të punës.


Le të marrim bujqësinë. Gjatë katër viteve të fundit, grantet tona dhe investimet private kanë krijuar rreth 100 mijë vende pune. Çdo grant, ne e japim me një projekt të caktuar. Çdo kredi jepet me një plan-biznesi. Statistika dëshmon se në atë që ndodh sot, në bujqësinë shqiptare, ne jemi vetëm 1/5, ndërsa 4/5 që investohen është private. Potenciali në këtë sektor është shumë më i madh. Të mos harrojmë se ky është një vend me tokë bujqësore më të paktë për frymë, në Europë. Por po ndodh edhe shtimi i sipërfaqeve bujqësore të tokës.


Unë nuk mund të kem keqardhje, përse ne zgjeruam standardet e lirisë fiskale. Unë i mbetem kësaj. Gabimet mund të jenë bërë në disa shërbime financiare, të cilat nuk janë as në frymën Hayek-ut që shkroi kushtetutën e lirisë ekonomike dhe të tjerëve që e ndoqën. E sigurt është që u bënë gabime të padiskutueshme në shërbimet financiare dhe tregun financiar. Një mësim i nxjerrë dhe që gradualisht do të konsolidojë një drejtim tjetër, por kam bindje të madhe se liria ekonomike është gjeneratori kryesor i zhvillimit të ekonomisë. Ndaj edhe nuk kam asnjë keqardhje.


Për pyetjen e dytë do të doja shumë të më quaje mua nxënës të mirë, por nuk e di sesa shkon ajo fjalë. Ne kemi pasur një bashkëpunim e debat aktiv me FMN-në, debat aktiv me Bankën Botërore, të cilët kanë qenë aleatët tanë të shkëlqyer. Për ne që vinim nga një hiperkolektivizëm total, mendor, psikik dhe të gjithanshëm, ndihma e tyre është e jashtëzakonshme. Mund të ishte përfituar më shumë, por përsëri i qëndroj asaj se gjithçka do të përcaktohet më shumë se çdo gjë tjetër, nga kushtet që krijon për biznesin. Në çdo moment, ne besojmë së mbështetja e biznesit është rruga më e sigurt e zhvillimit të shpejtë dhe të gjithanshëm të Shqipërisë.  


Cilat janë sektorët në ekonominë shqiptare që japin efektet më të mëdha në rritjen ekonomikë në vend dhe cilat janë politikat e qeverisë në mbështetje të këtyre sektorëve?


Kryeministri Berisha: Meqenëse po flasim për ekonominë dhe zhvillimin, rritja është pa diskutim thelbësore për zhvillimin, por më një kusht të vetëm, duhet të jetë rritje e qëndrueshme. Rritja e qëndrueshme është dhe mbetet objektivi më kryesor i qeverisë sime. Rritja e qëndrueshme garantohet duke u bazuar në politika, të cilat kanë qëndrueshmëri afatgjatë. Rritje e qëndrueshme ekonomike është ajo politikë që shndërron rritjen në mirëqenie për qytetarët. Ky është një kusht themelor. Të shndërrosh rritjen ekonomike në mirëqenie për qytetarët, në pamje të parë është e thjeshtë, por është, ndoshta, çështja që kërkon përqendrimin më të madh të një ekipi qeverisës. Shqipëria qëndron sot në një nga pozicionet më të mira, sipas standardit të një prej grupeve më serioze të botës në përllogaritjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike, grupit të Bostonit. Ky grup ka studiuar rritjen ekonomike dhe në çfarë transformohet ajo, ku shkon ajo, çfarë bëhet me të. A shkon ajo për rroga, për infrastrukturën, për arsimin, për shërbimet, për punësimin apo për ligjin? Si shpërndahen të ardhurat, në cilët sektorë investohet më shumë? Ky grup, duke analizuar mbi 51 tregues, e rendit Shqipërinë së bashku me Brazilin, Zvicrën dhe Kongon. Kjo është e vërteta. Ne mbetemi shumë të vendosur për një rritje të qëndrueshme. Në këtë kontekst, përparësi të madhe ka energjia e rinovueshme. Ne jemi të përqendruar shumë në energjinë e rinovueshme, sepse energjia është dhe do të mbetet një problem konstant, madhor, për çdo ekonomi, për çdo vend, për çdo zhvillim.


Besoj se nga viti 2007 e këtej, ne ia kemi dalë të krijojmë një ethe të vërtetë pozitive në fushën e energjetikës. Shqipëria si asnjë vend tjetër ka firmosur me sektorin privat për ndërtimin e mbi 360 hidrocentraleve, nga 443 që janë për t’u ndërtuar. Në planin afatgjatë, kjo do të thotë energji me çmimin më të leverdishëm për qytetarët shqiptarë.


Së dyti, degë të tjera të zhvillimit të qëndrueshëm janë industrializimi dhe minierat. Shqipëria ka pellgje botërore mineralesh, krom, hekur-nikel, bakër dhe të tjera, por tre të parat janë të përmasave botërore. Jemi vetëm në hapat e parë të një industrie, e cila do të jetë shumë afatgjatë.


Po ashtu, turizmi është faktuar se, në qoftë se zhvillohet mbi bazën e kritereve ekologjike, për çka ne do të bëjmë gjithçka, edhe ai ka një qëndrueshmëri afatgjatë.


Natyrisht, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik kërkon përparësimin e arsimit, në të gjitha aspektet e tij. E vërteta është se ne po bëjmë gjithçka për të përparësuar këtë degë. Ne jemi në hapat e parë, por shumë të rëndësishëm. Kemi arritur disa tregues sasiorë. Unë kuptoj dhe mirëkuptoj pretendimin universal për cilësinë dhe garantoj se do të bëjmë gjithçka për atë, por në asnjë mënyrë kjo nuk do mund të na bënte të tërhiqemi nga masivizimi dhe hapja e dyerve të universiteteve për të rinjtë shqiptarë. Ne jemi në një proces suksesi të vërtetë për tërheqjen e kapitaleve private në fushën e arsimit. Edhe më shumë do të bëjmë. Pikërisht në rivalitetin dhe në kundërshtitë që ekzistojnë midis arsimit publik me atij privat qëndron dhe shkëndija e një konkurrence pozitive, të ndershme, e cila do të çojë përpara të dy sektorët. Nuk mund t’ju flas këtu me të dhëna konkrete, por jam i sigurt se këto dy sektorë ndihmojnë dhe nxisin zhvillimin e njëri-tjetrit.


 Unë ju dëgjova me shumë kënaqësi dhe nuk është hera e parë që ju i referoheni studimeve nga universitete me emër, studimeve të universiteteve të Oxford, Yale, Harvard etj., por asnjëherë nuk i referoheni një studimi të ndonjë universiteti shqiptar. Sigurisht, ne jetojmë në Shqipëri e do të ishte mirë që në programin tuaj të kishte dhe incentiva të tillë, që studimet të mos i bënin vetëm NGO-të, por të bëhen edhe nga thinj-tank-et e universiteteve shqiptare, sepse ju vazhdimisht i referoheni si tempujt e dijes. Do të ishte mirë, në mos është, të shtohet në programin tuaj. Së dyti, cilat janë disa nga incentivat që programi juaj ofron për bizneset shqiptare, për punësim, drejt projekteve studentore?


Kryeministri Berisha: Së pari, më duhet me keqardhje të mos jem dakord me ju, sepse në deklaratat që unë bëra këtu, disa prej tyre bazoheshin në studime të akademikëve shqiptarë, të universiteteve shqiptare, studime që kanë të bëjnë me urbanistikën, me banesat dhe shumë të tjera. Unë vij nga një background akademik dhe i lexoj me kënaqësi punimet që më interesojnë, por çështja që shtron është absolutisht shumë e drejtë. Është e domosdoshme që të inkurajohet kërkimi më i madh shkencor dhe agjencitë e administratës të jenë shumë më të hapura dhe më të interesuara për mendimin akademik dhe punën e tyre, e cila do ta bënte të gjithë vizionin e planifikimin e agjencive shumë më solid. Unë ju garantoj se kam vetëm respekt për ju. Punimet shqiptare kudo ku i gjej i kam të parat që i lexoj.  Mua më vjen keq që nuk bëhet një njohje më e gjerë e tyre, sepse sot ka studiues shqiptarë të shkëlqyer në të gjitha fushat. Unë isha një ditë në Fakultetin e Mjekësisë dhe u thashë se vetëm njëri prej tyre ka punime, të botuara në botë, aq sa kishim të gjithë ne të tjerët, 20 vite më parë.  Kjo është e vërteta. Këtu ka edhe një moment tjetër. Universitet kanë një lloj distance nga qeverisja, nga problemet e administratës. Duhen gjetur forma më të mira për bashkëpunim dhe mundësitë janë të mëdha.


Pushteti ka tre degët kryesore, të cilat Partia Demokratike i kontrollon, përfshirë këtu edhe presidencën. Në një shtet kaq të politizuar, sepse ka ngjyra politike, si mund të ketë më shumë vende pune në Shqipëri?


Kryeministri Berisha: Kjo qeveri, në një nga aktet e para madhore kur erdhi në pushtet, shkurtoi me 33 përqind administratën e vendit. Kjo ishte shumë e dhimbshme. Sot, Shqipëria ka një nga 10 administratat më të vogla në botë, e proporcionuar kjo sipas Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera. Ne u mbështetëm në këtë koncept, sepse ne besojmë se shteti nuk është ndërmarrje punësimi. Në një vend të lirë, punësimi duhet të jetë atribut i iniciativës së lirë, i sipërmarrjes së lirë. Në qoftë se do të kishim administratë të përmasave të mëdha, imagjino se çfarë barre e rëndë do të ishte kjo mbi sektorin privat. Taksat e tyre nuk do të shkonin për rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, por do të shkonin për rroga zyrtarësh. Kjo është si koncept.


Ne e kemi premtuar në vitin 2005 dhe kemi mbajtur premtimin tonë. Ju them se gjëja më e vështirë që ndodh në administratën tonë është shtimi i një personi. Lëvizja e tij duhet të kalojë në hallkat e të gjithë hierarkisë. Ne e bëjmë këtë, sepse përsëri besojmë se një barrë më e lehtë burokracie mbi sektorin privat është një avantazh mbi ta. Por e bëjmë edhe për një gjë tjetër. Sot, unë kisha një zyrtar të rëndësishëm të një prej kompanive më të mëdha. Po diskutonim për një problem që nuk ka të bëjë vetëm me ne. Më tregoi për një koleg tjetër, duke më thënë se: më duhen shumë kohë për të kaluar nga një punonjës tek tjetri e me radhë. Ndërsa këtu tek ti e kam më thjeshtë, sepse kam shumë pak, kalojnë në një ose dy prej tyre dhe ecën puna.


E thash këtë, sepse nuk është meritë një administratë e frytë. Ne shpenzojmë rreth 5.8 përqind të GDP-së për administratën shtetërore. Ne futemi tek vendet me administratë të vogël dhe ky është qëllimi.


Së dyti, përkatësia. Sot, në shumicën e demokracive të botës, pushteti ekzekutiv dhe agjencitë ekzekutive, së bashku me kreun e shtetit, përveç mbretërive, si rregull janë të njëanshme, sepse ato lëvizen me votën e qytetarëve. Ka vetëm një mekanizëm të lëvizjes së pushteteve dhe ky mekanizëm është vota. Kjo nuk përcakton funksion apo diskfunksion. Funksioni apo disfunksioni përcaktohet nga qëndrimi ndaj ligjit. Në qoftë se zyrtarë të këtij vendi, pavarësisht nga përkatësia partiake, i përmbahen ligjit, shteti ligjor funksionon. Në qoftë se këta e bëjnë një kamaradri administratën dhe shtetin, atëherë janë qytetarët ata që japim verdiktin e tyre. Në këtë aspekt, check and balanca nuk është realizuar kurrë nëpërmjet përkatësive të ndryshme, por është realizuar dhe realizohet gjithmonë nëpërmjet zbatimit të ligjit që realizojnë check and balanca.


Zoti Kryeministër, marr shkas t’ju pyes nga zhvillimet e ditëve të fundit,  lidhur me ngjarjen që ka ndodhur dje. Doja të dija se cilat janë masat që do të ndërmarrë qeveria për të parandaluar krimin, si një fenomen shumë i rrezikshëm i shoqërisë?


Kryeministri Berisha:  Rasti i djeshëm është nga rastet më tragjike, më tronditëse, është një barbari e vërtetë. Nga dje deri më sot mund të kem marrë me qindra mesazhe në celularin tim, në Facebook, nga qytetarë që kërkojnë dënimin me vdekje, kërkojnë ekzekutimin, kërkojnë masat më të rrepta. Unë kam mirëkuptim për të gjitha këto, sepse ngjarja është tmerrësisht tronditëse. Nga ana tjetër, ne jetojmë në një hapësirë europiane, e cila me vendosmërinë më absolute ka hequr dënimin me vdekje. Kjo është bërë në respekt të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria është vend anëtar i Këshillit të Europës dhe për çdo hap prapa që mund të bëjë, ajo merr përsipër dënimin e saj. Akti është më barbari, më mizori që mund të jetë.


Vijmë tek çështja më e gjerë, tek kriminaliteti. Në mënyrë të padiskutueshme ka pasur krime dhe vrasje shumë shqetësuese. Ju jeni studente në drejtësi. Ju dhe çdo qytetar, veçanërisht ju njerëzit e ligjit, funksionimin e shtetit ligjor duhet e do ta vlerësoni para së gjithash, nga reagimi i ligjit. Në qoftë se vërtet ka pasur vrasje, shkalla e zbulimit të tyre, shkalla e vendosjes para ligjit të autorëve të tyre dhe shkalla e dënimit të tyre është ndër më të lartat që mund të ekzistojë. Në vende që e kanë shkallën e lirisë dhe traditën e saj shumë më të madhe, si dhe funksionimin e shtetit ligjor shumë më të konsoliduar se Shqipëria, ka një nivel vrasjesh edhe dy herë më të madh sesa Shqipëria. Ju jeni studentë dhe mund t’i kërkoni statistikat në internet dhe janë të gjitha. Por vlerësimi real i shtetit ligjor duhet bërë. Cili është ndëshkimi i tij? Çfarë dënimi merr? Zbulohet apo nuk zbulohet krimi? Duke thënë këto, ne nuk po rrimë duarkryq. Ne kemi një Kod Penal, i cili, ndonëse është ripërtërirë plotësisht, ka ruajtur disa standarde të një kohe tjetër. Ky Kod Penal dhe kjo procedurë penale do të ndryshojë në mënyrë të qartë dhe do t’i përshtatet kësaj situate. Një ditë po dëgjoja një specialist të shquar, i cili shprehej se rëndësi ka jo forcimi i ligjeve, por zbatimi i ligjeve. Kjo është e vërtetë, por problemi është se, në rast se policia dhe organet e zbatimit të ligjit i zbulojnë, i vendosin para drejtësisë dhe në rast se drejtësia në tërësi ju jep dënimin ligjor, atëherë duhet diçka tjetër, duhet një ekstra masë. Për disa vepra penale, siç është vrasja në familje, e cila që përbën 20 përqind ose më shumë të vrasjeve në Shqipëri, drejtësia shqiptare ka qenë e padrejtë, sepse fillimisht i trajtonte me butësinë më të madhe, sikur të ishin pronë dhe jo qenie njerëzore. Për këtë do të ketë ndëshkime më maksimale. Dënimi që sot është 25 vjet do të behet 40 vjet. Dënimi që sot është 20 vjet do të behet 30 vjet.


Së dyti, nuk kemi dënimin me vdekje, por kemi dënimin përjetë.


Së treti, do të heqim çdo lloj falje për disa krime të cilësuara, siç është vrasja e punonjësit të policisë, vrasja e gruas, por edhe gjakmarrja. Ne duhet të ndahemi nga një kapitull që e kemi trashëguar nga një kohë kur nuk kishim gjykata, por vetëm ligjet e pushtuesve. Sot ekziston shkalla më e lartë e ndalimit dhe e ndëshkimit të autorëve. Ka ndodhur një rast, siç ishte ai i gjykatësit, por gjykatësi po jep tani llogari para ligjit. Në tërësinë e tyre, ndaj çështjeve penale, gjykatat po funksionojnë me vendosmëri. Unë kam besim se kjo paketë e re, e cila shkon kësaj jave në parlament, me një shkallë rreptësie ndaj ndëshkimeve tërësisht të re do t’u japë një përgjigje më të mirë këtyre problemeve. Ajo do të ketë ndikimin e saj.


Pak më para përmendët që do të ketë investime, do të ketë komplekse nga ana ekonomike, por jo të gjithë njerëzit dhe shtresat në Shqipëri kanë mundësi t’i shijojnë këto komplekse. Mbase asnjëherë nuk e kam lexuar që të keni një pikë sociale në planin tuaj. Po shoh shumë të rinj që shesin anës Lanës, janë të papunë. A do të shihet kjo shtresë popullsie? Për mendimin tim, ekonomia shqiptare dhe familjet shqiptare kanë arritur në atë stad ku ka një shtresë shumë të pasur dhe një shtresë shumë të varfër, ndërsa shtresa e mesme nuk ekziston më. Në këtë aspekt, c’do të mund të bëni ju?


Kryeministri Berisha: Së pari, sa për dijeni, në çdo vend të lirë ka një tregues që mat varfërinë dhe ky tregues është i përshkallëzuar në varfëri dhe në varfëri absolute. Shqipëria, në statistikën e Bankës Botërore, të cilën duhet ta pranojmë se është statistika më e pavarur, është një nga vendet që ka ulur më me sukses varfërinë sesa çdo vend tjetër. Në vitin 2001 varfëria ka qenë diku tek 30 - 35 përqind, ndërsa në vitin 2008 varfëria ka zbritur në 12.3 përqind. Varfëria ekstreme në Shqipëri, e cila do të thotë të ardhura për frymë nën 1.25 dollarë, ka qenë 3.4 përqind dhe ka zbritur në 1.3 përqind. Jashtë përshtypjeve, janë këto të dhëna. Natyrisht, çdo qytetar në varfëri është një dhimbje për gjithë shoqërinë; çdo qytetar i papunë është një dhimbje për shoqërinë; çdo lypës është një lëndim për të gjithë shoqërinë.