Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Bashkisë së Torinos, zotin Sergio Champarino, i cili shoqërohej nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, zoti Saba D’Elia, nga Rektori i Universitetit të Torinos, zoti Ezio Pelizzetti, si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë së Torinos, zoti Guido Bolatto.
Kryebashkiaku i Torinos falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe u shpreh se ndodhej në Shqipëri në kuadër të interesit torinez për të rritur bashkëpunimin me vendin tonë, duke u nisur dhe nga fakti se Torino është një nga qytetet më të rëndësishëm në Itali, me vlera të mëdha historike, kulturore dhe qendër e madhe industrial dhe kërkimi shkencor.
Kryeministri Berisha u shpreh mjaft i kënaqur që do të kishte një bashkëpunim më të ngushtë me këtë qytet, qendër e fuqishme industriale në Itali dhe më gjerë, duke nënvizuar se këto shkëmbime idesh dhe vlerash do të forcojnë bashkëpunimin me interes të përbashkët mes dy vendeve.
Kryeministri theksoi se Shqipëria është vendi i shumë mundësive për investime nga kompanitë më të mëdha të kësaj zone për të shfrytëzuar potencialet e vendit në energji, minerale, infrastrukturë etj., si dhe për një bashkëpunim të frytshëm me Universitetin e Torinos në kuadër të politikave të qeverisë, të cilat e shohin me prioritet arsimin e lartë në vend.
Në një kuadër më të gjerë, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria, populli dhe investitorët italianë kanë pasur dhe kanë një rol parësor në zhvillimin dhe modernizimin e vendit, si dhe në proceset integruese.
Kryebashkiaku i Torinos u shpreh sa ka një interes të madh të kompanive torineze për të investuar në vendin tonë dhe se këto shkëmbime dhe vizita mes autoriteteve do të jenë të vazhdueshme, për të fokusuar interesin e biznesit në fushat më me interes.
Kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare mirëpret investitorët torinezë në Shqipëri dhe se do të mbështesë investimet e tyre që ato të jenë një histori suksesi.
Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha e njohu zoti Chiamparino me lehtësitë që ka krijuar qeveria për investimet e huaja, si dhe kushtet e favorshme që ata do të gjejnë këtu si barra e ulët fiskale, krahu i favorshëm i punës, uljet e çmimit të energjisë për biznesin, një infrastrukturë të rinovuar, parqet industrial në të gjithë vendin etj..
...