Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot murin e madh kinez në Badaling, pjesa me strategjike e murit mijëravjeçar, të ndërtuar për të mbrojtur Kinën nga sulmet e jashtme.  Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë, bëri të ditur se Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në Kinë, ngjiti mbi 1500 shkallët që të çojnë në njërën nga majat e këtij segmenti, ku i'u akordua nga autoritetet lokale, një çertifikatë si Kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të murit. Duke i'u përgjigjur interesimit të medias mbi këtë eksperiencë, Kryeministri Berisha u shpreh se "lodhja nuk ndihet kur ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit. Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo Kryeministër tjetër që ka vizituar murin. I'u përgjigja se kjo ngjitje është sa kulturore, aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare", u shpreh Kryeministri Berisha. Pjesa e murit në Badaling, e mbiquajtur edhe "çelësi i portës veriore të Pekinit", është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987. Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë vizituar këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës.


Pyetje: Z Kryeministër, si po ju duket ngjitja në murin e madh kinez?


Kryeministri Berisha: Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Por të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo Kryeministër tjetër që ka vizituar murin. Iu përgjigja se kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare.


...