Vizitën e tij treditore në Kosovë, kryeministri Berisha e përfundoi në qytetin e Prizrenit.

Kryeministri u takua në Këshillin Komunal të Prizrenit, me përfaqësues të pushtetit vendor, të partive politike dhe të komuniteteve të ndryshme.

Kryeministri Berisha vizitoi gjithashtu, shtëpinë muze, ku 128 vjet më parë u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Duke përshëndetur banorët e Prizrenit, kryeministri u shpreh:

"Qytetarë të Prizrenit, të këtij qyteti djep i kulturës kombëtare, tempull i qytetërimit shqiptar, i identitetit perëndimor të kombit shqiptar, tempull i vlerave kombëtare, i besimit të shqiptarëve tek e ardhmja e tyre evropiane.

7 vjet më parë, ju ishit të parët që vutë buqetat me lule mbi tanket e Aleancës së Atlantikut të Veriut, që erdhi për të çliruar Kosovën. Le të shprehim së bashku mirënjohjen e thellë për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aletëve të NATO-s. Këtë mirënjohje ta shndërrojmë në vlera të lirisë dhe demokracisë, ndërtimit të shtetit ligjor në Kosovë, Shqipëri dhe kudo, të shtetit të qytetarëve të barabartë para ligjit, pavarësisht nga përkatësia etnike, shtetit ku respektohen besimet, kulturat dhe identiteti etnik i njëri-tjetrit. Shteti në themelet e të cilit, burri madh i kombit Ibrahim Rrugova vendosi paqen, respektin për lirinë dhe besimin për njëri tjetrin, dashurinë për Kosovën, për kombin dhe të ardhmen europiane për të gjithë."