Kryeministri Fatos Nano pasi është informuar në lidhje me parregullsitë e pretenduara, që do të verifikohen sipas ligjit, në procesin zgjedhor në disa qendra votimi në zonën e Himarës, menjëherë ka kërkuar vënien në lëvizje të strukturave ekzekutive, por edhe të Partisë Socialiste, që kanë lidhje me procesin zgjedhor.

Kryeministri Fatos Nano ka urdhëruar që konform ligjeve dhe mbështetur mbi prova të ndëshkohen në bazë të ligjit të gjithë ata që kanë kryer vepër penale.

Kryeministri i Shqipërisë ka urdhëruar, gjithashtu, strukturat përkatëse të evidentojnë përgjegjësitë dhe të ndëshkojnë fajtorët. Në kontaktet me Ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, autoritetet më të larta të Ministrisë së Rendit dhe atyre të Ministrisë së Jashtme, Ai ka theksuar qartë se Partisë Socialiste dhe Qeverisë nuk i intereson një proces jo i drejtë, por përkundrazi një proces i lirë, transparent, i barabartë dhe ligjor, sipas standarteve demokratike perëndimore.

Kryeministri ka shprehur bindjen se rikonstituimi i institucionit të zgjedhjeve është një themel bazë për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri.