Prishtinë, 16 shtator 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministrat Avdullah Hoti, Imet Rrahmani dhe Arban Abrashi, ka pritur të mërkurën në takim Agim Çekun, kryetar i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjatë takimit, u bisedua për procesin e verifikimit të statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të luftës së UÇK-së.

Në takim, u bë e ditur se gjatë kësaj jave do të punohet intensivisht për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Aplikimit në Skemën e Pensioneve dhe Beneficioneve të Përcaktuara në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre, si dhe për përcaktimin e shumës dhe aspekteve tjera financiare që lidhen me pagesat për këto kategori.

Me këtë rast, u bë e ditur se javën e ardhshme do të merret vendimi përfundimtar për hapjen e procedurave të aplikimit në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të përcaktuara me ligj, si dhe për pagesat përkatëse.