Kryeministri dhe Kryetari i Partise Socialiste zoti Fatos Nano i ka derguar sot nje mesazh urimi Kryetarit te Partise Demokratike zotit Sali Berisha me rastin e 12 Vjetorit te krijimit te PD-se. Ne kete mesazh thuhet:

"12 dhjetori, dita e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, një parti politike me fizionomi e histori të spikatur, përbën një ngjarje me përmasa të veçanta në historinë moderne të vendit tonë. Krijimi i partisë Suaj shënoi inagurimin e pluralizmit politik e partiak në Shqipëri.

Gjenerata të tëra njerëzish, nga shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare, që aspironin për hapësira më të mëdha lirie dhe për standarte autentike demokracie, që përballuan kalvarin e sakrificave të panumërta, gjetën në horizontet e dhjetorit të 1990, shpresa inkurajuese për realizimin e ëndrrave të tyre.

Shumë shpejt pas themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, spektri politik shqiptar u pasurua me krijimin e menjëhershëm të partive të tjera, të cilat, të gjitha së bashku, formuan një konstelacion strukturash politike aktive, për të ndërtuar të ardhmen evropiane të Atdheut tonë.

Në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë, më lejoni sot, në përvjetorin e 12-të, të jetës Suaj politike, të vlerësoj sërish meritat dhe kontributet e Partisë Demokratike të Shqipërisë në progresin demokratik të realizuar pas vitit 1990 në Shqipëri dhe t'Ju konsideroj partner të rëndësishëm politik në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik të vendit tonë.

Partia Socialiste e Shqipërisë, Ju dërgon, me këtë rast, urimet e saj të sinqerta për suksese e arritje të metëjshme".