Leta rrëzohet nga sekretari i partisë së vet, Matteo Renzi, i cili mund të bëhet kryeministër


LettaKryeministri i Italisë, Enriko Leta (Enrico Letta) njoftoi se do të japë dorëheqjen sot, pasi mbrëmë sekretari i ri i Partisë Demokratike italiane tërhoqi besimin për qeverinë e tij, duke e zhytur Italinë në paqartësi politike.


Renzi pati bërë thirrje më herët për ndryshim në qeveri gjatë një takimi të partisë, duke thënë se vendi nuk do të hyjë në pasiguri nga kjo lëvizje.


Spekulimi është i lartë se Renzi mund të jetë duke kërkuar të bëhet vetë kryeministër. Ai është tetë vjet më i ri se Leta, i cili vetë ishte kryeministri më i ri i Italisë në shumë dekada.


Leta tha në një deklaratë se vendimi i tij pasoi vendimin e marrë nga udhëheqësia kombëtare e Partisë Demokratike. Ai kishte vetëm dhjetë muaj në detyrën e kryeministrit.


Renzi duket një politikan i nxituar. Ai personifikon frustrimin e ndier nga shumë italianë nga ajo që perceptohet si paaftësi e udhëheqësve të vendit për tu marrë me rënien ekonomike të shpejtë të Italisë, e cila ka sjellë varfërim të një numri gjithnjë e më të madh familjesh.


Më pak se 40 vjeç, Renzi është karizmatik dhe e ka fituar popullaritetin si kryebashkiak i Firences. Por kjo është edhe dobësia e tij më e madhe, pasi nuk ka eksperiencë në politikën bizantine të Romës. Ai vetë nuk është anëtar i Parlamentit të Italisë dhe sipas sondazheve, shumica e italianëve nuk e pëlqejnë idenë që të bëhet kryeministër.


Por nëse ai me të vërtetë bëhet pasardhës i Letës, do të trashëgojë një koalicion të vështirë që përfshin të majtën dhe të djathtën e Italisë.


Leta tha se do ti japë fletën e dorëheqjes presidentit Xhorxhio (Giorgio) Napolitano te pallati presidencial sot.


Renzi e pati akuzuar më herët Letën për mungesë aksionesh për përmirësimin e ekonomisë, ndërsa papunësia është në nivelin më të lartë në 40 vjet dhe ekonomia e Italisë është tkurrur me 9 për qind gjatë shtatë viteve të fundit.


Leta ka arritur të mbajë nën kontroll deficitin buxhetor por nuk ka qenë në gjendje të kryejë reforma për të përmirësuar ekonominë.


Ky shkrim Kryeministri italian jep dorëheqjen u publikua me pare te Gazeta SHQIP.