Lubljanë
Takime me krerët e shtetit ballkanik
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha ka nisur dje një vizitë zyrtare dy ditore në Slloveni, gjatë së cilës do të takohet me personalitetet më të larta të vendit. Në një njoftim të zyrës së shtypit të qeverisë, bëhet e ditur se Kryeministri do të pritet në takim nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Janez Jansa, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, që do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve dhe një prononcim i përbashkët për shtyp mes dy homologëve.
Më pas, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin slloven, zotin Danilo Turk, si dhe me Kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, Dr. Gregor Virant. Gjithashtu, në vijim të vizitës, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në edicionin e 7-të të Forumit Strategjik të Bled-it, një takim i përvitshëm, i cili organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Europiane. Nën moton Europa dhe Rendi Botëror i Formësuar, Konferenca do të fokusohet në rolin e Europës në një komunitet ndërkombëtar që ndryshon, sfidat rajonale në Europën Jugore dhe Azinë Qendrore, si dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës. Diskutimet mbi tema të tilla, si Sfida të reja Kampionë të rinj, do ti adresohen rrugëve dhe mundësive të reja drejt nxitjes së rritjes ekonomike dhe rolit të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Pjesëmarrës të punimeve të Forumit do të jenë personalitete të larta ndërkombëtare nga Kroacia, Mali i Zi, Sllovakia, Jordania, Palestina, Sekretari i përgjithshëm i OECD-së, si dhe ai i OSBE-së, si dhe përfaqësues të fushave ekonomike, industriale, akademike, nga më shumë se 50 vende. Në forum do të marrë pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, zoti Hashim Thaçi.
Kryeministri, vizitë zyrtare në Slloveni burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip