Nga Mero Baze


 


Dy drejtorët më të rëndësishëm të qeverisë, që do të ishin pjesë e strukturave të Vetting-ut, sipas ligjit miratuar në Kuvend, dhanë dorëheqje nga posti i tyre, pas kundërshtimeve të opozitës, për të pranuar procesin e Vettingu-ut, për shkak të pranisë së tyre në atë Komision. Alket Hyseni që drejtonte Agjensinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe  Arben Seferi, që drejtonte Drejtorinë e Informacionit të Klasifikuar, ishin pjesë e pretendimeve të Partisë Demokratike, se në Komisionin e Vetting-ut, për shkak të detyrës, bëjnë pjesë dy eksponentë socialistë.


Dorëheqja e tyre nga detyra, është gjetur si zgjidhje kompromisi, pas negociatave të diplomatëve Perëndimorë dhe qeverisë, për të përmirësuar klimën e besimit në procesin e zbatimit të reformës në drejtësi.


Por a qetëson kjo zgjidhje opozitën?


Natyrisht që jo. Opozita vërtet i ka anatemuar si emra, por e ka bërë këtë për të forcuar argumentat se nuk do ligjin e Vetting-ut. Largimi i tyre, vetëm sa shton nervozimin e opozitës, pasi konstaton se Perëndimorët janë të vendosur ta çojnë deri në fund atë, duke çmontuar akuzat fallco në adresë të procesit.


Ajo që opozita pret nga Vetting-u, është në të vërtetë anulimi i tij. Tendenca për të çarmatosur opozitën nga sebepet që gjen kundër reformës, e bën atë më nervoze dhe më agresive kundër reformës.


Shikoni sjelljen e saj para protestës së lajmëruar të tyre të 18 shkurtit. Në çdo detaj ata janë agresivë dhe përpiqen të demonstrojnë dhunë, si shenjë që janë ata që gjykojnë të tjerët dhe nuk janë në bankën e akuzave.


Shikoni çfarë bënë sot në Kuvend, ku një gomar bën aty si i fortë, me shpresë se populli poshtë do tensionohet dhe do vërshojë në shesh për nderin e tij.


Shikoni si sillen në foltoren e Kuvendit. Sali Berisha tenton të krijojë idenë, se tani ka ardhur në pushtet dhe po ndëshkon ministra dhe kundërshtarë. Njërës ministre i thotë ulu, tjetrës rri në këmbë!, dikujt i thotë “do dënohesh rëndë”, tjetrit i thotë “do ta paguash rëndë”. Sjellja e tij në të vërtetë është subkoshienca që prodhon Vetting-u, tek ai dhe familjarët e tij. Ideja që ata mund të dënohen një ditë, është kthyer në makth dhe reflektohet në gjuhën agresive për ta konsideruar 18 Shkurtin, si një ditë kur Vetting-u kalon në duart e opozitës dhe ata pastaj do bëjnë namin.


Shikoni si sillet Lulzim Basha në Kavajë. Lëshon një tufë çakenjsh të masakarojnë një demokrat kritik me të, me shpresë se kështu krijohet ideja, se ka filluar koha kur pushtetin e ka forca e opozitës dhe mund të rrahë këdo që i del përpara.


Shikoni si sillen me kapjen e kriminelëve dhe hajdutëve të bankave. Mbështetja që u japin të arrestuarve dhe ideja se ata po akuzohen pa të drejtë, do të thotë, që kushdo i cili vazhdon veprën e tyre, do të ketë mbështetjen e opozitës.


Shikoni se si përgatisin dhe alibitë e ndonjë dështimi të mundshëm në protestë, duke i dërguar ‘sms’ nga Zeni tek ushtarët e Zenit dhe duke i konsideruar ato fakte alternative që populli po paguhet që të mos dalë në protesta.


Shikoni si reflektohet tek Shkëlzeni, i cili ditën që duhet të paraqitej para Komisionit si dëshmitar njoftonte se kishte ikur për Shën Valentin në destinacione ekzotike jashtë Shqipërisë, për t’u imponuar si njeri që i takon dhe të bëjë qejf me milionat që ka fituar, se i ka ardhur dita dhe nuk ka frikë.


Shikoni në fund se si po sillen dhe ndaj ndërkombëtarëve që nuk i kanë në anën e tyre në procesin e Vetting-ut. Komedia me ambasadoren e BE në Tiranë, të cilës i kërkojnë llogari pse Bashkimi Evropian ka blerë zyra të shtrenjta në Tiranë, është sikur ti kërkosh Bujar Nishanit pse jeton në Pallatin e Brigadave, kur nuk meriton as pallate me parafabrikate në Kombinat.


E gjitha çfarë PD po bën, dhe çfarë realisht do, është jo që të përmirësojë procesin e Vetting-ut, duke hequr dy drejtorë socialistë të Edi Ramës, që do të zëvendësohen nga dy drejtorë jo socialistë, po të Edi Ramës, por që të krijojë idenë se ka nisur një epokë e re që do ta përmbysë Vetting-un. 18 Shkurti për ta është një rast për ta përmbysur Vetting-un dhe jo për ta korrigjuar atë. Është një kryengritje kundër tij.


Ndaj Edi Rama nuk ka bërë asgjë me dy dorëheqjet e sotme. Ai mund të ketë shpëtuar veshët nga pëshpëritja e ambasadorëve, që mendojnë se vërtet PD kërkon të përmirësojë procesin e Vetting-ut, por nuk ka shpëtuar realisht PD, nga makthi i Vetting-ut.  Biles sot ishin më nervozë edhe prej këtij gjesti. Dhe me këtë nervozizëm ata po shkojnë drejt 18 Shkurtit, me shpresë duke u hequr si të fortë, u duket vetja në Jurinë e Vetting-ut dhe jo në listën e atyre që do të verifikohen. Duan të ndjehen prokurorë dhe jo të pandehur!