Kanë kaluar gati dy vite nga seanca e Kuvendit, ku Arta Marku u zgjodh si kryeprokurore e përkohshme në mes të tymueseve dhe flakadanëve, për të zëvendësuar Adriatik Llallën, të cilit i përfundoi mandati.


Pas ngritjes dhe konstituivit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duket se ka ardhur koha që Arta Marku të mbyllë detyrën si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, pasi të martën më 19 mars pritet që të hapet gara për emrin  e ri të kryeprokurorit me mandat 7 vjeçar.


Dhe, Marku sipas Report Tv do të jetë një nga kandidatet që do të synojë postin që mban aktualisht.


Përveç zonjës Marku  pritet që një kandidat i fortë në këtë garë të jetë edhe Olsian Çela, i cili ka qenë drejtuesi i Krimeve të Rënda. Gjtihashtu në garë me shumë gjasë do të hyjnë edhe emra të tjerë si Adnand Xholi, Enrik Ligori apo Ervin Kondili.


Emrave nga radhët e akuzës pritet t’i shtohen edhe juristë karriere të cilët për më shumë se një dekadë nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitetet politike.


Zgjedhja e kryeprokurorit do të bëhet nëse një nga emrat në garë merr 85 vota në Kuvend, ose në të kundërt në lojë do të hyjë KLP-ja që do ta emërojë drejtuesin e organit të akuzës.


Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.


Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi.


Gjithashtu, kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit dhe duhet të ketë kaluar me sukses vettingun.