Vetingu, ka vënë nën ethe, njerëzit e drejtësisë, të cilët vijojnë të befasojnë me pasuritë e tyre.


Kostumet e shtrenjta, të cilat bien në sy kur dalin publikisht, nuk janë të deklaruara në formularin e deklarimit të pasurive. Për më tepër rezultojnë edhe të pastrehë.


Një rasti të tillë i përket edhe kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda Besim Hajdarmataj, i cili rezulton pa shtëpi, pa makinë dhe pa prona.


Hajdarmataj, kryehetuesi që kalon nëpër duar  dosjet e krimeve të rënda, dhe me ndjesi të lartë në publik, rezulton i varfër, madje më i varfër se Kryeprokurorja Arta Marku, e cila me kredi kishte blerë shtrydhëse frutash.


Në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2016, të siguruar nga CNA.al, të vetmet të ardhurat, Hajdarmataj i ka nga paga si prokuror.


Hajdarmataj, ka deklaruar shtesë nga të ardhurat e pagës përfshirë CASH  në shumën 500.000 lekë, gjendjen në llogarinë rrjedhëse  963.466.43 lekë si dhe të  ardhurat e përfituara nga paga si Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në shumën 1.888.439.


Në prill të vitit 2016, Hajdarmatës i është bërë hetim pasuror në mënyrë të hollësishme nga IDKPKI, pasi u kthye nga Amerika, ku shoqëroi ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla.


I varfëri i organit të akuzës, Besim Hajdarmataj është prokurori që ka firmosur kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit, për arrestimin e Saimir Tahirit.


Gjithashtu, Hajdarmataj ka firmosur edhe ngjarje të tjera të bujshme në krye Prokurorisë së Krimeve të Rënda, siç është rasti i pilotit italian, Guido Andrea Guidi, i cili u rrëzua me avionin e tij në zonën e Ishmit, i dyshuar se po kryente trak droge.


Hajdarmataj ndër vite ka drejtuar institucionin e hetimit në qytete si Tropoja apo Kurbini. Ai ka qenë për një periudhë kohe dhe drejtues i prokurorisë në Durrës për të marrë para rreth dy vitesh drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda./CNA.al