Prokuroria e Përgjithshme Arta Marku ka pasur një javë të mbushur me takime të rëndësishme, ku fokusi është vendour te reforma në drejtësi.


Ditën e sotme Kryeprokurorja priti në një takim përfaqësuesin e misionit EURALIUS në Tiranë. Pak orë pas takimit, zyra e shtypit të Prokurorisë njofton se tema e bisedimeve mes tyre ishte ecja përpara me zbatimin e reformës në Drejtësi si dhe procesin e Vetting-ut.


Prokurori i Përgjithshëm, Arta Marku theksoi rëndësinë që ka përshpejtimi i Vetting-ut, ligji për rivlerësimin e figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve për sistemin e drejtësisë. Gjithashtu u theksua nevoja për forcimin e integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në luftën kundër veprimtarive kriminale, krimit të organizuar dhe trafiqeve, thuhet në njoftim.


Kryeprokurorja ka dhënë garanci për mbështetje pakufi, në mënyrë që reforma në Drejtësi në Shqipëri të realizohet shpejt dhe me efikasitet.


Ndërkohë bashkëbiseduesit theksuan njëkohësisht rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndihmës së ndërsjellë.


12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)