Në ambientet e selisë së Partisë Demokratike ka nisur rreth orës 17:30 mbledhja e kryesisë së kësaj force politike, e cila është e para, pas asaj të shtatorit 2017, që u shoqërua me përplasje të ashpra verbale.


Në këtë mbledhje, e cila zhvillohet pas përfundimit të analizës së degëve të PD-së, do të vendoset data e zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së.


Kryedemokrati Lulzim Basha disa orë para mbledhjes bëri thirrje për pjesëmarrje edhe të zërave kritikë të partisë. Thirrjen e Bashës duket se e ka dëgjuar vetëm njëri prej kritikëve të tij publik dhe ai është ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.


Në fjalën e tij përpara anëtarëve të kryesisë, Lulzim Basha është shprehur se ndryshimet statuore janë vetëm atribut i Kuvendit Kombëtar dhe i ka ftuar të gjithë demokratët, madje edhe kritikët që të  paraqesin për vendimmarrje çdo kontribut, që ndihmon në fuqizimin e partisë.


Ai që ka dëshirë të kontribuojë, të ketë hapësirë totale. Të jenë të papenguar në asnjë formë, qoftë edhe statuore. Të ngrihet një grup proaktiv për ata që duan të kontribuojnë. Duhet ti shqyrtojmë propozimet bashkë me sekretariatin dhe të caktojmë kohë të mjaftueshme për shqyrtim, ka deklaruar Basha.


Propozimin për ngritjen e këtij grupi pune Basha e ka mbështetur me argumentin e pranimit edhe të mendimit të kundërt me të dhe sipas tij, ky grup do të përbëhet nga:


Nënëkryetarët Edi Paloka e Edmond Spaho;


Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani;


Sekretarët  Eno Bozdo dhe Fatbardh Kadilli;


Anëtarët Arben Imami dhe Gent Malko;


Por nga brenda mbledhjes mësohet se Arben Imami nuk ka pranuar të jetë pjesë e këtij grupi pune, që propozohet nga lideri i PD.


Imami është shprehur se “nuk jam për grupe pune, vendos dikë tjetër në vendin tim.”


Në vazhdim ish-ministri i Mbrojtjes i është drejtuar kryedemokratit Basha me këto fjali: “Gjërat nuk zgjidhen në mënyrë mekanike. Nuk zgjidhet kjo çështje me grupe pune. Fjalët i ke të bukura, por mungojnë veprat.”


“Jam kundër që të mblidhet Kuvendi, pa u thirrur Këshilli. Pse duhet të bëjmë kongres të parakohshëm. Sjam dakord me këtë nxitim, pasi nuk kuptoj shkaqet”, ka theksuar Imami.


Ndërkohë dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe anëtari i Kryesisë, Jamarbër Malttezi ka folur në këtë mbledhje për bashkim.


Duhet bashkim. Të mbajmë përgjegjësitë së bashku në këtë proces ku ndodhet Partia Demokratike, është shprehur ai.






























8 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)