Socialistët do vijojnë të kërkojnë me ngulm dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha
 
TIRANË- Marshimi opozitar I para disa ditëve për largimin e kryeministrit Sali Berisha nuk do të mbetet një lëvizje politike e veçuar. "Marshimi i heshtjes" siç u cilësua nga drejtuesit e opozitës, protesta-homazh e disa ditëve më parë në nder të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, do të rifillojë përsëri, por pas Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë dhe ftesën për anëtarësimin në NATO. Vendimi është marrë dje nga kryesia e Partisë Socialiste, në një mbledhje të posaçme për "Gërdecin". Nisur nga situata e krijuar pas kësaj ngjarje, gjatë mbledhjes së djeshme është diskutuar në lidhje me nevojën e hartimit të një plani afatshkurtër dhe afatmesëm veprimi politikë opozitar. Në lidhje me planin afatshkurtër kryesia ka vendosur që të përqendrojë luftën e saj opozitare në Kuvend dhe në deklarimet denoncuese publike. Kështu burime pranë kryesisë konfirmojnë se në lidhje me këtë fazë, socialistët do të këmbëngulin që Kuvendi në seancat e veta të diskutojë vetëm për ngjarjen e Gërdecit, deri në nxjerrjen e përgjegjësve të saj. Ndërkohë që në qëndrimet publike socialistët do të vijojnë të kërkojnë me ngulm dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, si përgjegjësi kryesor i kësaj katastrofe jonatyrore. Ndërkohë që gjatë kësaj faze, pra deri në samitin e NATO-s, PS do të vijojë ti kushtojë një vëmendje të madhe procesit të zhdëmtimit të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit, duke qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me ta. Gjithashtu kryesia ka rikonfirmuar qëndrimin e saj për të mbështetur me të gjitha forcat e saj procesin e anëtarësimit në NATO. Këtë e ka konfirmuar edhe vet kryetari i PS-së Edi Rama, menjëherë pas mbledhjes së kryesisë. "Kryesia konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e vendosur të Partisë Socialiste për të mos lejuar asnjë devijim nga procesi i integrimit në NATO dhe për të garantuar marrjen e ftesës", - tha Rama. Ndërkohë që sa i përket planit afatmesëm dhe që ka të bëjë me periudhën pas samit të Bukureshtit, kryesia socialiste ka vendosur që të iniciojë protesta të mëdha qytetare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha. "Kryesia nënvizoi se ngjarja e paharrueshme që shkaktoi kaq shumë viktima dhe që nxori në pah lakuriq papërgjegjshmërinë, paaftësinë dhe korrupsionin që e ka kapur në fyt qeverinë dhe Kryeministrin është nga njëra anë një arsye më shumë për t'u bërë pjesë e proceseve integruese dhe është nga ana tjetër një detyrimi pashmangshëm i PS dhe i gjithë opozitës për të kërkuar dorëheqjen dhe dorëzimin e imunitetit nga ana e kryeministrit për të marrë edhe përgjegjësinë ligjore", - u shpreh Rama.