Të shumtë ishin ata që prisnin ndryshime në qeverinë Rama2, por rezultati pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, që u zhvillua sot në Tiranë nuk rezervoi surpriza. Aty u vendos që ditën e premte më 28 dhjetor, të zhvillohet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të PS-së dhe që më 30 mars, të mblidhet Kongresi Zgjedhor.


Në dukje mbledhja e sotme u duk jo shumë e rëndësishme për shkak se mungoi furtuna në kabinetin qeverisës, por pranë selisë rozë bëjnë të ditur se kjo do të jetë një fazë e rëndësishme për socialistët, pasi duket se do të ketë dhe një tjetër mbledhje Kryesie ditën e shtunë më 29 dhjetor.


Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar  ngritjen e shtabeve elektorale dhe përgatitjen e tyre për zgjedhjet vendore dhe ka heshtur për ndryshimet në qeveri, por mediat kanë zbuluar se në disa poste do të ketë fytyra të reja.


Shefi i qeverisë gjithashtu ka shfryrë kundër të gjitha strukturave të PS-së, duke thënë se është i pakënaqur me punën e tyre. Sipas Ramës, strukturat kanë qenë joefiçente gjatë zhvillimit të protestave të studentëve, pasi sipas tij ka funksionuar vetëm Grupi Parlamentar i PS.


Mësohet se përveç ndryshimeve në qeveri do të ndodhë edhe një riorganizimi i strukturave të FRESSH, me disa shkarkime të drejtuesve të forumit rinor nëpër Fakultete që duket se janë projektuar.


24 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)